2006-04-10 17:02:32

Si ta jetojmë Javën e Madhe


(10. 04. 06 R. V. )Me të Dielën e Larit filloi edhe Java e Madhe që do të përfundojë Natën e Pashkëve. Është periudha liturgjike më e fortë e gjithë vitit. Me ne kardinali Arinze, prefekt i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve.
- Hirësi, me ç’shpirt duhet ta jetojmë Javën e Madhe?
- Me shpirtin e fesë, të adhurimit dhe të dashurisë për Jezusin që dha jetën për ne. Me shpirtin e falënderimit për Hyjin Atë, për Birin e Shpirtin Shenjt, sepse Jezusi Shëlbues është shprehje e Mëshirës së Hyjit që nuk e la njerëzimin në gjendjen e mëkatit të rrjedhshëm, por na çoi Shpëtimtarin.
- Triditshja e Mundimeve, Vdekjes dhe Ngjalljes së Zotit është në qendër të Vitit Liturgjik…
- Pa dyshim. Kush nuk e merr vesh rëndësinë e misterit të Pashkëve, kush nuk e kupton se kremtimi i tij është kulmi i veprës së shpërblimit tonë, përmes Mundimeve, Vdekjes e Ngjalljes së Jezusit, kush nuk e shikon këtë, nuk e kupton ç’është feja e krishterë. Sigurisht, është mister…. Nuk mund të pretendojmë t’i kuptojmë të gjitha, gjithsesi Zoti pret nga ne një farë përgjigjeje për këtë ngjarje të pashembullt e të papërsëritshme.
- Po ndoshta mund të ketë shumë të krishterë që nuk e jetojnë misterin e këtij solemniteti si qendër të fesë së tyre…
- Për fat të keq, disa të krishterë nuk e jetojnë. Por ka shumë të tjerë që bëjnë ç’është e mundur për ta jetuar misterin të cilin e kremtojmë. Gjëja e parë që duhet bërë, është të marrësh pjesë në kremtimet e Javës së Madhe, të shkosh me kohë në Kishë, të kesh me vete rendorin e Meshës, në mënyrë që t’i ndjekësh mirë të gjitha leximet; të reflektosh, të lutesh e të besosh në hirin e Hyjit që vepron në ne. Kjo është gjëja e parë që duhet bërë. Është e nevojshme të studiohet edhe Katekizmi i Kishës Katolike, për të kuptuar mirë gjithçka kremtojmë.
- Ç’do të thotë të vdesësh me Krishtin, për t’u ngjallur së bashku me Të?
- Kremtimet e Javës së madhe vënë theksin mbi pendimin, mbi pagëzimin: kush beson, kush pendohet për mëkatet e veta, e pranon Krishtin, pagëzohet e fiton jetën e re që ia jep Jezusi. Ja pse është e nevojshme të përsëriten premtimet e bëra në pagëzim. E pastaj , nata e Pashkëve është nata më solemne, më solemne nga të gjitha netët festive, me marrjen e sakramentit të pagëzimit për të krishterët e rinj, me krezmimin e Eukaristinë e Shenjtnueshme.
- Feja e krishterë nuk është fe që hymnizon dhimbjen: atëherë, si mund ta pajtojmë dhimbjen e Kryqit me gëzimin e Ringjalljes?
- Në se vdekja e Jezusit mbi kryq do të ishte fundi i të gjithave, feja e krishterë do të ishte fe e dhimbjes; por Kryqi nuk është fundi i të gjithave, sepse Jezusi u ngjall në të tretën ditë, siç pati premtuar e si qe parathënë në Besëlidhjen e Vjetër. Atëhere nga Kryqi buron jeta: ashtu si djalli e gënjeu njerëzimin përmes Adamit. Kryqi i Jezu Krishit është burim jete. Prandaj ne jemi ndjekës të Jezusit Shëlbues, Jezusit të Ngjallur, Jezusit që jep jetë. E prandaj krishterimi është fe e jetës, fe e gëzimit në Krishtin e Ngjallur: është fe e jetës: jetë e hirit në këtë botë, jetë e kundrimit të Hyjit ashtu si është, në botën që do të vijë.







All the contents on this site are copyrighted ©.