2006-04-28 17:45:27

Dhimbja e Papës për ushtarakët që vdiqën dje në Nasiri; sot në Irak u vranë të paktën 60 vetë


( 28. 04. 06 R. V. )Telegram në emër të Papës për të vdekurit në Nasiri, ndërsa sot në Irak përsëritet buletini i gjakut: vdesin të paktën 60 vetë.
Duke dhënë njoftimin për telegramin, përmes të cilit Papa shpreh dhimbjen e tij të thellë për vrasjen në Nasiri të 4 ushtarakëve, tre italianë e një rumun, marrim një njoftim tjetër mortor nga Iraku. Bëhet fjalë për vdekjen e dhjetra njerëzve, e pikërisht të 49 kryengritësve, 15 ushtarëve qeveritarë dhe dy civilëve.
Në telegramin e kardinalit Angelo Sodano drejtuar, në emër të Papës, imzot Angelo Banjaskos, Ipeshkëv ushtarak për Italinë, dënohet ashpër akti i ri tragjik, që i shtohet sa e sa akteve të tjera, të luajtura në skenën e gjakosur të Irakut. Në sa kujton se ushtarakët e vrarë në Nasiri ishin të impenjuar në kryerjen fisnike të misionit të paqes, Papa e shikon këtë masakër si pengesë të re në rrugën e harmonisë e të rilindjes së këtij vendi të trazuar. Benedikti XVI i siguron familjarët e viktimave se ndjehet shpirtërisht pranë tyre në një ças të tillë zije që po jetohet edhe nga forcat e armatosura italiane e rumune si dhe nga bashkësitë e të dy vendeve. Më pas mendimi i Papës shkon tek jetët e këputura në lule të moshës, por edhe tek të plagosurit, civilët e ushtarakët e impenjuar në detyrën e guximshme në shërbim të një popullsie kaq të vuajtur.







All the contents on this site are copyrighted ©.