2006-04-14 17:01:07

Benedikti XVI kryeson Udhën e Kryqit në Koloseo. Autor i meditimeve është imzot Angjelo Komastri


(14. 04. 06 R. V.)Sonte, në orën 21. 10, në Koloseo filloi Udha e Kryqit, që transmetohet me mondovizion në Rai 1. Është e para Udhë Kryqi e kryesuar nga Papa Benedikti XVI i cili do të mbartë kryqin në stacionin e parë e të fundit. Meditimet janë shkruar nga Imzot Angelo Komastri, Vikar i Përgjithshëm i Shenjtërisë së Tij për Qytetin e Vatikanit dhe Drejtor i Fabrikës së Shën Pjetrit. Na kujtojnë dramën e ndarjes së botës në vila e baraka, sulmin djallëzor mbi familjen, kuptimin e Kryqit dhe shembullin e shumë shenjtorëve, si Shën Françesku i Asisit, Nënë Tereza e edhe Gjon Pali II. Këto janë disa nga temat kryesore që do të preken në meditimet Udhës së Kryqit të së Premtes së Madhe. Tema e rikthimit të mëkatit përmes indiferencës ndaj tij, e përhapur në kulturën bashkëkohore, përbën fillin e kuq të reflektimeve e të lutjeve të kremtimit. Në meditimin për stacionin e tretë pohohet. “E kemi humbur kuptimin e mëkatit. Sot, me një propagandë mashtruese, po përhapet apologjia e çmendur e së keqes, kulti absurd i shejtanit, dëshira e marrë për të shkelur ligjin, liria e rreme dhe e paqëndrueshme, që himnizon tekat, vesin, egoizmin, duke i paraqitur si fitore të qytetërimit.
Meditimet e Udhës së sivjetme të Kryqit për të Premten e Madhe u publikuan të hënën, më 11 prill, nga Shtëpia Botuese e Vatikanit dhe u shpërndanë njëkohësisht në Gjermani e në SHBA, vende ku u publikuan nga shtëpitë Botuese Herder e Ignatuis Press.
Dy fjalë për të na shoqëruar, në sa ndjekim Udhën e Kryqit:
Duke ndjekur Udhën e Kryqit na krijohen rrufeshëm dy bindje: bindja mbi fuqinë shkatrrimtare të mëkatit e bindja mbi fuqinë shëruese të dashurisë së Hyjit.
Fuqia shkatrrimtare e mëkatit: Bibla nuk lodhet së përsërituri se e keqja është e keqe sepse bën keq: mëkati është vetdënim, sepse krimi përmban brënda vetes edhe ndeshkimin. Ja disa tekste tepër të qarta të Jeremisë profet: “Ata shkuan pas kotësisë dhe u bënë të kotë” (Jer. 2, 5); “Po të dënon fajësia jote, po të ndeshkon cubnia jote. Dije e shih sa gjë e keqe e e hidhur është të kesh lënë Hyjin tënd e të mos dridhesh më përpara meje” (Jer, 2, 19); “Fajet tuaja e çrregulluan këtë rend, mëkatet tuaja jua humbën mirëqenien”. (Jer. 5, 25)
E Izaia nuk është më pak i ashpër: “Prandaj kështu foli Shenjti i Izraelit: ‘Për arsye se e përbuzët këtë fjalë e shpresoni në mbrapshti e në pabesi dhe në to e mbështetni veten, këndej për ju ky mëkat do të jetë posi plasa, porsi vendi i fryrë në mur të lartë, që rrenohet në çast, kur nuk pritet; do të coptohet si një enë dheu, do të thërmohet pa farë mëshire; asnjë copëz s’do të mbesë prej saj, as sa të kapësh me të një gacë nga zjarri, o prej pusit të nxjerrësh një pikë ujë”. (Is. 30, 12-14). E, duke folur në përkim me ndjenjat më të thella të popullit të Zotit, profeti ngre me forcë zërin: “Të gjithë ne jemi bërë si i papastri, si petk i ndytë - të gjitha drejtësitë tona: të gjithë u vyshkëm porsi gjethi, të këqijat tona na flakin si era”. (Is. 64, 5).
Por njëkohësisht profetët ngrenë zërin edhe kundër gurëzimit të zemrës, që ka si pasojë verbërinë. Kështu njeriu nuk arrin më të shikojë sa i rëndë është mëkati. Të dëgjojmë Jereminë: “Prej më të voglit deri në më të madhin, të gjithë janë dhënë pas horrjatisë, nga profeti te prifti, të gjithë po bëjnë dredhi. Mendjelehtas mjekojnë plagën e popullit tim e thonë: ‘ Paqe! Paqe!’. Po paqe nuk ka. Duhej të turpëroheshin për mbrapshtitë e tyre, por s’u vjen marre aspak; nuk dinë as të skuqen!”(Jer 6, 13-15)

