( 12. 04. 06 R. V. )Hidhërim për situatën tragjike në Tokën Shenjte, por edhe shumë
forcë për të shpallur pasurinë dhe fuqinë e dashurisë së Zotit dhe shpresën që buron
nga aftësia për t’i dashur izraelitë e palestinezë. Kjo është sinteza e Mesazhit të
Pashkëve drejtuar besimtarëve nga Patriku i Latinëve i Jeruzalemit, imzot Mishel Sabah. Hidhërohemi
– pohon Patriku - kur jeta jonë e përditshme është tepër larg vizionit të Zotit me
ne, të dashurisë së tij për të gjithë e frytit të Shpirtit Shenjt në shpirtin tonë.
E kjo, sepse veprimtaria e prijësve, ashtu si edhe e individëve dhe e grupeve, zhvillohet
sipas logjikës se duhet vrarë për të mbijetuar, se duhet urryer, për të mundur frikën
e shtypjen. E pra – vijon Imzot Sabah – pavarësisht nga një realitet i tillë i hidhur,
duhet të shpallim e të rishpallim se toka ku Zoti ka folur e në të cilën e ka bërë
të njohur dashurinë e tij për të gjithë, duhet të mbetet tokë e Hyjit. Ne jemi
të aftë për të dashur e për të zbatuar drejtësinë, të aftë për t’u çliruar nga vdekja
që deri tani na u imponua prej frikës, lindur për shkak të dhunës e të terrorizmit;
për t’u çliruar nga pushtimi, që na u imponua prej ligjit të më të fortit si dhe nga
logjika e vdekjes dhe e urrejtjes. Por duhet të nisemi nga parime të reja, nga një
vizion i ri i jetës, duke u bërë thirrje me gjithë zemër shkaktarëve të kësaj tragjedie
pa fund: “Ju që vrisni, mos vrisni më; ju që urreni, mos urreni më; ju që pushtoni
toka, kthejuani të zotëve, sepse vetëm dashuria e besimi mund të na ndihmojnë për
ta rifituar lirinë e humbur, sigurinë e zhdukur e pavarësinë e dëshiruar. Sigurisht
– pranon Imzot Sabah – një gjuhë e tillë është e huaj për të gjithë ata që mbajnë
në dorë frerët e pushtetit. Prandaj Patriku u drejtohet edhe atyre, duke pohuar: “Edhe
ju jeni të aftë të doni, të jetoni e t’i shndërroni marrëdhëniet ndërmjet dy popujve
të Tokës së Shenjtë në marrëdhënie jete e paqeje e unë ju uroj të tërëve për Pashkët
e krishtera, të gjitha bekimet e Zotit!