2006-04-13 18:00:42

Në Meshën e Bagmit Benedikti XVI theksoi: meshtari të jetë njeri i lutjes, mik i Krishtit. Pasdite, në Lateran, Mesha in Coena Domini


RealAudioMP3 ( 13. 04. 06 R. V. ) Nga miqësia shpirtërore me Krishtin buron misioni i meshtarit, i cili duhet të jetë njeri i lutjes - kështu u shpreh Papa në homelinë e Meshës së Bagmit, kremtuar sot paradite në Bazilikën e Shën Pjetrit, ndërsa pasdite, duke kremtuar Meshën e Darkës së Mbrame të Krishtit në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, theksoi forcën e pastrimit shpirtëror e të faljes.
Sot paradite, në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan u kremtua Mesha solemne e Bagmit, kryesuar nga Benedikti XVI. Liturgjia e paradites, që mblodhi rreth Papës kardinajtë, ipeshkvijtë dhe klerin e pranishëm në Romë, i parapriu riteve të Triditshes së Pashkëve. Në homelinë e rastit, Ati i Shenjtë foli kryesisht për domethënien e meshtarisë. Ndër impenjimet e para të thirrjes meshtarake - pohoi Benedikti XVI – është që njeriu i cili dëshiron ta ndjekë këtë rrugë, të jetë njeri i lutjes së thellë.
“Nuk ju quaj më shërbëtorë, por miq”. Kjo frazë e Jezusit mund të përdoret mrekullisht për të dalluar institucionin e meshtarisë. Benedikti XVI e theksoi sot përballë bashkëpunëtorëve të vet, prelatëve të pranishëm në bazilikën përplot me besimtarë, që në orët e para të së Enjtes së Madhe dhe të gjithë meshtarëve, së bashku me të cilët, në kohë e rrethana të ndryshme, i është përgjigjur me një ‘po’ të vendosur ftesës “Eja pas meje’ të Krishtit. E mbi këta miq – pohoi Papa që në fillim të homelisë - Krishti ka vënë duart e veta e pastaj i ka lyer me vaj, shenjë e Shpirtit Shenjt dhe e forcës së tij.
Zoti na ka vënë duart mbi kokë e tani i do duart tona që të bëhen në botë duart e tija. Dëshiron të mos jenë më mjete që na shërbejnë për t’i marrë gjërat, njerëzit e botën vetëm për vete, për t’i bërë pronë tonën, por për të transmetuar prekjen e tij hyjnore, duke i vënë në shërbim të dashurisë”.
Menjëherë pas homelisë dhe përsëritjes së premtimeve meshtarake, Papa bekoi vajrat e shenjta – bagmin, vajin e katekumenëve e atë të të sëmurëve, që këtë vit kanë ardhur nga Spanja, ndërsa profumi për bagmin është përgatitur në Kalangjianos të Sardenjës. Vajosja e meshtarëve, ashtu si bëhej në të kaluarën, për mbretin – pohoi Benedikti XVI - është shenjë e pranimit në një detyrë, përmes së cilës i zgjedhuri vihet në shërbim të një më të madhi se ai vetë. Po Krishti – u tha Papa meshtarëve, bën diçka më tepër. “Na bën miqtë e tij, na e beson gjithçka, na beson vetveten”.
“Nuk ju quaj më shërbëtorë, por miq. Ky është kuptimi i thellë i të qenit meshtar: të bëhesh mik i Jezu Krishtit. Për këtë miqësi duhet të impenjohemi çdo ditë. Miqësi do të thotë bashkësi mendimesh e dëshirash. E të kesh të njëjtat mendime nuk është diçka thjeshtë intelektuale: është bashkësi e ndjenjave e e dëshirave, do me thënë edhe e veprimeve”.
Por, në ç’mënyrë duhet vepruar? Papa ravijëzoi me qartësi të plotë portretin ideal të meshtarit. Si mik i Krishtit - nënvizoi Shenjtëria e Tij – meshtari duhet ta dëgjojë Jezusin në mënyrë të thelluar, në lectio divina ose duke lexuar Shkrimin Shenjt jo në mënyrë akademike, por shpirtërore. Meshtari duhet të jetë, mbi të gjitha njeriu i lutjes, nga e cila pastaj varet veprimi, i ndryshëm nga dinamizmi i njeriut bashkëkohor:
“Aktivizmi i thjeshtë mund të jetë edhe heroik. Por mënyra e jashtme e të vepruarit, në fund të fundit, mbetet pa fryt dhe e humbet vlerën, në se nuk lind nga bashkimi i thellë me Krishtin. Bota, në aktivizmin e saj të ethshëm, shpesh herë e humbet drejtimin. Mënyra si vepron dhe aftësitë e saj bëhen shkatrrimtare, në se mungojnë forcat e lutjes, nga e cila burojnë ujërat e jetës, që e bëjnë pjellore tokën e thatë”.
Benedikti XVI e përfundoi homelinë duke ripohuar se ‘bota ka nevojë për Zotin, e jo për çfarëdo lloj zoti, por për Zotin e Jezu Krishtit, për të cilin çdo meshtar duhet të shkrijë gjithë vetveten. Ashtu siç bëri një njeri i Zotit, që humbi jetën për misionin e tij:
