Pas atentatit të djeshëm në Tel-Aviv, në të cilin u vranë nëntë vetë, i gjithë Izraeli
është vënë në gatishmëri të lartë. Sot një aeroplan izraelit sulmoi një fabrikë raketash
në Gazë si kundërpërgjigje ndaj atentatit të terroristëve. Nuk pati viktima vetëm
dëme materiale. Mësohet se deri tani, qeveria e Hamasit nuk e ka dënuar atentatin
e djeshëm me kamikaze.
Epidemia e kolerës që ka mbërthyer Angolën prej
disa ditësh, ka shkaktuar deri tani rreth 400 të vdekur, në një kohë kur çdo ditë
ka rreth 350-400 raste të reja të infektuarish. Sidoqoftë, qeveria nuk ka shpallur
ende gjendjen e jashtëzakonshme, gjë që pengon dërgimin e ndihmave humanitare.
Gjatë
një sulmi kundra një komisariati policie në Bagdad, Irak, u vranë dy policë dhe pesë
civilë. Gjithashtu pati edhe 20 të plagosur ndër civilët. Ndërsa në Ramadi ushtria
amerikane zmbrapsi me sukses një sulm të rebelëve, kundër selisë së guvernatorit,
që zgjati rreth një orë. Deri tani nuk ka njoftime për numrin e të vrarëve.
Përfaqësues
të Rusisë, Kinës, SHBA-ës, Francës, Britanisë së Madhe dhe Gjermanisë u mblodhën sërish
në Moskë për të biseduar mbi çështjen bërthamore iraniane. Bisedimet synojnë që të
zgjidhin mosmarrëveshjet mes Kinës dhe Rusisë, nga njëra anë, dhe SHBA-ës nga ana
tjetër, që kërkojnë ndërhyrjen ushtarake të OKB-së për zgjidhjen përfundimtare të
këtij problemi.
Në një raport të fundit të shërbimeve sekrete amerikane
dhe kroate thuhet se anëtarë të Al-Kaedës ka 15 vjet që qarkullojnë lirshëm në Ballkan,
duke shfrytëzuar kryesisht korridorin Turqi, Kosovë, Shqipëri. Terroristët kanë përfituar
nga niveli i ulët i kontrolleve kufitare në këto vende për t’u takuar si edhe për
t’u stërvitur në qendra sekrete.