25 prill, festa e Shën Markut, krijuesit të gjinisë letrare të ugjillit i cili, në
librin e tij, mblodhi mësimet gojore të Pjetrit
( 25. 04. 06 R. V. )Një pjesë të mirë të jetës e kaloi duke ndjekur Apostujt kryesorë,
Palin më parë e pastaj edhe Pjetrin – si bashkëpunëtor i predikimit të tyre. Pastaj,
si vdiq Pjetri, ishte ai që i priu veprimtarisë apostolike. Këtë na tregon tradita
për Shën Markun, autor i Ungjillit më të lashtë, festën e të cilit e kremtoi sot Kisha
katolike.
Është viti 64 pas Krishtit. Mbi një kodrinë të Romës, pranë Rrugës
Kornelia, që njihej si Kodra e Vatikanit, zhvillohet një ngjarje tepër prekëse. Trupi
i një njeriu të kryqëzuar varroset në një gropë të hapur në varrezën e vogël, pranë
cirkut privat të Neronit, që ngrihet po në këtë kodrinë. Në arenën e këtij Cirku,
pak orë më parë, ndërmjet gjamëve të hatashme të qindra të krishterëve të torturuar
mizorisht, ka vdekur ai që solli në Romë lajmin e shëlbimit të Krishti: Simoni, i
thirrur Pjetër, peshkatar nga Galileja. Nuk është e vështirë të përfytyrojmë, në grupin
që varros dëshmitarin e parë të Nazarenit, edhe praninë e një njeriu, një farë Gjoni,
që njihej me emrin Mark. Për të krishterët e parë Marku, prej kohe ndjekës i Palit
të Tarsit, është dishepulli të cilin Pjetri, në një letër të tij, e quan përzemërsisht
‘biri im’ (1 Pt. 5, 13). Marku është sekretar që di greqisht, që mund të shërbejë
si përkthyes e, për më tepër, i njeh më mirë se të gjithë, mësimet gojore të Apostujve
të parë. Papia i Gjerapolit, një nga ipeshkvijtë e parë të krishterë, kujton mësimet
një farë “presbiteri” me emrin Gjon. Shkruan: “Marku, përkthyes i Pjetrit, shkroi
gjithçka që kujtonte, si fjalët, ashtu edhe veprat e Zotit Jezus, pa i kushtuar kujdes
rendit të ngjarjeve”. Por ky njeri, që vite me radhë jetoi nën hijen e kryetarit
të Kishës së lindur në Jeruzalem, ishte shumë më tepër se një kopist: ishte njëri
nga të katër Ungjilltarët e Mëdhej, që na la trashigim Ungjillin, i cili njihet me
emrin e tij: Ungjilli i Shën Markut. Pas vdekjes së Apostullit, Markun nis të
shkruajë në mënyrë të rregullt tregimet e Pjetrit. E kryen librin e tij rreth vitit
70 pas Krishtit. Titulli është To Euaggelion, Lajmi i mirë. Kështu i pari nga të katër
Ungjijtë, më i lashti, u bë realitet. Ai që të gjithë e pandehnin thjeshtë kopist,
kishte krijuar një gjini krejt të re letrare. E edhe në se, në vijim, prototipi do
të tejkalohej për stil, ndërtim e dendësi njoftimesh, nga Ungjijtë e tjerë kanonikë,
gjithsesi në të ndjehet shija e predikimit të parë të krishterë. Marku e shkroi për
të krishterët me origjinë pagane, për t’iu përgjigjur pyetjes ‘Kush është Jezusi?’
e për të dhënë përgjigjen ‘Jezusi është Mesia’. E Ungjilli i Markut arrin të na bindë
plotësisht për këtë, posaçërisht kur na përshkruan flijimin e Krishtit në Kryq. Zëri
i të krishterëve të rinj në Ungjillin e tij shprehet përmes mahnitjes së Çenturionit
mbi Kalvar, që thërret: “Vërtetë ky njeri ishte Biri i Hyjit!”. Në gjurmët e Pjetrit,
Marku tani bëhet predikatar. Për ca kohë, së bashku me Pjetrin, pati jetuar e vepruar
në Akuilea, në ato troje të lindjes italiane, me të cilat do të lidhej ngusht emri
i tij. Më pas i erdhi radha Aleksandrisë, apostullimit në Cirenë, gjë që e pasqyrojnë
mrekullisht bukur disa nga pikturat e famshme të Tintoretos. Si kthehet në Aleksandri,
edhe për Markun arrin ora e martirizimit. Trupi i tij mbetet në këtë qytet deri në
vitin 828, kur sundimtari arab vendos ta rrenojë shenjtëroren ku ruheshin reliket
e Ungjilltarit, për t’i përdorur mermerin dhe shtyllat në ndërtimin e një pallati
në Babiloni. Nga frika e dhunimit të relikeve, dy tregtarë venedikas, Buono nga Malamoku
dhe Rustiku nga Torçelo vendosën ta merrnin tinëz trupin e ungjilltarit e ta sillnin
në Itali, të fshehur ndërmjet koshave, ku kishin shtënë derrkuca, për të shmagur rrezikun
e kontrollit nga ana e myslimanëve. Venediku do të bëhej, kështu, qyteti i Shën Markut!