Jezusi, duke hyrë brënda historisë të mbushur përplot me mëkate, mori mbi vete barrën e dhunës së mëkateve tona: prandaj duke e parë Jezusin, kuptohet qartë sa shkatrrimtar është mëkati e sa e sëmurë është familja njerëzore, dmth ne! Ti e unë!
Por, ka edhe një bindje të tretë. Jezusi iu përgjigj mburrjes sonë me përvujtëri; dhunës sonë me butësi, urrejtjes sonë me dashurinë që di të falë. Kryqi është ngjarja permes së cilës Dashuria e Zotit hyn në historinë tonë, vjen pranë nesh, bëhet përvojë që shëron e shpëton.
Nuk mund të ikim nga një fakt: që në fillim të misionit, Jezusi flet për ‘orën e tij’ (Gjn. 2, 4), orë për të cilën ka ardhur (Gjn. 12, 27), orë të cilën e përshëndet me gëzim, duke brohoritur në fillim të Mundimeve të veta: “ Arriti koha!”.
Kisha e ruan me kujdes të madh kujtimin e këtij fakti e, në Besojmë, pasi pohon se Biri i Zotit “u mishërua në kraharorin e Virgjërës Mari e u bë njeri” menjëherë kujton “U kryqëzua për ne nën Poncin Pilat, vdiq e u varros”.
U kryqëzua për ne! Jezusi, duke vdekur, provoi përvojën dramatike të vdekjes, ashtu siç është bërë nga mëkatet tona: por, duke vdekur, Jezusi e mbushi vdekjen me dashuri, dmth me praninë e Zotit: atëherë mund të themi me plot gojën se me vdekjen e Jezusit, vdekja u mund, sepse Krishti e mbushi vdekjen me forcën e kundërt të mëkatit që e lindi vdekjen: Jezusi e mbushi me dashuri.
Përmes fesë e pagëzimit ne jemi njohur me vdekjen e Krishtit, dmth me misterin e Dashurisë me të cilin Krishti e jetoi vdekjen edhe fitoi mbi të. E kështu nis shtegtimi i kthimit tonë tek Zoti, kthim që do të përplotësohet në çastin e vdekjes sonë të jetuar në Krishtin e me Krishtin: dmth në Dashuri.
Duke ndjekur Udhën e Kryqit, të zënë për dore me Marinë, t’i lutemi Krishtit të na dhurojë një thërrime nga përvujtëria e nga butësia e tij, në mënyrë që dashuria e Krishtit të Kryqëzuar të hyjë brënda nesh e të na dhurojë një zemër të re sipas masës së zemrës së Zotit.

Lutja e Hyrjes:
O Zot, Jezus,
mundimet tua
janë historia e mbarë njerëzimit:
ajo histori në të cilën të mirët poshtërohen,
të butët... kërcënohen,
të ndershmit… shtypen
e ata që e kanë zemrën e pastër, vihen keqas në lojë.

Kush do të jetë fitimtari?
Kush do ta thotë fjalën e fundit?

O Zot Jezus,
ne besojmë se Ti je fjala e fundit:
në Ty të mirët tashmë kanë fituar,
në Ty të butët kanë ngadhënjyer tashmë,
në Ty të ndershmit kurorëzohen
e zemërpastrit ndrisin si yjet nëpër natë.

O Zot Jezus,
sonte po përshkojmë udhën e kryqit tënd,
duke e ditur mirë se është edhe udha jonë.
Por një bindje na ndrit:
udha nuk mbaron mbi kryq,
udha vijon,
shkon në Mbretërinë e Jetës
e në shpërthimin e Gëzimit
që më askush s’do të mund të na e rrëmbejë!

Lexuesi:
O Jezus, ndalohem mendueshëm
tek këmbët e kryqit tënd:
‘E kam ndërtuar edhe unë me mëkatet e mia!
Mirësia jote, që nuk mbrohet
e pranon të kryqëzohet
është mister që i kalon kufijtë e kuptimit tim
e më prekë thellësisht.

O Zot, ke ardhur në botë për mua,
për të më kërkuar, për të më prirë
drejt përqafimit të Atit:
përqafimit që më mungon!

Ti je Fytyra e mirësisë
e e mëshirës;
prandaj dëshiron të më shpëtosh!

Në shpirtin tim ka tepër egoizëm:
eja me dhëmbshurinë tënde të pafund!
Në shpirtin tim ka mburrje e ligësi,
eja me butësinë e përvujtërinë tënde!

