2006-04-24 17:11:36

U përuruan dy kishat e para të Indisë kushtuar së Lumes Nënë Terezë


( 24. 04. 06 R. V. )U përuruan këto ditë në Nju Deli dhe në Mangalore dy kishat e para të Indisë kushtuar së Lumes Nënë Terezë.
Kisha indiane kremtoi këto ditë lindjen e dy kishave të reja, të parat në Indi, kushtuar së Lumes Nënë Terezë. Siç njofton agjensia AziaNjuz, ndërtesa e parë u përurua të shtunën e kaluar në Parparganj, zonë shumë popullore në krahun lindor të Nju Delit, nga kryeipeshkvi i qytetit, imzot Vincent Majkëll Konçesao. E Lumja Nënë Tereza – tha prelati – është bërë simbol i mëshirës së Zotit për më të varfërit ndër të varfër e jam tepër i lumtur që u zgjodh Pajtore e kishës. Ky vend i ri kulti – pohoi ipeshkvi ndihmës i Nju Delit – mund të bëhet mjet shumë i rëndësishëm në duart e Zotit, sepse mund t’i prijë popullit drejt bashkimit në figurën e Krishtit e mund t’i ndihmojë njerëzit ta dëshmojnë fenë e krishterë.
Kisha tjetër u përurua sot në Mangalore, “kështjellë e katolicizmit” në shtetin jugor të Karnatakës, nga ipeshkvi i qytetit, imzot Aloizius Paul D’Suza. Kisha u ngrit falë përpjekjeve të “Fondacionit për kishën e së Lumes Terezë”, në të cilin përfshihen të gjithë besimtarët e famullisë të Indraprastha, që janë mobilizuar për të mbledhur fondet e nevojshme. Jemi të kënaqur – tha Izmot D’Suza - sepse ia dolëm mbanesh të ndërtojmë një kishë, që i kushtohet një Shenjtoreje të cilën e kemi parë dhe e kemi njohur”.
Në sa flasim për këto Kisha në Indinë e largët, lind natyrshëm pyetja: Po në Shqipëri? Në vendlindje të së Lumes Terezë?.
Sigurisht edhe në Shqipëri ka një Kishë, madje një katedrale, kushtuar së Lumes: është katedralja e dioqezës së Sapës. E kjo të nxit të dëshirosh që në të ardhmen në trojet shqiptare të lartohen edhe kisha të tjera kushtuar së Lumes, që e kemi parë të gjithë, që e kemi njohur e që vijojmë ta njohim përmes veprës së saj, e cila jeton ndër simotrat e sivëllezërit e Kongregatës të Bamirësisë, themeluar prej së Lumes shqiptare. 







All the contents on this site are copyrighted ©.