2006-04-16 17:03:23

Mbrëmë Benedikti XVI, duke kryesuar kremtimin e Natës së Pashkëve, në homelinë e rastit theksoi: “Në sajë të Ngjalljes së Krishtit e me Pagëzimin njeriu mund ta shndërrojë botën, duke iu kundërvënë të gjitha ideologjive të dhunës".


( 16. 04. 06 R. V. )Homelia e Papës Benedikti XVI Natën e Pashkëve:
Ju kërkoni Jezusin prej Nazaretit, të Kryqëzuarin. Ai u ngjall, nuk është këtu” (Mk 16, 6). Kështu lajmëtari i Zotit, i veshur me dritë, u flet grave që kërkojnë korpin e Krishtit në varr. E kështu na flet edhe ne ungjilltari në këtë natë të shenjtë: Jezusi nuk është personazh i së kaluarës. Ai jeton, e si i gjallë, ecën përkrah nesh: na fton ta ndjekim Atë, të gjallin, e të gjejmë kështu edhe ne, udhën e jetës.
“U ngjall… Nuk është këtu”. Kur Jezusi u pat folur për herë të parë dishepujve për kryqin e ringjalljen, ata, duke zbritur nga mali i Shndërrimit, pyesnin veten ç’do të thoshte “të ngjallesh prej së vdekuri” (Mk 9,10). Pashkët na mbushin me gëzim, sepse Krishti nuk mbeti në varr, korpi i tij nuk e njohu kalbjen; i përket botës të të gjallëve, jo asaj të të vdekurve: gëzohemi sepse Ai është – ashtu siç e shpallim në ritin e Qiriut të Pashkëve – Alfa, e në të njëjtën kohë, Omega, ‘Jezu Krishti është i njëjtë dje, sot e do të jetë për amshim’ ( cfr. Heb 13, 8). Por, në një farë mënyre ringjallja është aq jashtë horizontit tonë e përvojës sonë, sa, duke ardhur në vete, s’mund të bëjmë tjetër, veçse të vijojmë diskutimin e dishepujve: ‘Vërtetë, ç’do të thotë të ngjallesh prej së vdekuri?’. Ç’do të thotë për ne? Për botën dhe historinë në tërësinë e tyre? Një teolog gjerman pati thënë një herë me ironi se mrekullia e një kufome që rikthehet në jetë – në se kjo ka ndodhur me të vërtetë, gjë që ai nuk e besonte - në fund të fundit do të ishte një gjë pa pikë rëndësie sepse, pikërisht, kjo nuk ka të bëjë me ne. Në të vërtetë, nëse dikur një njeri i vetëm u ngjall, e asgjë më, ç’interes do të kishim neve? Po ngjallja e Krishtit, pikërisht, është diçka më tepër, diçka e ndryshme. Ajo është – në se mund të përdorim një herë gjuhën e teorisë së evolucionit – ‘ndryshimi’ më i madh, hopi cilësor absolutisht më vendimtar drejt një përmase krejtësisht të re, e cila në historinë e gjatë të jetës e të zhvillimeve të saj, nuk është parë asnjëherë: një hop cilësor i një rendi plotësisht të ri, që na përket ne e gjithë historisë.
