2006-04-18 16:36:02

Viti i parë i Papnisë së Benedikti XVI: në qendër të ministerit të tij, kumtimi se Zoti është dashuri


RealAudioMP3 ( 18. 04. 06 R. V. )Nesër, më 19 prill, mbushet një vit nga zgjedhja e Benediktit XVI, të 265-tit Mëkëmbës të Krishtit. Në qendër të vitit të parë të Papnisë së Tij, kumtimi se Zoti është dashuri e se në të vërtetën e Krishtit njeriu gjen gëzimin dhe realizimin e plotë të jetës.
Viti i parë i papnisë: një vit i ngarkuar me ngjarje, gjatë të cilit Papa i tetë gjerman i historisë, gjatë audiencave e kremtimeve të ndryshme, është takuar me 4 milionë njerëz. E, duke vijuar me gjuhën e shifrave, Papa Ratzinger botoi gjatë këtij viti enciklikën e vet të parë “Deus Caritas est”; bëri dy udhëtime: një në Gjermani për DBR-së në Këln dhe një në Bari të Italisë, për përfundimin e Kongresit Eukaristik Kombëtar. E akoma, thirri Koncistorin për krijimin e 15 kardinajve të rinj dhe shpalli 5 shenjtorë e 32 të lum të rinj.
Muajin e kaluar nisi një cikël të ri katekizmi në audiencën e përgjithshme të së mërkurës, kushtuar lidhjes së pazgjidhshme të Krishtit me Kishën e tij. Në nivel ndërkombëtar, Papa e ka përqendruar vëmendjen kryesisht tek emergjencat e Afrikës e të Lindjes së Mesme si dhe tek rrënjët e krishtera të Evropës, pa harruar sfidat e Kontinentit amerikan dhe shpresat që arrijnë nga Azia e Oqeania. Në planin fetar, ka konfirmuar se e shikon me përparësi ekumenizmin, duke i dhënë një shtytje të re edhe dialogut me fetë tjera, posaçërisht me hebraizmin e islamin. Gjatë këtij viti ndërmjet fjalëve të Tij, kanë jehuar me forcë të veçantë disa: dashuri, arsye, gëzim.
E pasi kaloi viti nga zgjedhja e Benediktit XVI, mund të themi se i njohim më mirë disa nga tiparet e Papës: fytyrën e qeshur e të ndritshme, thjeshtësinë e gjesteve, qartësinë e mendimit, ëmbëlsinë e përzemërt të fjalës, vëmendjen delikate për çdo njeri që takon. Shikojmë në Të, njeriun nga i cili buron një paqe e thellë. Paqja e njeriut që është takuar me Krishtin, i cili dhuron paqen e vërtetë.
Ditën para se të zgjidhej, duke kryesuar, në cilësinë e Dekanit të Kolegjit Kardinalor Meshën për zgjedhjen e Papës, më 18 prill, lutej kështu:
“T’i lutemi me këmbëngulje Zotit që, pas dhuratës së madhe të Papës Gjon Pali II, të na dhurojë një bari të ri sipas zemrës së vet, një Bari që ta udhëheqë grigjën në njohjen e Krishtit, të dashurisë së Tij, të gëzimit të vërtetë”.
E, pasi kaloi një ditë e vetme, u zgjodh pikërisht ai:
“Habemus papam.... ( kumtoi kardinali protodiakon Horhe Arturo Medina Estévez).
E menjëherë më pas - fjalët e para të Benediktit XVI:
“Të dashur vëllezër e të dashura motra, pas Papës së madh Gjon Palit II, zotërinjtë kardinaj më zgjodhën mua, një punëtor të thjeshtë e të përvujtë në vreshtin e Zotit...”.
Pas një viti, në se duam të gjejmë fjalën më të rëndësishme që Papa i ka përcjellë botës, do të ndalemi me siguri tek fjala me të cilën hapet Enciklika e tij e parë: “Zoti është dashuri”: vetëm ai mund t’i dhurojë botës gëzimin, bukurinë, jetën e plotë, lirinë e vërtetë. Nuk është fjala për një ideologji, as për një moral, por për Hyjin e gjallë që ka marrë fytyrë njerëzore nga dashuria për krijesën e vet: “ Në fillesë të qenies së krishterë – shkruan Papa – nuk është një vendim etik ose një ide e madhe, por takimi me një ngjarje, me një Person, që e shndërron jetën tonë”. Nga ky takim me Krishtin buron edhe urgjenca e misionit:
