Shenjti i ditës: 18 prill - Shën Eleuteri e Ancia, martirë
( 18. 04. 06 R. V. )Sot Kisha katolike përkujtoi Shën Eleuterin, ipeshkëv i Ilirikut
dhe Ancien, nënën e tij, shenjtorë martirë. Aktet apo shkrimet që flasin për
martirizimin e Eleuterit, si ato greke (BHG, I, fq. 173-749 , ashtu edhe ato latine
(BHL, i, fq. 368, NN. 2450-52), kanë më tepër karakter legjendar. Sipas shkrimeve
greke, më të vona se shekulli V, Eleuteri, biri i Ancies, vejushë e konsullit Eugjenio,
u shugurua diakon ose meshtar e më pas edhe ipeshkëv nga një farë Aniçeti. I dërguar
si ipeshkëv në Ilirik, qe kapur nga Feliçi i cili e çoi në Romë ku u gjykua nga Perandori
Adrian. Gjykimi nisi me premtime e përfundoi me dënimin me vdekje të Eleuterit e të
nënës së tij. U martirizuan më 15 dhjetor. Përkthimi latin i tekstit grek, i
realizuar aty nga shekulli VIII, na tregon se Aniçeti, pasi e shuguroi Eleuterin,
e çoi të kryente shërbimin ipeshkvnor në Apuliam Aecanam civitatem, prej nga u kthye,
së bashku me t’ëmën, në Romë, ku edhe u mbyt më 18 prill. Gjithsesi ai hyri në martiriologun
Romak me atributin “ Episcopi Illyrici” – “Ipeshkëv i Ilirikut” . E kjo përmes veprës
së Baronios, i cili u mbështet ndër librat në gjuhën greke. Ndërkaq nuk dimë asgjë
për jetën e Eleuterit, kulti i të cilit është shumë i lashtë. Përkujtimi i Shën Eleuterit
(disa herë në formën latine Liberalis), në sinasarët grekë vendoset më 15 dhjetor
ose 20 korrik; në martriologun Jeronimian, më 18 prill e më pas më 5 shtator e më
24 nëntor. Në Kalendarin Marmoreo të Napolit, më 18 prill; në librat moxarabikë në
të njëjtën datë. Edhe librat liturgjikë janë dëshmitarë të kultit të tij. Një
numër i madh kishash u ngritën në Itali për nder të Shenjtit: në Romë në rrugën Labikane;
më pas në Nepi, në Vasto e në Parenco d’Istria, ku kremtohej me solemnitet më 18 prill.
E kështu me radhë në të gjithë Italinë. Shën Eleuterit i është kushtuar edhe Kuvendi
i famshëm i Maiellës në udhën Traiane. Si përfundim mund të themi se nuk duhet përjashtuar
identifikimi i tij me martirin romak Liberalis, varrosur në varrezën ad clivum Cucumeris.
Tek ky varr në shekullin VII mblidheshin shumë shtegtarë për të nderuar martirin,
që me sa duket s’është tjetër, veçse Ipeshkvi i Ilirikut, që derdhi gjakun për Krishtin
në Romë, ku emri i tij mori trajtën latine Liberalis.