O Zot, jam unë mëkatari që shpëtimin pret,
Jam djali plangprishës që duhet të kthehet!
O Zot ma fal dhantinë e lotëve ndër sy,
Për të gjetur lirinë e jetën
Paqen me Ty e gëzimin me Ty.
***
Pas kësaj hyrjeje, Udha e Kryqit vijon duke ndjekur rendin e vet tradicional, me 14 ndalesa, duke filluar nga Ndalesa apo Stacioni i parë, kur Jezusi dënohet me vdekje; stacioni i dytë, kur Krishti ngarkohet me kryq; stacioni i tretë - kur Zoti rrëzohet për të parën herë; i katërti – i takimit me Nënën; stacioni i pestë, që na kujton çastin kur Simoni nga Cireneja e ndihmon Krishtin për të mbartur kryqin; i gjashti – kur Veronika fshin gjakun e djersën nga fytyra e Jezusit; stacioni i shtatët, me rënien për herë të dytë, i pasuar nga i tetëti, kur Jezusi takohet me gratë e Jeruzalemit; pastaj rënia e tretë në stacionin e nëntë , ndarja me short e petkave të Zotit ndërmjet ushtarëve në stacionin e dhjetët. E më pas, Udha e Kryqit i afrohet kulmeve të veta, me gozhdimin e Krishtit në kryq në stacionin e dhjetët dhe vdekjen, në të njëmbëdhjetin.
Në stacionin e dymbëdhjetë ftohemi të meditojmë:
Njeriu marrëzisht mendoi: Zoti vdiq.
Por në se vdes Zoti, kush do të vijojë të na japë jetë?
Në se vdes Zoti, ç’është vetë jeta?...
Nga kryqi lind jeta e re e Saulit,
nga kryqi lind pendimi i Shën Agostinit,
nga kryqi lind varfëria e lumtur e Françeskut të Asizit,
nga kryqi lind mirësia rrezëlluese e Shën Vinçencit të Paolit;
nga Kryqi lind heroizmi i Maksimilian Kolbes,
nga Kryqi lind bamirësia e mrekullueshme e Nënë Terezës,
nga kryqi lind guximi i Gjon Palit II,
nga kryqi lind revolucioni i dashurisë!

Prandaj Kryqi nuk është vdekja e Zotit,
por është lindja e dashurisë së tij në botë!
Bekuar qoftë Kryqi i Krishtit!
Të falënderojmë, Jezus!

Po ndalemi një çast në heshtje, në meditim, për ta ndjekur më pas Jezu Krishtin e kryqëzuar e të vdekur mbi kryq për mëkatet tona, në dy stacionet e fundit: të trembëdhjetin, kur trupi i Zotit zbritet nga kryqi e i dorëzohet Nënës së Dhimbshme e të katërmbëdhjetin, kur trupi hyjnor vendoset në Varr.

Meditim:
Krimi u krye,
ne e mbytëm Jezusin!

E plagët e Krishtit përvëlojnë
në zemrën e Marisë,
ndërsa një dhëmbshuri e vetme
rrok Nënë e Bir.

Dhëmbshuria! Po, dhëmbshuria,
bërtet, prek në shpirt, plagos
edhe njeriun që është mësuar
të hapi plagë.

Dhëmbshuria! Neve na duket
se po na dhimset Zoti,
por në të vërtetë- përsëri-
jemi ne që i dhimbsemi Zotit.


Dhëmbshuri!
Po dhëmbja s’është e pashpresë
e nuk do të jetë kurrë më,
s pse Zoti ka ardhur të vuajë për ne.
Kur je me Zotin thua mund të dëshprohesh?
 
Lutje:
O Mari,
kur përqafon tënd Bir, ti përqafon çdo bir,
ndjen dhëmbjen e të gjitha zemrave amtare.

O Mari,
ti Nënë e Dhimbshme… ti që beson!
Beson se retë nuk e shuajnë diellin,
beson se nata përgatitë agimin.

O Mari,
ti që këndove Magnificat,
nisja këngës që dhimbjen e mund,
ashtu si foshnja dhimbjen e lindjes.

O Mari, lutu për ne!
Lutu që edhe për ne të agojë
dita e bardhë e shpresës.

Stacioni i katërmbëdhjetët

Jezusin e vendosin në varr

 
Meditim

 
Jeta nganjëherë i ngjet
një së shtune shenjte të gjatë, të pikëlluar.
Gjithçka të duket e kotë.
Të duket se i mbrapshti ngadhënjen,
se e keqja është shumë më e fortë
sesa e mira.

Por feja na bën të shikojmë larg,
na bën të dallojmë agun e një dite të re,
përtej ditës së pikëlluar.
Feja na siguron se fjala e fundit
i takon Zotit: vetëm Zotit!

Feja është vërtetë një llambë e vogël
që ndrin natën e botës:
drita e saj e përvujtë shkrihet
me dritat e para të ditës,
ditës së Krishtit të Ngjallur.

Historia nuk mbaron në varr,
por shpërthen në varr:
kështu ka premtuar Jezusi,
kështu ka ndodhur e do të ndodhë.

Lutje:
O Zot Jezus,
e Premtja e Madhe është ditë e errët,
ditë e urrejtjes pa arsye,
ditë e vrasjes së të Drejtit!
Po e Premtja e Madhe s’është fjala e fundit:
fjala e fundme
është drita që rindizet
dashuria që fiton mbi çdo urrejtje.

O Zot Jezus,
në sa jetojmë të premten tonë të madhe,
e në të rijeton ankthi i të gjitha të premteve të mëdha,
na jep fenë guximtare të Marisë
për të besuar në vertetësinë e Pashkëve;
na jep vështrimin e saj të kthjelltë,
për të parë vezullimet
që kumtojnë ditën e fundit të historisë:
“Një qiell të ri e një tokë të re”,
që nisin në Ty,
o Jezus i Kryqëzuar e i Ngjallur! Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.