“Dëshiroj ta përfundoj këtë homeli me një fjalë të Andrea Santoros, meshtarit të dioqezës së Romës që u vra në Trebizondë, ndërsa lutej. Ja edhe fjala: ‘Jam këtu për të banuar mes të këtyre njerëzve e për të bërë që të banojë edhe Jezusi, duke ia falur korpin tim... Njeriu bëhet i aftë për shëlbim vetëm në se dhuron korpin e vet. Jezusi u mishërua si ne. T’ia dhurojmë korpin tonë, e në këtë mënyrë ai mund të vijë në këtë botë e ta shndërrojë!”.
Pasdite, duke filluar nga ora 17. 30, Benedikti XVI kremtoi Meshën e Darkës së Mbrame të Jezusit në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran.
“Duke i pasë dashur të tijtë, që ishin në botë, i deshi deri në fund të fundit” – me këtë citim nga Ungjilli i Shën Gjonit Apostull e filloi Papa homelinë e Meshës ‘in Coena Domini” – në përkujtim të Darkës së Mbrame të Krishtit. Zoti – vijoi Benedikti XVI – e do njeriun; e do edhe kur rrëzohet e nuk e lë në mëshirën e fatit. Ai e do deri në fund të fundit. Shtyhet, me dashurinë e tij, deri në fund të fundit, deri në kulm, deri në zbritjen nga lavdia e tij hyjnore. Gjunjëzohet para nesh e na bën shërbimin e skllavit; na lan këmbët e papastra, që të jemi të denjë për të zënë vend në tryezën e Zotit, gjë që ne vetë nuk mundemi as nuk duhet ta bëjmë kurrë.
Zoti nuk është Zot i largët, tepër i ftohtë e tepër i madh për t’u marrë me vogëlimat tona. Por pikërisht nga që është i madh, mund të interesohet edhe për gjëra të vogla. Nga që Ai është i madh, shpirti i njeriut, vetë njeriu i krijuar për dashuri të amshuar, nuk është gjë e vogël, por e madhe dhe e denjë për dashurinë e Tij – thekosi Papa. Më pas, duke e lidhur ngushtë fillin e homelisë me leximet liturgjike të Meshës që po kryesonte, Ati i Shenjtë nxiti reflektimin mbi Zotin që zbret nga qielli e bëhet skllav, na lan këmbët, që të mund të rrimë denjësisht në tryezën e tij. E në këtë gjen shprehjen e vet gjithë misteri i Jezu Krishtit, bëhet i dukshëm gjithë kuptimi i shëlbimit . Uji me të cilin na lan, është dashuria e tij, gati për të përballuar vdekjen. Vetëm dashuria e ka këtë forcë pastruese, që na e zhduk ndyrësinë tonë e na ngre në lartësinë e Hyjit. Ai vijon të jetë gjithnjë dashuri që pastron përmes sakramenteve të pastrimit – Pagëzimit e Rrëfimit. Ai vijon të gjunjëzohet në këmbët tona e na bën shërbimin e skllavit, shërbimin e pastrimit, na bën të aftë për Hyjin.
Papa e vijoi homelinë duke cituar përsëri Ungjillin e pikërisht shprehjen “Ju jeni të pastër, por jo të gjithë”. E prej këndej – theksoi Shenjtëria e Tij- lind pyetja: “Ç’e bën njeriun të papastër? Është mospranimi i dashurisë, mungesa e dëshirës për t’u dashur, e aftësisë për të dashur. Është kryelartësia që beson se nuk ka nevojë për kurrfarë pastrimi, që s’e pranon mirësinë shëlbuese të Hyjit. Është mburrja që nuk do të rrëfejë e të pranojë se kemi nevojë për pastrim. E natyrën e këtij mospranimi e shikojmë qartë tek Juda. Ai e vlerëson Jezusin sipas kategorive të pushtetit e të suksesit: për të, vetëm pushteti e suksesi janë realitet, dashuria nuk vlen asgjë. Ai ka etje për pasje: për të, paraja ka më tepër vlerë sesa bashkimi me Jezusin, është më e rëndësishme se Zoti i dashurisë së tij. – nënvizoi Benedikti XVI dhe në vijim shpjegoi se në këtë mënyrë zemra e njeriut bëhet gur e ai, i paaftë për t’u penduar, për t’u rikthyer plot besim si djali plangprishës. Kështu e flak tutje jetën e tij të shkatërruar.
E Zoti – vërejti Papa – edhe sot na e kujton këtë paaftësi që i vë cak dashurisë së tij të pacak. E edhe sot Zoti na fton, sado të humbur ta ndjejmë veten, të kthehemi në shtëpi, ta lemë të na ngrejë, të na pastrojë e të na bëjë të denjë të hyjmë në darkë me të, me vetë Hyjin. Kështu – tha në përfundim Benedikti XVI – Zoti na pastron nga ndyrësia jonë me forcën spastruese të mirësisë së tij. T’ia lash këmbët njëri-tjetrit do të thotë mbi të gjitha, ta falësh pambarimisht njëri-tjetrin, të rifillosh përsëri, edhe atëherë kur kjo duket fare e kotë. Krishti na pastron, e prandaj mund të marrim pjesë gjithmonë në dasmën e Zotit. Amen!







All the contents on this site are copyrighted ©.