2006-04-18 16:49:55

Kremtimi i Pashkëve nëpër botë: zakone e solidaritet


RealAudioMP3 ( 18. 04. 06 R. V. )Kremtime të ndryshme të Pashkëve në Botë e ndër shqiptarë, sipas dokeve e zakoneve vendase
Pashkët janë ngjarja që ndryshoi historinë e njerëzimit. Kështu e quajti dje Benedikti XVI Ngjalljen e Krishtit, në sa Kishat në të katër anët e Planetit e kremtuan këtë ngjarje gjithnjë të jashtëzakonshme, me solemnitet e përshpirtëri të madhe. Ju ftojmë të bëjmë së bashku një shtegtim rreth botës, për të zbuluar si i kremtojnë Pashkët në të pesë Kontinentet, duke njohur për së afërmi disa nisma solidariteti e zakone vendase.
Kemi shtegtuar shumë larg Shqipërisë. Po ndalemi së pari në Kanada, ku intervistuam Mariela Pilikemin e gazetës ‘Corriere canadese’, që na flet kryesisht për mënyrën si kremtojnë emigrantët. Kujtojmë se në Kanada shtohet gjithnjë e më shumë edhe numri i mërgimtarëve shqiptarë, që përpiqen të organizohen edhe ndër festat e mëdha. Prandaj, duke ndjekur festimet vendase, i ndjejmë pranë edhe bashkatdhetarët që kremtuan sivjet Pashkët kaq larg atdheut:
- Këtu Pashkët ndjehen shumë, shumë, sidomos nga emigrantët, që përpiqen t’i jetojnë sipas traditave, ashtu siç i kremtonin kur ishin në atdhe, para se të mërgonin në Kanada. Kryesor është procesioni i festës, që sivjet u organizua për herë të 44. E po ashtu u kremtua edhe Udha e 44-t e Kryqit në të cilën ishin të pranishëm 200 mijë vetë. Është vërtetë prekëse t’i shikosh besimtarët që arrijnë nga të gjitha anët, për të kremtuar udhën e ndjekur nga Krishti drejt Kalvarit, në të cilën shikojnë sadopak vetë udhën e jetës së tyre. Kremtojnë, pastaj, me Zotin, edhe Pashkët e Ngjalljes. Sheh të njëjtat fytyra, të cilave vit për vit u shtohen edhe fytyra të reja. Është një takim në të cilin askush nuk dëshiron të mungojë. E kjo i emocionon jashtëzakonisht të gjithë, sepse kështu e jetojmë festën në thellësinë e shpirtit.
Nga Kanadaja, po zbresim në Amerikën Latine e pikërisht në Perù. Në mikrofonin tonë është rregulltari agostinian Atë Lizardo Estrada Herrera:
- Bëhet një procesion nëpër sheshe: është kremtimi kryesor i Pashkëve. Besimtarët këndojnë Aleluja, luten. Njerëzit sjellin në Kishë ujët për ta bekuar, sjellin edhe kafshët. Takohen pastaj, organizojnë festa të vogla me të afërt e komshi, gatuajnë e hanë një gjellë të posaçme që bëhet vetëm për Pashkë: mish derri me patate. Por natyrisht hahen edhe gjellë të tjera e sidomos ëmbëlsira, mollë, misër....
Nga Peruja fluturojmë në zemrën e Afrikës, në Kenia, prej nga na flet Motër Nadia Monetti, themeluese një jetimoreje për fëmijët e sëmurë nga Sida:
- Bëjmë një drekë të madhe me të gjithë fëmijët. Çdo të premte fëmijët ndjekin Udhën e Kryqit dhe kujtojnë stacionet e Jezusit që, për fat të keq, janë edhe stacionet e jetës së tyre.
- Ç’fjalë keni gjetur për t’ua mësuar fëmijëve domethënien e Pashkëve?
- Mendoj se ma kanë mësuar ata mua, sepse më mësojnë si vuhet e si vdiset. Për ta mendimi i Jezusit është i gjallë, është mendim feje. Për shembull, kisha një fëmijë i cili, para se të vdiste, më kërkoi ta pagëzoja: asnjë nga ne nuk i kishte folur drejtpëdrejtë për fenë. Por ai vetë, nga gjërat e vogla, lutjet, takimet që bënim herë pas here, e kuptoi historinë e Jezusit e, para se të mbyllte sytë përgjithmonë, deshi të merrte Sakramentin dhe emrin Gjon.
Vijojmë shtegtimin e Pashkëve, duke u rikthyer në Evropë, e pikërisht në Londër. Intervistuam në kryeqytetin anglez, Sàgjida Syed:
