2006-05-01 17:47:39

Të mohosh Ringjalljen e Krishtit do të thotë ta bësh të kotë fenë tonë. Këtë kujtoi Papa në lutjen e Mbretëreshës Qiellore


( 01. 05. 06. R. V. )Të mohosh Ringjalljen e Krishtit do të thotë ta bësh të kotë fenë tonë. Këtë kujtoi dje Benedikti XVI, i cili gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore nënvizoi se Zoja e Bekuar është Nëna dhe Mësuesja e mbarë të krishterëve, në të gjitha kohërat.
Ngjallja e Krishti është zemra e fesë sonë; është një e vërtetë që duhet të shpallet me forcë: këtë pohoi dje Benedikti XVI gjatë lutjes së Mbretëreshës Qiellore në Sheshin e Shën Pjetrit që ishte mbushur me shtegtarë e besimtarë, si në të kremtet e mëdha. Më pas Shenjtëria e Tij kujtoi se sot fillon muaji i Majit kushtuar Virgjërës Mari. Është një periudhë e përshtatshme për të zbuluar rolin amtar që luan Zoja në jetën tonë – nënvizoi në vijim Ati i Shenjtë.
“Ta mundim mosbesimin”, që e provuan deri Apsotujt dhe “të besojmë në ngjalljen e Krishtit”: kjo është porosia e Benediktit XVI i cili në lutjen e Mbretëreshës Qiellore nënvizoi se në Kohën e Pashkëve liturgjia na nxit për ta përforcuar besimin tonë në Krishtin e Ngjallur. Prandaj kujtoi edhe këto fjalë të Shën Palit: “Në se Krishti nuk është ngjallur, atëherë i kotë është predikimi ynë e e kotë edhe feja jonë”. E kjo është një thirrje jashtzakonisht aktuale:
Ngjallja e Krishtit është shenja qëndrore dalluese e krishterimit, e vërteta themelore, që duhet ripohuar me forcë në çdo kohë, sepse ta mohosh, ashtu siç është provuar të bëhet e vijon të provohet, ose ta shndërrosh në një ngjarje pastërtisht shpirtërore, do të thotë ta bësh të kotë vetë fenë tonë”.
Papa kujtoi se në ditët që pasuan Ngjalljen e Zotit, Apostujt “rrinin gjithnjë bashkë, të ngushëlluar nga prania e Virgjërës Mari”. Zoja – theksoi Ati i Shenjtë – ishte për ta nënë e mësuese, rol që vijon ta luajë për të krishterët e të gjitha kohërave. E në Kohën e Pashkëve – vijoi Benedikti XVI – e rijetojmë më thellësisht këtë përvojë e ndoshta pikërisht për këtë arsye tradita popullore ia kushtoi Virgjërës Mari muajin e majit, që bie ndërmjet Pashkëve e Rrëshajëve. Më pas Ati i Shenjtë reflektoi kështu mbi muajin e majit:
“Ky muaj, që do ta fillojmë nesër, është i nevojshëm për të rizbuluar rolin amtar të Zojës së Bekuar në jetën tonë, që të jemi gjithnjë nxënës të urtë e dëshmitarë të guximshëm të Zotit të ngjallur. Virgjërës Mari – vijoi Ati i Shenjtë – ia besojmë nevojat e Kishës e të botës mbarë, posaçërisht në këtë çast të ngarkuar me të panjohura”.
Benedikti XVI foli edhe për Shën Jozefin, që Kisha katolike e kremtoi sot, duke kujtuar posaçërisht botën e punës, Pajtor i së cilës është Shenjti.
Pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa përshëndeti bashkësinë e Paraseminarit Shën Piu X në Vatikan, kushtuar shenjtërimit të klerit, me rastin e 50-vjetorit të themelimit. Gjatë përshëndetjes në gjuhën angleze, foli kryesisht për lumnimin në Indi të don Agostin Thevarparampil-it. Në përfundim u kujtoi polakëve takimin në Poloni, ku do të shkojë në fund të majit, muajit kushtuar devocionit marian. Të shumtë ishin dje në Shesh edhe grupet e italianëve, të cilëve Papa u drejtoi fjalë plot përzemërsi. Ndërmjet tyre, Klubi automobilistik “Pasioni i kuq”. Kishte sjellë në Sheshin e Shën Pjetrit dhjetra Ferrari, që dallohehsin mirë ndërmjet turmës së pafund, për shkak të ngjyrës së tyre të kuqe flakë.







All the contents on this site are copyrighted ©.