2006-04-21 17:18:19

Në 2759-vjetorin e ditëlindjes së Qytetit të Amshuar, komuna e Romës dha një koncert për nder të Benediktit XVI


( 2. 04. 06 R. V. ) RealAudioMP3 Në përvjetorin e 2759-të të ditëlindjes së Romës, administrata kapitoline dha sonte në Auditorin-Park të Muzikës, një koncert për nder të Benediktit XVI, në praninë e Atit të Shenjtë dhe të Presidentit të Republikës Italiane, Karlo Axelio Çampi.
Qyteti i Amshuar kremtoi sot ditëlindjen e vet të 2759-të. Me këtë rast komuna e kryeqytetit italian dha një koncert për nder të Ipeshkvit të Romës, Benediktit XVI, që u kthye nga Kastel Gandolfo, për të arritur pak para orës 18 në Auditorium, ku e prisnin autoritetet më të larta të kryeqytetit si dhe presidenti i Republikës italiane, Çampi.
“Bavaria e Roma kanë pasur gjithnjë marrëdhënie të mira gjatë shekujsh. Ungjilli arriti në Bavari pikërisht nga Roma”. Janë fjalët që u tha Papa Racinger bashkatdhatarëve të tij, duke i pritur në audiencë në Vatikan, më 25 prill të vitit 2005, gjashtë ditë pas zgjedhjes në papni. U shpjegonte kështu lidhjen e posaçme të tokës ku lindi, me qytetin, ipeshkëv i të cilit është tani. Por, që para se të bëhej Pasardhës i Shën Pjetrit, Kardinali Jozef Racinger mund të quhej bir i adoptuar i Romës, ku ka jetuar 23 vjet në krye të Kongregatës për Doktrinën e Fesë.
Në Koncertin e sotëm, organizuar nga Akademia Italiane e Shën Çeçiles, morën pjesë orkestra dhe kori, drejtuar nga Mjeshtri Vladimir Jurovski dhe sopranoja Edita Gruberova, që luajtën pjesë të njohura dhe arie nga krijimtaria e Volfang Amedeus Mozart.
Ipeshkvi i Romës, dashuronjës i madh i muzikës klasike, së cilës ia njeh rolin e jashtzakonshëm shpirtëror, shprehu kënaqësinë e tij në një fjalim të shkurtër falënderimi në përfundim të Koncertit, ndërsa pak përpara kishte ndjekur përshëndetjen e kryetarit të Bashkisë së Romës, Valter Veltronit.
Si falënderoi autoritetet e larta të pranishme dhe koncertistët, Papa u ndal tek ditëlindja e Romës, që të kujton zanafillën e qytetit si dhe thirrjen e tij për të qenë fanar i qytetërimit dhe i përshpirtërisë për mbarë botën. Falë takimit të traditave të Romës dhe krishterimit – theksoi Benedikti XVI – Roma në rrjedhë shekujsh kreu një mision të jashtzakonshëm e edhe sot vijon të jetë pikë e rëndësishme referimi për mijëra shtegtarë, që tërhiqen nga pasuria e saj e pashoqe artistike, pjesa më e madhe e së cilës lidhet ngusht me historinë e krishterë.
“Koncerti i kësaj mbrëmjeje jepet për të kujtuar kryevjetorin e Papnisë sime – tha Ati i Shenjtë, dhe vijoi: Që prej një viti bashkësia katolike e Romës, pas vdekjes së të dashurit e të paharruarit, Gjon Palit II, i është besuar nga Provania Hyjnore kujdesit tim baritor. E unë e kam parë sa bujar e sa mikpritës është populli i Romës, që në takimin e parë me besimtarët në Sheshin e Shën Pjetrit, mbrëmjen e 19 prillit të vitit të kaluar e në shumë raste të tjera – vijoi Papa - dhe kujtoi me mirënjohje të thellë turmën pa fund të besimtarëve që mblidhet çdo të dielë në Sheshin e Shën Pjetrit, në zemër të Romës së krishterë, për t’u lutur së bashku me të”.
Benedikti XVI kujtoi më pas edhe 250-vjetorin e lindjes së Mozartit, i cili, së bashku me Beetovenin, konsiderohet si ikonë e muzikës klasike, Vitin mozartian 2006, shumë të pasur me nisma në përkujtim të kompozitorit gjenial dhe pjesët shumë të njohura që luajtën sonte orkestra e kori. U ndalua sidomos tek “Ave verum”, që këndohet shpesh edhe në kremtimet liturgjike, motèt tepër i pasur me teologji që të fton të lutesh. Kështu – vijoi Ati i Shenjtë – muzika, duke e lartuar shpirtin e njeriut tek kundrimi, na ndihmon të ndjejmë edhe dridhjet më intime të gjeniut njerëzor, në të cilin pasqyrohet sadopak bukuria e pakrahasueshme e Krijuesit të Gjithësisë. Në përfundim, Ati i Shenjtë i siguroi të pranishmit se do t’i kujtojë në lutje dhe u dha të gjithëve Bekimin e tij apostolik.







All the contents on this site are copyrighted ©.