Sot pasdite Kardinali Staford kryesoi, në emër të Papës, Ritin e Pendesës në Bazilikën
e Shën Pjetrit në Vatikan. Për faljen e krishterë, reflektim i Atë Kantalamesës
( 11. 04. 06
R. V. )Sot pasdite, në sa Kisha përkujtoi të Martën e Madhe, në Bazilikën e Shën
Pjetrit në Vatikan u kremtua riti i pajtimit me Zotin, i kryesuar nga Kryependestari,
kardinali Xhejms Frensis Staford, i ngarkuar nga Benedikti XVI. Kryependestari
rrëfeu individualisht dhe u zgjidhi mëkatet disa pendestarëve dhe në vijim kremtoi
ritin e pendesës. Në reflektimin e mbajtur gjatë këtij riti, Kardinali Staford
vuri në qëndër të vëmendjes faljen. Kisha kërkon të lutemi për faljen. Pendestari
lutet që për të të ketë mëshirë Jezusi, i cili e përuli veten, duke u bindur deri
në vdekje e në vdekjen në Kryq. Por, - vijoi Hirësia e Tij – sot shumë njerëz mendojnë
se falja është tepër e vështirë. Sipas tyre, është e pamundur të falësh atë që ka
ndodhur, sepse ngjarjet e ndodhura nuk mund të shlyhen më. Pastaj disa veprime njerëzore,
siç është për shembull ushtrimi i dhunës kundër fëmijëve ose vrasja në masë e njerëzve
të pafajshëm, janë aq të mbrapshta, sa vështirë të harrohen, e në se kujtohen, është
edhe më e vështirë të falen. Atëherë a duhet të mendojmë se falja është e pamundur?
Kush duhet të falë? Këtyre pyetjeve u jep përgjigje Java e Madhe: “Po, falja është
e mundur!” – tha Kardinali Staford. E kjo sepse Zoti i mishëruar u bë viktimë sovrane
dhe meshtar i amshuar. Biri i njeriut erdhi për të dhënë jetën e vet në shpërblim
të shumkujt. Jezusi mori mbi vete të gjitha mëkatet njerëzore, të së kaluarës, të
së sotmes e të së nesërmes. Të rinj e pleq shikojnë në mundimet e Krishtit të gjitha
mëkatet e botës dhe faljen e tyre nga Zoti. Njeriu Hyjnor, i pamëkat, u dorëzohet
mëkatarëve, duke fituar kështu mbi mëkatin e mbi vdekjen. Zoti i qëndron besnik premtimit
të vet e nuk i kujton më mëkatet e njerëzve – nënvizoi Kryependestari papnor. Në
vijim Hirësia e tij vuri theksin tek rrëmimi i ndërgjegjes që duhet të bëjë çdo besimtar,
para se të gjunjëzohet në rrëfyestore dhe propozoi këto pyetje, që presin përgjigje
në rrëfim: -A i braktis mburrjen, zilinë e ambicionin për të ndjekur rrugën plot
përvujtëri të Jezusit? A i nënshtrohem plotësisht vullnesës së Zotit? A jam gati të
gjykohem prej tij, në vend që të gjykoj? A e kaloj shumicën e kohës duke lexuar gazeta,
duke parë televizorin e duke përdorur internetin, pa i kushtuar kohën e duhur meditimit
dhe leximit të Shkrimit Shenjt? - A kam qenë i aftë për ta shenjtëruar emrin e
Zotit ndërmjet njerëzve? A e konsideroj lumturi pasjen e të mirave tokësore? A e
kam nxitur atë që ishte në dyshim ose në gabim për të ndjekur rrugën e së vërtetës
e të së mirës? - A kam qenë i vetëdijshëm se vullneti i Zotit mbi tokë realizohet
përmes konfliktit të rreptë ndërmjet korpit e shpirtit, ndërmjet qiellit e tokës?
A kam qenë i mëshirshëm, duke i falur fyerjet që më janë bërë nga të tjerët? A i kam
marrë sendet e mira me mirënjohje të thellë ndaj Zotit, duke i pranuar me durim edhe
të këqijat? A e kam pasur vullnetin për të çuar paqen ndërmjet të tjerëve, aq sa të
quhem Bir i Zotit? Këto ishin disa nga pyetjet-bazë për rrëmimin e ndërgjegjes,
pyetje të cilat Kardinali Staford i përfundoi me një kulm aktual: “Në punën time
e në kryerjen e detyrave të mia civile ose politike a e kam pranuar se përsosuria
e të gjitha lumnive arrihet atëherë kur pranojmë edhe persekutimin për të mirën e
mbretërisë së Hyjit? Se duhen ndjekur në radhë të parë ligjet e drejtësisë së re,
drejtësisë së Jezusit, ligji i agjërimit, i lutjes, i faljes?”. Të mbledhur rreth
Varrit të Shën Pjetrit Apostull – theksoi predikatari – kujtojmë se Pjetri i penduar
vendosi t’i bindej urdhërit të Jezusit, sepse e donte. Edhe pendestarët duhet të përpiqen
për t’iu bindur urdhërimeve të Tënzot vetëm për dashuri. Kardinali e përfundoi homelinë
me fjalët e Shën Palit Apostull: “Jetoj, por jo më unë, në mua jeton Krishti. E këtë
jetë që e jetoj në trup, e jetoj në fenë e Birit të Hyjit, i cili më deshi dhe flijoi
vetveten për mua”. Ftuam sot para mikrofonit të Radios sonë, predikatarin
e Shtëpisë Papnore, Atë Raniero Kantalamesën, të cilin e pyetëm pikërisht për domethënien
e krishterë të pendesës e të faljes: - Falja ka gjithnjë dy përmasa: të kërkosh
falje e të falësh. Më e rëndësishme është të kërkosh falje nga Zoti, sepse gjithçka
nis prej Tij. Ne duhet t’i falim të tjerët – thotë Shën Pali – ashtu si na fali Zoti,
në Jezu Krishtin. Prandaj në këtë Javë të Madhe, gjëja më e rëndësishme besoj se është
pikërisht të kërkojmë falje nga Zoti e ta bëjmë këtë sipas traditës së lashtë të Kishës,
që është rrëfimi: të rrëfehemi të paktën për Pashkë, thotë një Kanun që vjen në ditët
tona që nga Koncili IV Lateranens, mbledhur në kohën e Shën Françeskut. Kjo pastaj
krijon në shpirtin tonë mundësinë për t’i falur të tjerët, sepse t’i falësh të tjerët
nuk vjen nga natyra: nuk është e mundur t’i kërkohet njeriut një gjë e tillë. Kjo
mund të kërkohet vetëm nëpërmjet hirit të Zotit, duke ndjekur shembullin e Jezu Krishtit,
që na fali ne! Rrëfimi nuk mund të konsiderohet si një taksë që i duhet paguar Kishës.
Nuk duhet harruar se ky sakrament ka përmasa biblike, shëlbuese, se është takim me
Krishtin e ngjallur, që na lejon t’ia prekim plagët e të dëgjojmë prej tij fjalën
që e presin të gjithë: “ Shko në paqe, të janë falur mëkatet!"