2006-04-20 17:20:17

U paraqit në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë kalendari i nismave për 500-vjetorin e Bazilikës së re të Shën Pjetrit


( 20. 04. 06 R. V. )Një meshë solemne më 29 qershor, një ekspozitë dhe një takim janë më të rëndësishmet ndërmjet nismave të shumta, që do të vihen në jetë për të kremtuar 500-vjetorin e Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, e cila nisi të ndërtohej nën papninë e Julit II. Kalendari i veprimtarive u paraqit sot paradite në Sallën e Shtypit të Selisë së Shenjtë nga kardinali Françesko Markizano dhe imzot Angjelo Komastri, drejtor i Fabrikës së Shën Pjetrit.
Kremtimi i parë do të jetë Mesha e 29 qershorit, solemnitet i Shën Pjetrit e Shën Palit. Më pas, më 3 tetor, në Krahun e Karlit të Madh të Shtyllares të Berninit, do të përurohet ekspozita “Petro seni”, “Pjetri është këtu”. Titulli i ekspozitës na kujton shkrimin e gjetur në varrezën e Kodrës së Vatikanit, që tregon vendvarrosjen e Shën Pjetrit. Vizituesi do të ketë rastin të ndjekë etapat kryesore të zhvillimit artistik dhe arkitektonik të Bazilikës së re të Shën Pjetrit, përmes objekteve arkeologjike, punëve të dorës, pikturave e dokumenteve. E do të mund të admirohen edhe gjetjet e reja, ndërmjet të cilave, një sarkofag i gjetur në vitin 2003 në Vatikan që i takon vitit të largët 270 pas Krishtit. Të ndjekim Maria Kristina Karlo-Stelën, koordinatore e projektit të ekspozitës:
“Më duket e qartë se rasti i përvjetorit të bazilikës për Fabrikën e Shën Pjetrit është një çast në të cilin kremtohet devocioni shekullor i vazhdueshëm për figurën e Shën Pjetrit Apostull, sepse pikërisht këtu ruhet kujtimi i dëshmisë që dha ai për fenë, deri në martirizim. Prandaj mund të themi se kjo traditë devocionale, kjo pasuri e paprekshme, që përbën vatrën, zemrën e këtij vendi kulti, është busulla për t’u orientuar në ndryshimet arkitektonike që ka pësuar bazilika në rrjedhë shekujsh.
Për të kremtuar 500-vjetorin e vendosjes së gurit të parë të bazilikës së re të Shën Pjetrit do të pritet edhe një medalje e do të emetohen disa pulla poste. Në këtë mënyrë – tha kardinali Françesko Markizano, theksohet më shumë rëndësia fetare dhe historike e këtij monumenti madhështor:
“Bazilika e re ka një arkiv të mrekullueshëm, të përbërë nga 3 milionë e 50 mijë dokumente, që të gjithë të lidhur me bazilikën, që nga fillimi i punimeve e deri më sot. Prandaj mund të njihen me hollësi projektet e ndryshme që kanë ndjekur njëri-tjetrin. Bazilika është një nga monumentet më të vizituara të botës. Çdo ditë kemi nga 5 deri në 20 mijë vizitorë e nganjëherë është arritur deri në 30 mijë vizitorë brënda një dite. 







All the contents on this site are copyrighted ©.