Jezusi qoftë gjithnjë miku juaj më i mirë: kështu i uroi Papa të rinjtë universitarë
të Opus Dei, me të cilët u takua sot në Sallën e Palit VI
( 10. 04. 06 ) ‘Jezusi qoftë
gjithnjë miku juaj më i mirë’ – u tha Benedikti XVI të rinjve universitarë të Opus
Dei, të cilët i priti sot në Sallën e Palit VI në Vatikan, me rastin e takimit ‘Univ
2006’. Papa vuri theksin edhe mbi rolin e mjeteve të komunikimit, të cilat jo gjithnjë
përdoren në dobi të dialogut. Pas takimit të djeshëm me të rinjtë,
me rastin e Ditës së tyre të XXI Botërore, kremtuar në nivel dioqezan, sot paradite
Benedikti XVI takoi, në sallën e Palit VI në Vatikan, universitarët e Opus Dei. Gjatë
takimit, Ati i Shenjtë u foli për miqësinë e krishterë 3500 të rinjve, ardhur në Romë
nga 32 vende të botës për të jetuar Javën e Madhe dhe për të marrë pjesë në takimin
ndërkombëtar ‘Univ 2006’. Të rinjtë shoqërohen nga Imzot Havier Eçevarria, prelat
i Opus Dei. Miqësia dhe domethënia e saj e thellë për një të ri të krishterë.
Kjo ishte tema e zgjedhur nga Benedikti për fjalimin drejtuar universitarëve të Opus
Dei. Ishte një takim që u zhvillua në atmosferë posaçërisht të ngrohtë e të përzemërt,
aq sa të rinjtë e UNIV, ndonëse para kohet, i shprehën Papës edhe urimet për 79-vjetorin
e ditëlindjes, që Ati i Shenjtë do ta kremtojë më 16 prill. Është Jezusi – shpjegoi
Benedikti XVI – Ai që i drejton hapat tuaj, miqësitë tuaja në labirintin e jetës së
përditshme. E pas këtyre fjalëve, Papa u drejtoi të rinjve ftesën: “Mos e
harroni kurrë, të dashur të rinj, se nga takimi e nga miqësia me Jezusin, varet lumturia
juaj”. E di mirë se për juve – vijoi Ati i Shenjtë – miqësia dhe lidhjet
me të tjerët, posaçërisht me bashkëmoshatarët tuaj, përbëjnë një nga pjesët më të
rëndësishme të jetës së përditshme. E më pas nënvizoi se pikërisht Jezusi duhet të
jetë miku më i dashur, më i ngushtë i të rinjve dhe i të gjithë atyre që besojnë në
Të: “Është e nevojshme ta quani Jezusin një nga miqtë tuaj më të dashur, madje
mikun kryesor. Do të shihni, atëherë, sesi miqësia me Të do t’ju prijë e do t’ju mësojë
t’ua hapni zemrën të tjerëve, që i konsideroni vëllezër”. Benedikti XVI u
ndal më pas tek tema qëndrore e Kongresit të të rinjve të Opus Dei mbi rolin e kulturës
dhe të komunikimit shoqëror: “Duhet, për fat të keq, të pranojmë se jo gjithnjë
në kohën tonë teknologjitë e reja dhe mjetet e komunikimit favorizojnë marrëdhëniet
personale, dialogun e sinqertë, miqësinë ndërmjet njerëzve; jo gjithnjë ndihmojnë
për kultivimin e jetës shpirtërore e të marrëdhënieve të njeriut me Zotin”. Në
pjesën përfundimtare të fjalimit, Papa u kthye rishtas tek tema e miqësisë. Çdo i
krishterë – i nxiti të rinjtë – është i thirrur të jetë mik i Zotit e, me hirin e
Hyjit, t’i bëjë miq të Zotit edhe miqtë e vet. Dashuria apostolike – vijoi të shpjegonte
Papa – bëhet, në këtë mënyrë, pasion i vërtetë, që gjen shprehjen e vet në përpjekjen
për t’u komuniukuar edhe të tjerëve lumturinë e provuar nga takimi me Krishtin. Për
të qenë ‘apostuj të miqësisë’ - tha në përfundim Ati i Shenjtë, duke u bërë jehonë
mësimeve të themeluesit të Opus Dei, Shën Hozemaria Eskrivà de Balager, duhet të
kultivojmë miqësinë me Jezusin dhe të jemi plot zell në praktikimin e sakramenteve.
Pas fjalimit, Papa u takua nga afër me shumë të rinj dhe bisedoi me presidentin e
nderit të Republikës Italiane, Françesko Kosigën.