2006-05-02 18:17:55

Lajme shoqërore-politike: 2 maj


RealAudioMP3 U mblodh sot në Paris grupi i pesë vendeve me të drejtë vetoje në OKB, përfshi edhe Gjermaninë, për të diskutuar mbi masat që duhen marrë tani që ultimatumi ndaj Iranit skadoi. Takimi ka për synim hartimin e një dokumenti që do t’u paraqitet ministrave të jashtëm të BE-së në mbledhjen e caktuar për 9 maj në Nju Jork. Ndërkaq, Irani kërcënoi SHBA-ës se do të bombardojë Izraelin në rast se ndëshkohet nga OKB-ja.


Kryeministri izraelit Ehud Olmert do t’i paraqesë të enjten parlamentit përbërjen e qeverisë së re. Ndërmjet emrave të tjerë, bie në sy ai i Tzipi Livnit, si zv/kryeministre dhe ministre e jashtme. Është hera e parë në historinë e politikës izraeliane që një grua caktohet në poste kaq të larta


Në Aduzha të Nigerisë po zhvillohen bisedime të ethshme për armëpushim në zonën e Darfurit, në jug të Sudanit. Sekretari i përgjithshëm i OKB-së Kofi Anan u bëri thirrje palëve ndërluftuese të ulura në tavolinë të bisedimeve, të nënshkruajnë sa më shpejt një marrëveshje.


Ekstremistët islamikë algjerianë të grupit salafit i bënë thirrje Al Zarkavit, kryetarit të Al-Kaedës në Irak, që të nxisë popullin algjerian për përmbysjen e qeverisë aktuale. Letra u përhap në internet si edhe u botua nga gazeta arabe A-Shark- Al-Ausat.


Një ushtar amerikan u vra të hënën, nga një bombë e rebelëve në Bagdad, Irak. Shpërthimi ndodhi ndërsa makina ku gjendej ushtari po përshkonte një rrugë në jug të kryeqytetit. Kjo është viktima e 2406-të në radhët e ushtrisë amerikane që pas përmbysjes së Sadam Hyseinit.


Tiranë. Duke folur në seancën e sotme të parlamentit, kushtuar shkarkimit të prokurorit të përgjithshëm Theodhori Sollakut, kryeministri Berisha i bëri thirrje opozitës që të denonconte çdo rast korrupsioni ndër radhët e mazhorancës. Më tej, duke folur për kryeprokurorin e ri, Berisha tha se ai mund të caktohet edhe nga vetë opozita.


Grupi negociator i Kosovës miratoi dokumentin final me të cilin do të paraqitet në bisedimet e 4 dhe 5 majit në Vjenë. Sipas këtij dokumenti pala kosovare do të lejojë krijimin e dy njësive komunale në Mitrovicë si edhe ngritjen e disa të tjerave përqark këtij qyteti. Gjithashtu Grupi negociator është shprehur se nuk do të pranojë bisedime, që cënojnë karakterin unitar të Kosovës.










All the contents on this site are copyrighted ©.