2006-05-01 17:42:09

Bota kremtoi 1 Majin duke menduar per persona qe jane papune


RealAudioMP3 (1.05.'06. R.V.) 1 maji u kremtua në të gjithë botën: të shumta manifestimet për festën e punëtorëve, ndërsa mbetet i lartë numri botëror i të papunëve, të cilët në fund të vitit 2005 kanë arritur në 191, 8 milionë.
Janë, pra, 191, 8 milionë njerëz të papunë në mbarë botën, sipas statistikave të fundit të Zyrës Ndërkombëtare të Punës për vitin 2005. Numri është rritur me 2, 2 milion vetë në krahasim me vitin e mëparshëm e, ajo që të shqetëson më tepër, është se shumica e të papunëve janë të rinj të moshës 15 deri në 24 vjeç. Ndërmjet zonave më të rrezikuara nga papunësia, vendet e para i zënë Lindja e Mesme dhe Afrika e Veriut, ku vitin e kaluar është regjistruar një përqindje papunësie e barabartë me 13, 3%. Më pozitiv është bilançi në zonat e zhvilluara të Bashkimit Evropian, ku përqindja e të papunëve në vitin 2004 ishte 7, 1% , në 2005-ën, 6, 7%. Ky është kuadri i këtij 1 maji, që u kremtua kudo me manifestime të njerëzve të punës. E themeluar në vitin 1889, në kujtim të 11 njerëzve të vdekur në Çikago tri vjet para kësaj date, gjatë një manifestimi me rastin e 1 majit, festa e punëtorëve tashmë është bërë universale.
Ndërmjet festimeve kryesore, kujtojmë sfidën e punëtorëve të Kamboxhias, që parakaluan me mijëra nëpër rrugët e Pnom Penit, duke iu përgjigjur kështu me rebelim, vendimit të qeverisë për të ndaluar çdo lloj manifestimi. Para se të ndaloheshin nga policia, përballë Parlamentit, manifestuesit, shumica punëtorë të industrisë tekstile, parashtruan kërkesat e tute për rritjen e pagës dhe pakësimin e orëve të punës.
Të njëjtat kërkesa ishin në qendër të vëmendjes edhe në manifestimet në Tailandë, ku mijëra punëtorë dolën në rrugët e Bangkokut për të kërkuar rritjen 25% të pagave më të ulta. Ndërmjet tyre u radhitën edhe mijëra fëmijë, që protestuan kundër punës të të miturve, plagë e vërtetë shoqërore në këtë vend.
Xhakartë të Indonezisë, më se 21 mijë policë ishin të pranishëm në manifestimin e organizuar nga sindikatat kundër një emendamenti ligjor të vitit 2003 që heq të drejtën e kompensimit në rast pushimi nga puna.
Në Filipine, e kryesisht në Manilë, punëtorët kërkuan më shumë siguri në vendet e punës dhe shprehën pakënaqësinë kundër presidentes Gloria Arroio, së cilës i kërkuan të japë dorëheqjen.
Në Japoni, ku qeveria nuk e ka njohur kurrë 1 majin si festë, vetëm disa sindikata të vogla u përpoqën ta përkujtojnë ditën e punëtorëve, ndërsa pikërisht sot u përhap lajmi se kolosi i telekomunikacionit NTT ka hedhur në gjyq Ministrinë e Punës. Në qëndër të procesit: prerja e pensioneve për 140 punëtorë.
E akoma: gjatë manifestimit nëpër rrugët Kuala Lumpurit në Malejzi, vend ku vetëm gjatë vitit 2005 janë pushuar nga puna 16 mijë vetë, punëtorët kërkuan nga qeveria t’i japë fund korrupsionit në Administratën Publike, të hartojë ligjin mbi pagën më të ultë dhe të ndalojë abuzimet në përdorimin e emigrantëve si krah i lirë pune.
Po kalojmë në Rusi, e pikërisht në Moskë, ku sot paradite rreth 25 mijë veprimtarë sindikalistë manifestuan para monumentit të Leninit duke kërkuar një shtet shoqëror më të fortë.
Ndërkaq në zonat e luftës, si në Bagdad, ku ekziston rreziku i atentateve, manifestimet u ndaluan. Megjithatë presidenti Xhelal Talabani ripohoi “se rendi i ri do t’ua garantojë të gjithëve dinjitetin e punës”.
Protesta pati edhe në Palestinë, ku Bashkimi i Sindikatave denoncoi vendimin e sotëm të qeverisë së Jeruzalemit për të ndaluar hyrjen e punëtorëve palestinezë në në Izrael, nga frika se ndërmjet manifestuesve mund të fshiheshin edhe terroristë vetëvrasës.
E, më në fund, arrijmë në Evropë: këtë vit 1 maji përkon me heqjen e disa pengesave për qarkullimin e lirë të punëtorëve në Finlandë, Spanjë e Portugali dhe me progresin drejt një tregu pune më të hapur. Këtë e kujton, në një dokument, Konfederata e Sindikatave të 25 vendeve të BE-së, duke saktësuar se 2006-ta është viti i mobilizimit të punëtorëve, që kërkojnë mbrojtje më të mirë shoqërore,1 maji është dita në të cilën sindikalistët e botës mbarë manifestojnë solidaritetin dhe impenjimin e tyre në favor të luftës aktuale për progresin shoqëror dhe për krijimin e kushteve të përshtatshme të jetës e të punës për të gjithë – komentoi Xhon Monks, sekretar i përgjithshëm i Konfederatës.







All the contents on this site are copyrighted ©.