2006-04-19 20:04:29

I ashtuquajturi “Ungjilli i Judës” nuk i shton asgjë jetës së Krishtit: me ne biblisti imzot Bruno Magjioni


I ashtuquajturi “Ungjilli i Judës” nuk i shton asgjë jetës së Krishtit: kështu shprehet biblisti imzot Bruno Magjioni, duke komentuar përkthimin e botimit të një papiri të shekullit III, që i rilexon në një mënyrë të re marrëdhëniet e Jezusit me Judën Iskariot.
“Do të vijnë ditë, në të cilat njerëzit nuk do ta durojnë doktrinën e shëndoshë, por, nga që u pëlqen të dëgjojnë diçka të re, do të rrethohen nga mjeshtra sipas ëndjeve të tyre, duke mos pranuar t’ia venë veshin së vërtetës, por duke parapëlqyer përrallat”. Na vijnë në mendje këto fjalë të Shën Palit Apostull - tha në predikimin e së Premtes së Madhe, predikatari i Shtëpisë Papnore, Atë Kantalamesa, për të denoncuar spekullimin dhe manipulimin e mediave, të cilat kohët fundit po merren me Mundimet dhe Vdekjen e Krishtit. Pikërisht këto ditë bëhet zhurmë e madhe rreth të ashtuquajturit “Ungjilli i Judës”, një papir i shekullit III, përkthyer nga National Geographic dhe botuar javën e kaluar në Uashington. Është fjala për një teskt gnostik ( me fjalën gnosticizëm kuptojmë një grup rrymash filozofike të lashtësisë së krishterë, kryesisht në shek. II e III), i konsideruar heretik në shekujt e parë pas Krishtit, i cili propozon rileximin e marrëdhënieve të Krishtit me Judën Iskariot. Duke pasur parasysh se jehona mediatike ka arritur edhe në Shqipëri e se edhe në ndonjë gazetë shqiptare janë dukur shkrime mbi argumentin, ftuam në mikrofonin tonë biblistin e Universitetit Katolik të Zemrës së Krishtit, imzot Bruno Magjionin. Ta dëgjojmë komentin e biblistit:

 
- Në se pyetem a është i rëndësishëm ky tekst për të pasuruar Ungjijtë, do të përgjigjesha absolutisht jo: nuk ka farë rëndësie e nuk ndryshon absolutisht asgjë. Ungjijtë ... janë të shumëllojshëm; Ungjij apokrifë janë ato që Kisha i konsideron ‘të pafrymëzuar’, dmth që nuk janë të frymëzuar nga Fjala e Zotit. Kemi një shumicë të madhe ungjijsh të tillë, të të gjitha llojeve. Këta Ungjij janë të tipit gnostik, ashtu si ungjilli i Tomës, që është gjetur në të njëjtën mënyrë. Ungjijtë gnostikë pasqyrojnë një vizion gnostik, që ishte i përhapur, por që vjen nga paganizmi, një vizion që e konsideron njeriun dualitikisht, dmth shpreh mendimin se korpi është pjesa më e keqe e shpirtit e se shpirti çlirohet nga korpi..... Pastaj karakterizohet nga një atmosferë fshehtësie, bën gjëra të fshehta, mendon se Zoti ka zbuluar një dije të fshehtë, ndërsa, në se ka ndonjë gjë që është e qartë, kjo është pikërisht dija e Ungjillit, e cila është publike: Jezusi ka folur në publik, nuk ka folur në fshehtësi. E në agnosticizëm kemi edhe një vizion të Hyjit, që nuk di si ta quaj saktësisht, por mund të përdor fjalën fatalist: një zot që bën një plan e duhet ta realizojë mekanikisht; prandaj, në se kishte planifikuar Kryqin për të Birin, duhej gjetur edhe një që ta tradhtonte. E ja, prej këndej, na thuhet se Juda ishte dishepulli më i dashur, që i bindet Jezusit dhe e tradhton me urdhërin e vetë Jezusit.

- Ja, imzot Magjioni, duke pasur parasysh këtë, a mund të na thoni cili është roli i vërtetë i apostullit Judë sipas Ungjijve kanonikë?

- Roli i Judës, me ndonjë ndryshim të pakët, sipas varianteve, në të gjitha rrëfimet ungjillore të Mundimeve, është pikërisht i atij që tradhton, që ia dorëzon Jezusin për 30 aspra autoriteteve; e janë autoritetet ata, që e dënojnë. Kanë nevojë vetëm për një justifikim për ta dënuar. Por është diçka që e bëri lirisht. Zoti nuk ia heq lirinë askujt: shembulli më i qartë, për mua, është se Biri i Zotit, që është mbi Kryq, nuk zbret andej për t’u bërë i besueshëm, përkundrazi, dëshiron ta shprehë, duke ndenjur mbi kryq, gjithë dashurinë e tij, që duket qartë, por nuk e detyron askënd ta pranojë me dhunë: mund t’i thuhet jo, të mos pranohet. Prandaj mund të themi se është një teologji krejtësisht e ndryshme.

- Pra, mund të pohojmë se kemi të bëjmë me një dokument me vlerë historike, por që sigurisht nuk mund të frymëzojë një debat teologjik?

 
- “Historik” në kuptimin se mund të ndriçojë rrymën gnostike të shekullit III-IV, por jo në kuptimin se prek të vërtetat e Ungjijve. Historia e Jezusit nuk ndryshon asnjë milimetër.







All the contents on this site are copyrighted ©.