Diskutimi, i nisur nga dishepujt, do të përfshinte pyetjet pasuese: ‘Ç’i ndodhi? Ç’do të thotë kjo për ne, për botën në terësinë e saj e për mua, personalisht? Mbi të gjitha: ç’ka ndodhur? Jezusi nuk është më në varr. Është në një jetë krejtësisht të re. Por si mundi të ndodhë kjo? Ç’forca vepruan në të? Është vendimtare të pohojmë se ky njeri, Jezusi, nuk ishte vetëm, nuk ishte një ‘Unë’ i mbyllur në vetvete. Ai ishte një gjë e vetme me Hyjin e gjallë, i bashkuar me të aq, sa të formonte me Të një vetje të vetme. Ai ishte, në se mund të shprehemi kështu, i përqafuar me Atë që është vetë jeta, një përqafim jo vetëm i ndjeshëm, por që përfshinte e depërtonte qenien e tij. Jeta e tij nuk ishte vetëm e vetja, ishte në bashkim qenësor me Hyjin, një qenie e përfshirë në Hyjin, prandaj nuk mund t’i hiqej me të vërtetë. Për dashuri, ai e la veten të mbytej, por pikërisht kështu këputi përgjithmonshmërinë e vdekjes, sepse në të ishte e pranishme përgjithmonshmëria e jetës. Ai ishte një gjë e vetme me jetën e pashkatërrueshme, në mënyrë që kjo, përmes vdekjes, shpërtheu përsëri. Po e shprehim rishtas të njëjtën gjë, duke u nisur nga një anë tjetër: Vdekja e tij qe një akt dashurie. Në Darkën e Mbrame ai e përshpejtoi vdekjen e tij dhe e shndërroi në dhanti të vetvetes. Bashkimi qenësor me Hyjin ishte konkretisht bashkim qenësor me dashurinë e Hyjit, e kjo dashuri është pushteti i vërtetë që mund vdekjen, është më i fortë se vdekja. Ringjallja ishte si një shpërthim drite, shpërthim dashurie, që zgjidhi gërshetimin deri atëherë të pazgjidhshëm “krijim e shkatërrim”, “Krijim e flijim”. Përuroi, kështu, një përmasë të re të qenies, të jetës, në të cilën, në mënyrë të shndërruar, integrohet edhe materia e përmes së cilës lind një botë e re.
Është e qartë se kjo ngjarje e jashtzakonshme nuk është ndonjë mrekulli e së kaluarës, të cilën mund ta shikojmë edhe me indiferencë. Është një hop cilësor i ‘evolucionit’ dhe i jetës në përgjithësi drejt një jete të re të ardhme, drejt një bote të re që, duke u nisur nga Krishti, tashmë depërton vazhdimisht në botën tonë, e shndërron dhe e tërheq në vetevete. Por, si ngjet kjo? Si është e mundur që kjo ngjarje të arrijë njëmend tek unë e ta tërheqë jetën time drejt vetes e drejt lartësisë? Përgjigja, ndoshta për një çast e çuditshme, por megjithatë e vërtetë, është: një ngjarje e tillë vjen tek unë përmes fesë dhe Pagëzimit. Prandaj Pagëzimi bën pjesë në Natën e Pashkëve, siç nënvizon edhe në këtë kremtim dhënia e Sakramenteve të para të jetës së krishterë disa të rriturve, ardhur nga vende të ndryshme. Pagëzimi do të thotë pikërisht këtë, se nuk bëhet fjalë për një ngjarje të kaluar, por se një hop cilësor i historisë universale vjen tek unë, duke më rrokur, për të më tërhequr. Pagëzimi është diçka krejt e ndryshme nga shoqërizimi kishtar, nga një rit paksa jashtë mode e i ndërlikuar për t’i bërë njerëzit pjesëtar të Kishës. Është diçka më tepër se një larje e thjeshtë, se një lloj pastrimi e zbukurimi të shpirtit. Është përnjëmend vdekja e ringjallja, rilindja, shndërrimi në një jetë të re.
