2006-04-16 16:39:36

Pashkët në Vatikan: Lutja e Papës për paqe në Afrikë, në Tokën Shenjte, në Irak e Iran, në Mesazhin Urbi et Orbi – Romës e Botës të Papës Benedikti XVI, që kremtoi Meshën solemne të Pashkëve në praninë e 100 mijë vetëve


RealAudioMP3 (16. 04. 06 R. V. )Në Meshën solemne të Pashkëve në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI i lartoi Zotit një lutje universale për paqe, përballë 100 mijë besimtarëve e shtegtarëve. Ati i Shenjtë kujtoi krizën në Tokën Shenjte, në Irak e në Afrikë si dhe tensionet ndërkombëtare lidhur me armatimet bërthamore.
“Zoti i ngjallur bëftë që të ndjehet kudo forca e tij e jetës, e paqes dhe e lirisë”. Në ditën më të spikatur të jetës e të vitit të krishterë, Benedikti XVI kryesoi Meshën e parë të Ditës së Pashkëve të papnisë së Tij, duke ia besuar njerëzimin e Mijëvjeçarit të Tretë, Krishtit të Ngjallur, me shpresën se do të gjejë në Të dritën për të zgjidhur konfliktet e shumta – nga Lindja e Mesme në Afrikë – që akoma e pengojnë Planetin të gëzojë paqen aq të dëshiruar. Mesazhi Urbi et Orbi – Romës e Botës – shqiptuar nga Papa prej lozhës qëndrore të Bazilikës së Vatikanit, u ndoq nga njëqindmijë vetë të pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, ndërmjet të cilëve, shumë autoritete civile e ushtarake, dhe nga qindra miliona telespektatorë të lidhur me kremtimin përmes televizionit. T’i rijetojmë çastet më kulmore të këtij kremtimi solemn për Pashkët 2006.
“Paqe për Tokën Shenjte e për Irakun, për Afrikën e për Amerikën Latine. Paqe për botën mbarë, që njerëzit e çdo etnie e besojme të përpiqen për ta mbrojtur vlerën e bashkëjetesës paqësore, politike e fetare, shumë më tepër se sa përpiqen për luftën e terrorizmin”. Duket sikur Benedikti XVI dëshiron t’ia besojë tingëllimit festiv të kambanave e të këngëve, që i dhuruan, gjatë gjithë harkut të Meshës së Pashkëve, melodi e solemnitet kumtimit të Ringjalljes - ‘Alelujën!’ e vet personale! Aleluja për një Planet i cili ende, në vise të ndryshme – dymijë vjet pas lajmit të jashtzakonshëm të varrit të zbrazët – vijon të provojë, për fat të keq, të kundërtën e fitores së amshuar të Krishtit mbi vdekjen.
Pikërisht në orën 10. 30, nën tingujt e fanfarës së karabinierëve e pastaj të “Surrexit Dominus” – “Krishti u ngjall” - Benedikti XVI u duk, në këmbë, në Sheshin e Shën Pjetrit, ndriçuar nga një diell i zbehtë e stërmbushur nga një turmë e panumërt, prej më se njëqind mijë vetash. Një Shesh nga i cili telekamerat e 102 emitenteve, lidhur drejtpërdrejtë me Mondovizion, ua transmetuan qindra mijëra teleshikuesve në të katër anët e botës, Meshën dhe pamjen mahnitëse të tremes, kthyer në lulishtë nga lulishtarët holandezë, të cilët që prej 21 vjetësh në Ditën e Pashkëve e shndërrojnë Sheshin e Shën Pjetrit në kopsht të lulëzuar. Mijëra lule ngjyrosin shkallët e bazilikës: tulipana, gjineshtra, viole, zymbyla e shumë lloje të tjera lulesh, së bashku me drurë bajamesh e qershish në kulmin e lulëzimit.
