2006-04-27 17:46:07

Trashëgimia e vlerave të krishtera e shpirtërore është e përbashkët: këtë theksoi kardinali Martino para Akademisë Diplomatike të Vjenës mbi lirinë fetare në Evropën e re


RealAudioMP3 ( 27. 04. 06 R. V. )"Vlerat e krishtera dhe shpirtërore janë pasuri e përbashkët”: këtë theksoi kardinali Martino në një fjalim mbajtur para Akademisë Diplomatike të Vjenës mbi lirinë fetare në Evropën e re, në një vizion korrekt të laicitetit të shtetit.
‘Asnjanësia ideologjike e shtetit nuk duhet ngatërruar me pretendimin për asnjanësi etike, gjë që krijon rrezikun e sundimit të më të fortëve mbi më të ligështit dhe të interesave të veçanta mbi interesat e përbashkëta’. Këtë pohoi me forcë kryetari i Këshillit Papnor të Drejtësisë dhe Paqes, duke folur sot paradite në Akademinë Diplomatike të Vjenës, në përfundim të shtegtimit të kryer këto ditë në kryeqytetet e Kroacisë, Hungarisë e Austrisë për paraqitjen e Përmbledhjes së Doktrinës Shoqërore të Kishës katolike, botuar nga dikasteri. Në fjalimin vjenez mbi temën “Feja në hapësirën publike: liria fetare në Evropën e re”, kardinali denoncoi se edhe në vendet demokratike e liberale, nuk respektohet gjithnjë e drejta për lirinë fetare dhe ripohoi se liria e fesë është garancia e parë për krjimin e kushteve që të drejtat e njeriut të mos vendosen mbi rërën e marrëveshjeve, por mbi shkëmbin e themelit të mbinatyrshëm.
Prandaj, respektimi nga ana e shtetit e të drejtës së lirisë fetare është shenjë që tregon se respektohen edhe të drejtat e tjera themelore, duke pasur parasysh se liria fetare e kapërcen përmasën politike të jetës.
Si hodhi poshtë konceptin e laicitetit, që e përjashton fenë nga jeta publike, për ta ngushtuar thjeshtë në sferën private, kardinali Martino ripohoi se një regjim politik vërtetë laik, nuk mund të mos pranojë që të krishterët të sillen si të krishterë në shoqëri, pa pasur nevojë të maskohen si njerëz çfaretdo, ashtu si edhe që Kisha t’i shprehë haptazi vlerësimet e veta mbi problemet e mëdha etike që vihen në lojë. Kjo është në interes të vetë politikës – shtoi kryetari i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes - sepse kur kjo përpiqet të jetojë sikur Zoti të mos ekzistonte, në fund të fundit nuk mund të mos e humbasë vetëdijën e pacënueshmërisë së dinjitetit njerëzor. Para se të mbante këtë fjalim me rëndësi, kardinali Martino, që u kthye sonte në Romë, takoi presidentin e Republikës austriake, Hainz Fisher dhe kryetarin e Parlamentit, Andreas Kol.







All the contents on this site are copyrighted ©.