Si mund ta kuptojmë këtë? Mendoj se ajo që ndodh në Pagëzim na bëhet më e qartë, në se shikojmë pjesën e fundit të biografisë shpirtërore, që Shën Pali na dhuroi në Letrën e tij drejtuar Galatëve. Ajo mbyllet me fjalët që përbëjnë edhe thelbin e kësaj biografie: “Jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti” (Gal 2, 20) Jetoj, por jo më unë. Vetvetja, thelbi i identitetit të njeriut – të këtij njeriu, Palit – ka ndryshuar. Ai jeton ende e nuk jeton më. Ka kapërcyer një ‘jo më’ e ndodhet vazhdimisht në atë ‘jo më’: Unë, por ‘jo’ më unë. Pali me këto fjalë nuk përshkruan ndonjë përvojë mistike, që ndoshta mund t’i ishte dhuruar e që, ndoshta mund të na interesonte dhe ne në pikëpamje historike. Jo, kjo frazë shpreh atë që ka ndodhur në Pagëzim. Mua më hiqet vetvetja e përfshihet në një subjekt më të madh. Atëherë vetvetja ime është përsëri, por e shndërruar, e hapur përmes përfshirjes tek tjetri, në të cilin fiton një përmasë të re jete. Pali na e shpjegon të njëjtën gjë edhe një herë në një këndvështrim të ri kur, në Kapitullin e tretë të Letrës drejtuar Galatëve, flet për ‘premtimin’, duke thënë se i është dhënë vetëm njërit: Krishtit. Vetëm ai e ka në vetvete gjithë ‘premtimin’. Por, ç’do të ndodhë me ne atëhere? Ju jeni bërë një në Krishtin – përgjigjet Pali (Gal 3, 28) . Jo një gjë e vetme, por një, një subjekt i vetëm i ri. Ky çlirim i vetvetes sonë nga izolimi, kjo e gjendur në një subjket të ri do të thotë se gjendemi në hapësirën e Hyjit, është një tërheqje në një jetë e cila ka dalë tashmë nga gërshetimi ‘krijim-shkatërrim’. Shpërthimi i madh i ringjalljes na ka rrokur në Pagëzim për të na tërhequr nga vetja. Kështu jemi pranuar në një përmasë të re të jetës, në të cilën, në mes të trazirave të kohës sonë, kemi hyrë në një farë mënyre. Ta jetosh jetën tënde si një hyrje e vazhdueshme në këtë vend të hapur: kjo do të thotë të jesh i pagëzuar, të jesh i krishterë. Është ky gëzimi i Natës së Pashkëve. Ringjallja nuk ka kaluar, ringjallja na ka arritur e na ka përfshirë. Kapemi pas Krishtit të ngjallur e e dimë se Ai na mban fort edhe atëherë kur duart tona ligështohen. E zëmë për dore, e kështu shtrëngojmë edhe duart e njëri-tjetrit. Bëhemi një subjekt i vetëm, jo vetëm një gjë e vetme. Unë, por jo më unë: kjo është formula e jetës së krishterë themeluar mbi Pagëzimin, formula e ringjalljes brënda kohës. Unë, por jo më unë: në se jetojmë në këtë mënyrë, e shndërrojmë botën. Është formulë në kundërshtim me të gjitha ideologjitë e dhunës, program që i kundërvihet korrupsionit dhe dëshirës për pushtet e pasuri.
“Unë jetoj, ju jetoni”, u thotë Jezusi në Ungjillin e Gjonit (14, 19) dishepujve të vet, dmth ne. Ne jetojmë përmes bashkimit ekzistencial me Të, përmes përfshirjes në Të, që është vetë jeta. Jetën e amshuar, pavdekësinë e lume, nuk e kemi nga vetvetja e nuk e kemi në vetvete, por përmes një lidhjeje, përmes bashkimit ekzistencial me Atë që është e Vërteta e Dashuria e, prandaj, është i amshuar, është vetë Hyji. Vetë pashkatrrueshmëria e thjeshtë e shpirtit nuk do të mund të na e jepte kuptimin e një jete të amshuar, nuk do të mund të na e japë jetën e vërtetë. Jeta na vjen, sepse na do Ai që është Jeta; na vjen, nga që jetojmë me Të e e duam Atë. Unë, por jo më unë: është kjo udha e kryqit, udhë të cilën e kapërcen një jetë e mbyllur vetëm në vetvete, për të hyrë kështu në shtegun e gëzimit të vërtetë, që s’ mbaron. Kështu mund të këndojmë plot gëzim, së bashku me Kishën, në Exultet: “Të gëzojë kori i engjëjve… të galdojë toka!”. Ringjallja është ngjarje kozmike, që përfshin qiellin e tokën e i bashkon njëra me tjetrën. E akoma me Exultet mund të shpallim: “Krishti, biri yt, i ngjallur prej së vdekurish, bën që të ndrisë ndër njerëz drita e kthjelltë, e mbretëron në shekuj të shekujve! Amen!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.