- Pa dyshim duhet përmendur kisha e Sent Piters, një nga Kishat më të rëndësishme ku kremtohet Dita e Pashkëve. Atë Karmelo organizon të gjitha kremtimet e Javës së Madhe dhe Meshën solemne me kor e buri, të së Dielës. Përsa i përket traditës jashtë Londrës, mund të kujtojmë Vilën Skalabrini, ku organizohen ditë të posaçme me përmbajtje të thellë shpirtërore, para, gjatë e pas Pashkëve.
Nga Londra arrijmë në Itali. Pothuajse në të gjithë gadishullin, të Dielën e Pashkëve vihet në skenë takimi i Virgjërës Mari me Krishtin e Ngjallur. Në Kalabri, ndërmjet arbëreshëve, kjo ngjarje ka një emër të veçantë, siç na shpjegon kryeredaktori i selisë së Rait të Kozencës, Pino Nano:
- Quhet “la sfruntata”; është një lloj, si të thuash, takimi i Jezusit me Marinë. Në shesh del Shën Gjoni apostull që vrapon drejt Zojës së Dhimbshme për t’i kumtuar ngjalljen e Krishtit; Zoja e Dhimbshme, duke mos e besuar, ecën tri herë rreth sheshit, ku njerëzit mbajnë mbi shpatulla shtatoret tepër të rënda të Jezusit, Shën Gjonit Apostull e Zojës së Dhimbshme. E kjo ecejake e Zojës vijon në shesh derisa bindet se Krishti është ngjallur vërtetë: atëherë i hiqet veli i zi që e mbulon dhe duket veli qiellor, i lumnisë.
Pashkët: festa e festave, pika qendrore e liturgjisë, fillimi i vitit liturgjik, kremtohen shumë ndër arbëreshët. Java e Madhe parashikon shërbesa të shënjta (akoluthie) gjatë shtatë ditëvet të saj. Të tre ditët e para i kushtohen akoluthisë e Nimfios: Krishtit, Dhëndrrit, të Vetmit e Njeridashsit (Monos o Filànthropos), dhembjeve dhe lavdisë së Tij. Vijnë pastaj larja e këmbëve, darka mistike, lutja në Gjetseman e tradhtia e Iskariotës. Janë pikat kryesore të përsiatjes të së Ënjtes së Madhe e cila arrin kulmin me leximin e Dymbëdhjetë Vangjelevet. Kremtimi i Oravet të Mëdha dhe Lutja e Mbrëmjes paralajmërojnë varrimin e varrimevet: varri (epitàfios), që përmban pëlhurën e cila paraqet kurmin e mbështjellë me qefinin e të Birit të Perëndisë, është gati të siellet me procesion. Të krishterët, duke kënduar Kalimerën e Javës së Madhe dhe Vajtimin e Shën Mërisë, kalojnë për tri herë nën varr.
Notat plot hare të Alelujës shoqërojnë të Shtunën e Madhe në të aguar të së Dielës së Pashkëve, një kremtin plot sugjestionim, gjatë të cilit prifti shtron me fletë dafine trollin e kishës. Errësira e natës është korniza ideale për kremtimin e “Fjalës së Mirë”: Krishti u ngjall! Christòs anésti!Fe e histori shkrihen në një ndër shumë katunde arbëreshe, si në Frasnitë (Frashineto), ku rron shpirti i lashtë i etnisë. Të Dielën e Pashkëve luhet vallja me origjinë të lashtë, që disa identifikojnë me koreolën e Romakevet, me vallen pirrike ose me gru, valle e lashtë me origjinë nga Delo e themeluar nga Tezeu mitik. Vajzat, të veshura me kostumin e çmueshëm tradicional, të udhëhequra nga “kapurelët”, vallëzojnë duke vizatuar spirale të pazgjidhshëme dhe duke kënduar rapsodi që përhimnojnë vlerat themelore të popullit arbëresh dhe heronjtë e tij. Vallja, e vendosur si potkua, ecën hijerëndë madhërisht nëpër udhët e qytetit, rrethon dhe zë rob armiq simbolikë që, pas pagesës po aq simbolike e shpërblesës (pije ose bonbone), lihen të lirë. Afër valles, shkojnë “Ata ç’nxijen”, shfaqje tipike e Frasnitës, ata që nuk flasin arbërisht e që lyejnë me blozë fytyrën dhe “Ata me kutullen” që nënshtrojnë ata që kanë flokët e thinjur me puthjen rituale të kafkës e me paralajmërimin “memento mores!” – “kujto se ke t’vdesësh!”







All the contents on this site are copyrighted ©.