2006-04-27 19:30:15

Selia e Shenjtë dënoi sot atentatet e fundit që përgjakën Tokën e Shenjtë, Egjiptin dhe Irakun.


RealAudioMP3 (27.04.'06. R.V.) Dhimbja dhe solidariteti i Atit të Shenjtë me familjet e viktimave u shpreh nga Sekretari për Marrëdhëniet me Shtetet Imzot Gjovani Lajolo.
Atentati i sotëm ndaj trupave italiane në Irak ishte i fundit i një vargu të gjatë që këto ditë tronditën Lindjen e Mesme dhe Egjiptin. Mbi këtë valë të re dhune që përfshiu këto vende, në mikrofonin e Radio Vatikanit, flet kryeipeshkëvi Gjovani Lajolo.
"Bëhet fjalë për akte dhune shumë të rënda, për të cilat s’ka shfajësim dhe rrethana lehtësuese. Dahabi na sjell ndërmend dy qytete të tjera turistike egjiptiane, që u goditën në të kaluarën: Tabën, ku në tetor të 2004 humbën jetën 34 persona dhe Sharm el Shaikun, ku në korrik të 2005 pati më shumë se 60 të vdekur. Ndërsa atentati i sotëm i Nasirisë na kujton sakrificën e 19 italianëve (12 karabinierë, 5 ushtarakë dhe 2 civilë) me 12 nëntor 2003 në të njëjtin qytet.
Por jemi veçanërisht të tronditur nga lajmet që vijnë nga Iraku, ku çdo ditë ndodhin akte mizore e barbare, që duket se s’kanë të sosur dhe ngadalësojnë procesin demokratik në këtë vend. Nuk mund të harrojmë as aktet terroriste në Tokën Shenjte, që gjithnjë na mbushin me indinjatë dhe llahtar. Edhe pse e pranojmë se rrethanat janë të ndryshme, ashtu sikurse të ndryshme janë edhe mendjet që i kurdisin këto akte dhune, dënimi i atentateve duhet të jetë i njëzëshëm dhe i palëkundur. Në asnjë rast nuk mund të justifikohet përdorimi i dhunës ndaj të pafajshëmve dhe nuk mund të flitet për “sakrifikim” nga ana e atentatorëve, cilido qoftë motivi që i shtyn të veprojnë në një mënyrë kaq çnjerëzore".







All the contents on this site are copyrighted ©.