Kush e ka zbuluar Krishtin, duhet t’i çojë edhe të tjerët drejt Tij. Një gëzim i madh nuk mund të mbahet vetëm për vete. Duhet transmetuar. Në shumë pjesë të botës sot ndjehet një harresë e çuditshme e Zotit. Duket se gjithçka ecën njëlloj edhe pa Të. Por njëkohësisht ekziston edhe një ndjenjë pakënaqësie e të gjithëve për gjithçka. E atëherë të vjen dëshira të thërrasësh: ‘Nuk është e mundur që kjo të quhet jetë! Me të vërtetë jo...’. Ndihmojini njerëzit të zbulojnë yllin e vërtetë që u tregon udhën: Jezu Krishtin! Të përpiqemi ne vetë ta njohim gjithnjë më mirë, për të mundur kështu t’u prijmë në mënyrë bindëse edhe të tjerëve drejt Tij”.
Të bëhemi miqtë e Jezusit: kjo është një nga thirrjet e vazhdueshme të Benediktit XVI, i cili i fton të gjithë të krijojnë një lidhje të gjallë, personale me Krishtin, mbi të gjitha, duke u lutur, duke vënë në qendër të vëmendjes Fjalën e Zotit, lectio divina, leximin e Shkrimit Shenjt, shoqëruar gjithnjë me uratë. Është fjala për të dëgjuar vetë zërin e Krishtit:
“Ta dëgjojmë në Fjalën e Tij, të ruajtur në Shkrimin Shenjt. Ta dëgjojmë në vetë ngjarjet e jetës sonë, duke u përpjekur për të lexuar ndër to mesazhet e Provanisë Hyjnore. Ta dëgjojmë, së fundi, ndër vëllezër, posaçërisht ndër më të vegjlit e më të varfërit, ndër të cilët vetë Jezusi kërkon dashurinë tonë konkrete. Ta dëgjojmë Krishtin e t’i bindemi zërit të Tij: kjo është udha kryesore, e vetmja, që çon drejt përmbushjes së gëzimit e të dashurisë”.
Benedikti XVI u drejtohet posaçërisht të rinjve e, ashtu si Gjon Pali II, i fton të mos kenë frikë se humbasin ndonjë gjë duke ia hapur zemrën Krishtit. Flet për dashuri, por në vërtetësi. Fjala vërtetësi fiton një thellësi të re tek Benedikti XVI. Papa nxit dialogun me kulturën laike, por në të njëjtën kohë denoncon laicizmin intolerant, që përpiqet t’i mbyllë në sferën private bindjet fetare, duke kërcënuar kështu vetë parimet demokratike. Denoncon edhe nihilizmin e atyre, për të cilët e vërteta nuk ekziston. Përballë kësaj kulture, Papa ripohon arsyet që e shtyjnë të krishterin të ketë besim të qartë në Hyjin e bërë njeri. Flet për një fe që shoqërohet nga besimi i thellë tek arsyeja, tek racionaliteti:
“Në se vështrojmë rrugëzgjedhjet e mëdha, zgjedhja e rrugës së krishterë është edhe sot më racionalja e më njerëzorja. Prandaj mund të përpunojmë me besim një filozofi, një vizion të botës, që bazohet mbi këtë përparësi të arsyes, mbi këtë besim se Arsyeja krijuese është dashuri e se kjo dashuri është Hyji”.
Benedikti XVI dëshiron të frymëzohet nga “shqetësimi i shenjtë i Krishtit”, i kërkon delet e veta nëpër shkretëtirat e shumta të botës së sotme: në shkretëtirën e varfërisë, në shkretëtirën e urisë e të etjes, në shkretëtirën e braktisjes, të vetmisë, të dashurisë së nëpërkëmbur, të shkatërruar. E u kërkon të gjithëve të luten për të:“Lutuni për mua, që të mësoj ta dua gjithnjë më shumë grigjën e Krishtit – juve, Kishën Shenjte, secilin nga ju veç e veç e të gjithë së bashku. Lutuni për mua, që të mos ik, nga frika, përballë ujqërve. Të lutemi njëri për tjetrin, që Zoti të na mbartë e edhe ne ta mbartim njëri-tjetrin”.







All the contents on this site are copyrighted ©.