2006-04-26 17:06:24

Në audiencën e sotme të përgjithshme Benedikti XVI theksoi se Shpirti Shenjt i bashkon të krishterët e të gjitha epokave. Thirrja e Papës 20 vjet pas shpërthimit të Çernobilit: qeveritë të impenjohen për paqen dhe mbrojtjen e Gjithësisë


RealAudioMP3 ( 26. 04. 06 R. V. )Sot, në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, Benedikti XVI theksoi se bashkimi i Kishës ruhet në historinë e Shpirtit Shenjt dhe trashëgohet brez pas brezi nga ipeshkvijtë. Në 20 vjetorin e tragjedisë së Çernobilit, Papa bëri thirrje për impenjim ndërkombëtar në shërbim të Gjithësisë.
“Tradita apostolike është një nga shtyllat, mbi të cilat mbështetet jeta e Kishës: traditë e cila, përmes Shpirtit Shenjt, u krijon të gjitha breznive të të krishterëve mundësinë të jetojnë të njëjtin bashkim me Krishtin, që jetoi bërthama e parë e Kishës”. Ky ishte dhe mësimi qëndror i katekizmit të Benediktit XVI në audiencën e përgjithshme që u mbajt sot paradite, në praninë e 50 mijë besimtarëve. Papa e përfundoi audiencën me një thirrje në kujtim të tragjedisë së Çernobilit, që ndodhi 20-vjet më parë, e pikërisht më 26 prill, duke kërkuar impenjim ndërkombëtar në shërbim të Gjithësisë e të paqes.
Dymijë vjet epoke të krishterë, fytyrash, përvojash të jetuara së bashku si një familje e vetme me forcën e Shpirtit Shenjt deri në atë pikë, sa hiri i provuar nga Apostujt e nga besimtarët e orëve të para të Kishës, mund të jetohet në mënyrë po aq të plotë edhe këtu e tani e përgjithmonë e jetës. Është një mister i fesë së krishterë ky i bashkimit kishtar, që i kapërcen kufijtë e hapësirës e të kohës. Një mister për të cilin foli sot Benedikti XVI, duke theksuar vlerën e Traditës apostolike dhe të Shpirtit që e gjallëron:
Për virtyt të Shpirtit Shenjt përvoja e Krishtit të Ngjallur, e jetuar nga bashkësia apostolike në zanafillën e Kishës, mund të jetohet gjithnjë nga breznitë e reja, sepse transmetohet dhe vihet në jetë në fe, në kult e në bashkimin e popullit të Zotit. Kështu edhe ne tani, në kohën e Pashkëve, e jetojmë takimin me Krishtin e Ngjallur. Nuk është thjeshtë diçka që i përket së kaluarës, por përmes bashkimit të fesë, të liturgjisë, të jetës së Kishës, është realitet i pranishëm, që duhet ta vemë në jetë”.
Në orën e vendimeve solemne për jetën e Kishës, Shpirti Shenjt është i pranishëm – nënvizoi Papa. Kisha ecën dhe rritet në frikën e Zotit, përplot me ngushëllimin e Shpirtit Shenjt. E Tradita Apostolike qëndron – vijoi Papa - pikërisht në këtë transmetim të pasurive të shëlbimit, që jetohet vazhdimisht nga bashkësia e krishterë, në forcën e Shpirtit të bashkësisë së zanafillës.
“Tradita pra, është bashkimi i besimtarëve rreth barinjve të ligjshëm në rrjedhën e historisë... Tradita nuk është transmetim sendesh ose fjalësh, koleksion gjërash të vdekura; tradita është lum i gjallë që na lidh me zanafillën. Është lum i madh, që na çon në portin e amshimit. Duke qenë kështu, në këtë lum të gjallë vërtetohet gjithnjë fjala që kemi dëgjuar në fillim, Fjala e Zotit: ‘Unë jam me ju në të gjitha ditët e jetës, deri në fund të fundit të botës’.
Pas përmbledhjes së katekizmit në dhjetë gjuhë të ndryshme, Benedikti XVI e përqëndroi vëmendjen tek një përvjetor që e vë, posaçërisht Evropën, para reflektimeve të rëndësishme: është fjala për tragjedinë e Çernobilit. Duke kujtuar 20-vjetorin e shpërthimit në centralin bërthamor të ish-Bashkimit Sovjetik, Papa shprehu vlerësimin e tij për familjet, shoqatat, administratat civile dhe bashkësitë e krishtera që – siç u shpreh vetë Ati i Shenjtë – gjatë gjithë këtyre viteve, bënë çmos për t’i mikpritur e për t’i mjekuar të rriturit, por sidomos fëmijët e prekur nga pasojat e kësaj ngjarjeje kaq të dhimbshme:
“Ndërsa lutemi përsëri për viktimat e një fatkeqësie kaq të rëndë dhe për ata që i kanë në trup shenjat e saj, kërkojmë nga Zoti hirin t’i ndriçojë mendjet e atyre që përgjigjen për fatet e njerëzimit, në mënyrë që me përpjekje të përbashkëta, të vihet çdo energji në shërbim të paqes, duke respektuar kërkesat e njeriut e të natyrës”. Në çastin e përshëndetjeve përfundimtare, Benedikti XVI iu drejtua, ndërmjet të tjerëve, 4 mijë përfaqësuesve të Bashkësisë Misionare të Villaregjias, që dje kremtoi 25-vjetorin e themelimit me një Meshë të kryesuar nga kryeipeshkvi Stanislao Rilko, kryetar i Këshillit Papnor për Laikët. Këtyre si dhe grupeve të tjera, ndërmjet të cilave anëtarët e Veprës të Shpërblimit Hyjnor, Papa u uroi ta shpallin me zell të ri apostolik Ungjillin e dashurisë, duke u impenjuar të jenë në çdo mjedis, dëshmitarë të dashurisë së Zotit e mjete të paqes së Tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.