2006-05-02 17:30:53

Për herë të parë Selia e Shenjtë dhe Patriarkana e Moskës organizojnë së bashku një takim kulturor në Evropë


( 02. 05. 06 R. V. )Më 3 deri më 5 maj në Vjenë do të mbahet takimi i parë i kulturës në Evropë, organizuar nga Selia e Shenjtë në bashkëpunim me Patriarkanën e Moskës “për t’i rikthyer shpirtin” Kontinentit.

 
Është hera e parë që Selia e Shenjtë dhe Patriarkana e Moskës organizojnë së bashku një takim kulturor në Evropë. Simpoziumi, me titull “T’i rikthehet shpirti Evropës” organizohet nga Këshilli Papnor i Kulturës dhe Departamenti për marrëdhëniet me botën e jashtme i Patriarkanës së Moskës.
Një komunikatë e dikasterit vatikanas nënvizon se ky takim është fryt i vizitës që kardinali Pupard i bëri Shenjtërisë së Tij, Aleksejt II, Patrik i Moskës, në nëntor të vitit 2004 dhe lindi nga shqetësimi i përbashkët i të krishterëve të Evropës për t’i bërë ballë procesit aktual të humbjes së identitetit të Kontinentit, për të reflektuar mbi rrënjët e krishtera të Evropës dhe për të propozuar me forcë një projekt për të ardhmen. Kultura – pohon nota – sipas largpamësisë së Gjon Palit II, që themeloi Këshillin Papnor përkatës - bëhet kështu një terren i përbashkët dialogu ndërmjet të krishterëve të konfesioneve të ndryshme. Takimi, i mundësuar nga Fondacioni “Pro Oriente”, do të bashkëkryesohet nga kardinali Pol Pupard, kryetar i Këshillit Papnor të Kulturës dhe nga metropoliti i Smolenskut dhe Kaliningradit, Kirill, kryetar i Departamentit për marrëdhëniet me botën e jashtme të Patriarkanës së Moskës. Në takim do të marrin pjesë specialistë nga mbarë Kontinenti, laikë e rregulltarë, të zgjedhur bashkarisht nga të dy organizmat.
Është një hap vërtetë i rëndësishëm përpara në rrugën ekumenike: kujtojmë se shkëmbimi më i freskët e i përzemërt i mesazheve ndërmjet Papës Benedikti XVI dhe Aleksejt II është ai i urimeve të Papës me rastin e ditëlindjes së Patrikut të Moskës. “Gjestet dhe fjalët e vëllazërisë së përtërirë ndërmjet barinjve të grigjës së Zotit – shkruante Benedikti XVI më 17 shkurtin e kaluar– na tregojnë se bashkëpunimi gjithnjë më i ngushtë në vërtetësi e në dashuri kontribuojnë për të rritur frymën e bashkimit, që duhet t’u prijë hapave të të gjithë të pagëzuarve. Bota e sotme – pohonte Papa – ka nevojë të dëgjojë zëra që i tregojnë rrugën e paqes, të respektit për të gjithë, të dënimit të çdo lloj dhune, të dinjitetit të çdo njeriu dhe të drejtave që i përkasin që nga lindja”.
Në letrën e përgjigjes, më 22 shkurt, Patriku Aleksej II e falënderonte përzemërsisht Papën për urimet e ngrohta dhe për kujtimin në lutje. Në kohën tonë, kur shekullarizmi po zhvillohet me vrull - nënvizonte Aleksej II – krishterimi gjindet përballë sfidave të rënda, që kërkojnë një dëshmi të përbashkët. Jam i bindur – përfundonte Patriku i Moskës - se një nga detyrat parësore të Kishave tona, që kanë vizion të përbashkët për probleme të shumta aktuale të botës bashkëkohore, duhet të jetë sot mbrojtja dhe afirmimi brënda shoqërisë i vlerave të krishtera, me të cilat njerëzimi jeton që prej më se njëmijë vjetësh.








All the contents on this site are copyrighted ©.