2006-05-01 17:47:06

Benedikti XVI në Shenjtëroren e Zojës së Dashurisë Hyjnore


(01. 05. 06 R. V. )Sot, dita e parë e majit, muaj kushtuar Zojës së Bekuar, Benedikti XVI duke vizituar Shenjtëroren e Dashurisë Hyjnore në Romë, ku tha Rruzaren Shenjte, kujtoi viktimat e së enjtes së kaluar në Nasiri, u lut që bota të çlirohet nga luftërat e nga terrorizmi dhe përsëriti me forcë ftesën e Enciklikës së tij “Deus Caritas est”: ‘Ta jetojmë dashurinë e kështu të bëjmë të hyjë drita e Hyjit në botë!’.
Papa Benedikti XVI deshi ta fillojë kështu muajin kushtuar Zojës e Rruzares së Saj. Nuk është hera e parë që shkon në këtë Shenjtërore tepër të dashur për romakët. Ka shkuar shumë herë si shtegtar, kur ishte kardinal, ndërsa tani u rikthye këtu si papë.
Ati i Shenjtë arriti në Shenjtërore me helikopter rreth orës 17. 15. E pritën kardinali Kamilo Ruini, ipeshkvi–ndihmës i zonë jugore romake, imzot Paolo Skiavo, rektori, Imzot Paskuale Sila dhe dy familjet rregulltare, Bijtë dhe Bijat e Zojës së Dashurisë Hyjnore, të ngarkuara për kujdesin baritor të Shenjtërores. Pak pas arritjes në Shenjtëroren e vjetër, Papa i priu Rruzares Shenjte, në përfundim të së cilës përshëndeti besimtarët e mbledhur me shumicë rreth Tij, duke e konsideruar një ngushëllim të posaçëm praninë në këtë vend e duke theksuar se vendosi ta bëjë këtë vizitë në kujtim të Paraardhësit të tij të dashur, Gjon Palit II i cili e vizitoi për herë të parë këtë Shenjtërore para 27 vjetësh, ditën e parë të muajit maj 1979.
Më pas Benedikti XVI u ndal tek përfytyrimet që shoqëruan misteret e galdimit, në sa thuhej Rruzarja, që nga fillimet e shëlbimit, nga zënia e Jezu Krishtit për virtyt të Shpirtit Shenjt në kraharorin e Virgjërës Mari, tek gjetja e Krishtit në tempull të Jeruzalemit. Kujtoi më pas fjalët e Engjëllit: ‘ Të falem Mari, hirëplote, Zoti është me ty” e edhe shprehjet me të cilat Shën Elizabeta e priti Virgjërën, që kishte shkuar ta ndihmonte: “Bekuar je mbi të gjitha gratë e i bekuar është fryti i barkut tënd, Jezus”. Kundruam – vijoi Ati i Shenjtë - fenë plot bindje të Marisë, që e lëshon veten plotësisht në duart e Zotit. E ndjemë veten si barinjtë, pranë Krishtit Fëmijë në grazh dhe njohëm e adhuruam në Të, Birin e amshuar të Hyjit, që për dashuri u bë vëllau ynë e Shëlbuesi ynë i vetëm. Kështu me radhë Papa përshkoi skenat e medituara gjatë mistereve të galdimit e në vijim u ndal tek titulli i Dashurisë Hyjnore, me të cilin nderohet Zoja në këtë Shenjtërore. Ky titull – shpjegoi Papa - vë plotësisht në dukje lidhjen e Marisë me Shpirtin Shenjt që nga fillimi i jetës. Që në zënien e saj – tha Benedikti XVI - Shpirti Shenjt, dashuria e amshuar e Atit dhe e Birit, zuri vend në të dhe e ruajti nga çdo hije mëkati e pastaj i njëjti Shpirt bëri që nga kraharori i saj të lindte Biri i Hyjit. Kështu në jetën e Virgjërës Mari u përmbush plotësisht fjala e Saj: “Ja, jam shërbëtorja e Tënzot!”.
Më pas Benedikti XVI kujtoi se gjatë muajit maj shtohet numri i shtegtarëve që vizitojnë Shenjtëroren, ashtu si shtohet në të gjitha shenjtëroret mariane të botës, dhe theksoi: “Nga kjo Shenjtërore e Dashurisë Hyjnore presim ndihmë e mbështetje shpirtërore për dioqezin e Romës, për të gjithë ata që i shërbejnë, për familjet, për thirrjet meshtarake, për të varfërit, të vuajturit, për fëmijët e pleqtë e për të gjithë kombin italian.