“Vdekja e jeta u ndeshën në një duel të jashtëzakonshëm...”. Fjalët latine të Sekuencës, të intonuara nga Kori i Kapelës Sikstine, i paraprinë Mesazhit të parë Urbi et Orbi – Romës e Botës – të Benediktit XVI në përfundim të kremtimit eukaristik, sot kur Papa kremtoi edhe 79-vjetorin e ditëlindjes. Benedikti XVI u duk, ashtu si një vit më parë në çastin e zgjedhjes së Tij, në lozhën qëndrore të Bazilikës së Shën Pjetrit, prej nga pohoi se “ngjarja vendimtare e Ringjalljes” mbetet gjithnjë aktuale, edhe në epokën tonë plot trazira e pasiguri. Nga Krishti i ngjallur – shtoi Shenjtëria e Tij – nganjëherë edhe pavetëdije, presin shpresën të gjithë ata që vijojnë të shtypen në peshën e padurueshme të vuajtjes e të vdekjes. Duke filluar nga kontinenti afrikan:
Shpirti i të Ngjallurit u sjelltë ngushëllim e siguri posaçërisht popullsive të Darfurit në Afrikë, të cilat jetojnë në një situatë dramatike humanitare, që nuk mund të mbështetet më; atyre të zonës së Liqeneve të Mëdha, ku shumë plagë janë endè të freskëta; popujve të ndryshëm të Afrikës që dëshirojnë pajtim, drejtësi e zhvillim”.
Nga Afrika – në Irak, Benedikti XVI uroi që më në fund paqja të fitojë mbi dhunën tragjike që vijon, pa pikë mëshire, të mbjellë viktima të reja. Më pas, Ati i Shenjtë kujtoi Lindjen e Mesme, simbol gjaku e urrejtjeje deri tani të pashërueshme pikërisht në viset ku shpresa e krishterë u bë histori:
Paqe uroj me gjithë shpirt edhe për ata që përfshihen në konflikt në Tokën Shenjte. I ftuoj të gjithë në një dialog durimtar e këmbëngulës, që siguron kapërcimin e pengesave të vjetra e të reja, duke shmangur tundimet e raprezaljes e duke i edukuar breznitë e reja me respekt reciprok. Uroj – vijoi Papa - që bashkësia ndërkombëtare, e cila ripohon të drejtën e Izraelit për të jetuar në paqe, ta ndihmojë popullin palestinez t’i kapërcejë sa më shpejt kushtet e pasigurta në të cilat jeton, e të ndërtojë ardhmërinë e vet, duke shkuar drejt krijimit të një shteti të vërtetë”.
Më pas Benedikti XVI e drejtoi vështrimin nga vendet e Amerikës Latine, për të cilat uroi të përmirësohen kushtet e jetës të miliona shtetasve, duke e çrrënjosur plagën e urryer të sekuestrimit të njerëzve e duke i fuqizuar institucionet demokratike në frymën e harmonisë e të solidaritetit të vërtetë. E më pas, një urim tjetër për paqen në atmosferën e ngjarjeve më aktuale botërore:
“Përsa i përket krizës ndërkombëtare lidhur me problemin bërthamor, uroj të gjindet një rrugëzgjidhje e ndershme për të gjithë, përmes bisedimeve serioze e të sinqerta e të forcohet, në vetëdijen e udhëheqësve ndërkombëtarë, vullneti për të realizuar bashkëjetesën paqësore ndërmjet etnive, kulturave e feve, në mënyrë që ta largojë kërcënimin e terrorizmit”.
Në Sheshin e Shën Pjetrit, ku valëviteshin flamujt e të gjitha kombeve e ku dallohej, falë ngjyrës së kuqe të gjakut e asaj të zezë të shqiponjës, valëvitja e flamurit shqiptar, Benedikti XVI tha lutjen mariane të Mbretëreshës Qiellore, duke i bërë urimet e Pashkëve mbarë Planetit në 62 gjuhë e idioma – ndërmjet të cilave, urimi në gjuhën shqipe – me të cilin filluam emisionin e sotëm, në gjuhën urdù, kineze, në gjuhën e maorëve e, natyrisht, në gjuhët më të njohura me të cilat merret vesh gjithë bota, duke filluar nga italishtja.







All the contents on this site are copyrighted ©.