2006-04-21 18:34:12

Kalendari i ditës: 21 prill
Kisha Katolike përkujtoi sot Shën Apolonin e Romës, filozof dhe martir.


RealAudioMP3 Shën Apoloni u martirizua në Romë në vitin 185, nën perandorin Komodo.
Sipas burimeve të ndryshme kishtare, e sidomos nga vepra “De Viris Illustribus” e Shën Jeronimit, Apoloni qe një nga burrat më të shquar të Romës të kohës së vet, njeri i ditur, filozof i famshëm dhe senator. Duke qenë i krishterë, u padit te kryetari i gjykatës, Pernio, i cili e thirri që të mbrohej. E ai, për të mbrojtur jo veten, por fenë e vet, lexoi para gjykatës një vëllim të tërë, një apologji të vërtetë të krishtërimit. U dënua menjeherë me vdekje. Apolonit i pëlqente të jetonte, por ai zgjodhi pa ngurrim vdekjen, për të mos mohuar doktrinën e ngjalljes e të gjyqit të mbramë, sepse – siç pohoi me forcë – edhe sikur kjo të ishte gënjeshtër a gabim, gjithsesi i jep dritë jetës.
Sipas burimeve të kohës, Apoloni vdiq pasi ia coptuan këmbët e më pas edhe kokën.
Figura e tij u radhit vonë në martiriologet e krishtera, ndonse nisi të përkujtohej menjëherë pas martirizimit.








All the contents on this site are copyrighted ©.