Duke kujtuar ndjetin që patën bërë romakët më 4 qershor 1944, kur iu lutën Zojës ta shpëtonte Romën nga tmerret e luftës e Ajo ua dëgjoi lutjen, Papa i ftoi besimtarët për një ndjet të ri, për të qortuar e për të përmirësuar sjelljen morale, për t’i përngjarë më shumë Jezusit, duke pasur parasysh se edhe sot ndjehet fuqimisht nevoja për t’u penduar para Zotit, Zotit Dashuri, që bota të çlirohet nga luftërat e nga terrorizmi. E këtë – nënvizoi Papa – na e kujtojnë viktimat, siç janë ushtarakët e rënë të enjten kaluar në Nasisri, në Irak, të cilët ia besojmë ndërmjetësisë së Marisë, Mbretëreshës së paqes.
Nga Shenjtërorja e Dashurisë Hyjnore, Benedikti XVI përsëriti me forcë ftesën e bërë në Enciklikën e tij “Deus Caritas est” (n. 39): ta jetojmë dashurinë e kështu të bëjmë të hyjë drita e Hyjit në botë!
Më pas Benedikti XVI vizitoi privatisht Shenjtëroren e re, që u përurua nga Gjon Pali II në prag të Vitit Shenjt 2000, për t’u kthyer në Vatikan rreth ores 19.
Gjon Pali II e ka vizituar tri herë Shenjtëroren e Dashurisë Hyjnore: më 1 maj 1979, kur krezmoi një grup fëmijësh të famullisë; më 7 qershor 1987, për të hapur vitin e jashtzakonshëm marian në kuadrin e Jubileut të Madh të 2000-it dhe me 4 korrik 1999, për shugurimin e Shenjtërores së re.
Historia e kësaj Shenjtëroreje lidhet me një mrekulli që i ndodhi një kalimtari, ndoshta ndonjë shtegtari që ishte nisur të vizitonte bazilikën e Shën Pjetrit. Ishte viti 1740. Shtegtari kishte humbur rrugën në fushën rreth Kastel di Leva, që të ngjallte frikë e pasiguri. Papritmas u sulmua nga një lukuni qensh të egër. Atë ças mbi pirgun e një kështjelle, fare pranë vendit ku ndodhej, pa figurën e Virgjërës Mari me Krishtin Fëmijë e, mbi kokën e tyre, një pëllumb, simbol i Shpirtit Shenjt. Pa pra, Dashurinë Hyjnore. Iu lut me gjithë zemër Zojës ta shpëtonte. S’e kishte kryer ende uratën, kur vërejti se qentë u ndaluan papritmas, sikur dikush t’u kishte dhënë një urdhër misterioz. Që nga ky çast fama e mrekullisë, e para e një vargu të gjatë e të paprerë, u përhap me shpejtësi e aty nisën të vinin shtegtarë të panumërt, ditën e natën. Ata nisën ta thërrisnin Virgjërën me titullin “Zoja e Dashurisë Hyjnore”, që shpall amësinë e saj për virtyt të Shpirtit Shenjt. Shenjtëroja e vjetër u ndërtua në vitin 1744, sipas projektit të arkitektit napoletan Filip Raguzini, për të vendosur aty figurën e mrekullueshme dhe u shugurua gjatë Vitit Shenjt 1750, pikërisht më 31 maj, nga kardinali Karlo Rezoniko, papa i ardhshëm Klementi XIII. Gjatë dy shekujve që pasuan devocioni i romakëve për Zojën e Dashurisë Hyjnore u bë gjithnjë më i flaktë aq sa, gjatë Luftës II Botërore, ia besuan mbrojtjes së saj Qytetin e Amshuar, që rrezikohej të bëhej rrafsh me tokë nga bombardimet e nisura në lagjen e Shën Lorencit. Duke iu përgjigjur thirrjes së Piut XII, besimtarët u mblodhën më 4 qershor 1944 në Kishën romake të Shën Injacit, ku ishte sjellë figurja e Zojës nga Kastel Di Leva, për t’iu lutur ta çlironte Romën. Atë ditë romakët bënë kushtin të rindërtonin kishën e re të Dashurisë Hyjnore. Të nesërmën gjermanët u larguan papritmas nga Roma. Zoja e kishte dëgjuar lutjen e romakëve të cilët, nga ana e tyre, nuk harruan t’ia ndërtonin Shenjtëroren e re, që zë 2 mijë besimtarë e ka dy elemente karakteristike: elterin, një bllok mermeri të bardhë Karrare e kapelën e adhurimit, ku besimtari lutet përballë skulpturës së Sakramentit; një buke të praruar!







All the contents on this site are copyrighted ©.