Emisionin e 15 prillit ia kushtojmë të Shtunës së Madhe, Natës së Shenjtë të Pashkëve.
E Shtunja e Madhe
e Pashkëve është dita e varrimit dhe e heshtjes. Mirëpo në barkun e tokës ruhet e
rritet porsi fara, fidanishtja e jetës së re. Në këtë natë të shenjtënueshme,
në të cilën Jezu Krishti, Zoti ynë kaloj nga vdekja në jetë, Kisha, e përhapur kudo
në botë, i thërret bijtë e vet të rrijnë zgjuar në uratë. Në këtë natë të shenjtueshme,
e rijetojmë Pashkën e Zotit përmes dëgjimit të Fjalës Hyjnore dhe pjesëmarrjes në
Sakramente; Krishti i ngjallur do ta përforcojë në ne shpresën e pjesëmarrjes tonë
në fitoren e tij mbi vdekjen e të jetojmë me të në Zotin Atë. Kremtimi i Natës
së Ngjalljes së Jezu Krishtit është zemra e thelbi i krishtenimit, këndej qendra e
kulmi i tërë vitit liturgjik kishtar. Besimtarët e krishterë, në këtë Natë të Shenjtueshme,
janë në pritje të kumtimit të Lajmit të Mirë të Ngjalljes së Shpëtimtarit të botës,
Jezu Krishtit. E liturgjia e Vigjiljes së Pashkëve rregullohet në disa pjesë, rite
e simbole, që do t’i përshkojmë e përshkruajmë shkurtimisht në këtë emision kushtuar
Natës së Pashkëve, e cila është quajtur e konsideruar me të drejtë si “Nëna e të gjitha
netëve të lutjes”.