2006-04-09 16:46:44

“Shenjtorët e Javës”


( 09. 04. 06 R. V. ) Sot Kisha katolike kremtoi të Dielën e Larit – e Diela e Mundimeve të Zotit, duke nisur kështu Javën e Madhe. Kjo e dielë bashkon në një ngadhënjimin mbretëror të Krishtit dhe kumtimin e mundimeve të Tij.
Nesër, e Hëna e Madhe, Kisha katolike do të përkujtojë edhe Shën Madalenën Kanosa, virgjër, themeluese e Bijëve e Bijave të dashurisë.
Të Martën e Madhe do të përkujtohen Shën Stanislao, ipeshkëv i Krakovisë e martir dhe Shën Gjema Galgani, virgjër terciare pasioniste.
Të Mërkurën e Madhe do të përkujtohet Shën Juli I papë e martir
Të enjten nis TRIDITSHJA e Mundimeve dhe e Ngjalljes së Zotit, "kulm i gjithë vitit liturgjik". Fillon me Meshën e Darkës së fundit të Krishtit, gjen thelbin e vet në natën e pagjumë të Pashkëve dhe përfundon me lutjet mbrëmësore të së Dielës së Ngjalljes.
Të Enjten e Madhe, kremtohet Mesha e Bagmit dhe Mesha e Darkës së Fundit të Krishtit. Me këtë Meshë, Kisha kujton darkën e fundit, gjatë së cilës Zoti ynë, Jezu Krishti, në natën kur po tradhtohej, duke i dashur deri në fund të fundit të vetët që ishin në botë, i dhuroi Hyjit-Atë Korpin dhe Gjakun e vet nën trajtën e bukës dhe të verës, ua dha apostujve si ushqim dhe i urdhëroi që ata e pasardhësit e tyre në meshtari ta përsërisnin këtë në kujtim të Atij që po flijohej.
Të Premten e Madhe kremtohet Mesha e Mundimeve të Krishtit. Në këtë ditë, në të cilën Krishti u flijua, Kisha me meditimin e mundimeve të Zotit e Dhëndrrit të vet dhe me adhurimin e Kryqit - përkujton zanafillën e saj nga kraharori i shporuar i Krishtit dhe ndërmjetëson për shëlbimin e mbarë botës. Sipas traditës këtë ditë besimtarët katolikë kudo në botë ndjekin "Udhën e Kryqit".
E Shtuna e Madhe është edhe Nata e Pashkëve, nata e pagjumë, të cilën të krishterët e kalojnë në lutje, në përkujtim të natës së shenjtë, kur Krishti u ngjall. Është kjo natë - nëna e të gjitha netëve të lutjes: Kisha rri në pritje të Ngjalljes së Zotit dhe e kremton me sakramentet e para të krishtera.
Me të Dielën e Pashkëve hapet horizonti i gjërë i Rrëshajëve, ose koha liturgjike në të cilën Kisha kremton praninë e Krishtit të ngjallur dhe ndikimin e Shpirtit Shenjt.










All the contents on this site are copyrighted ©.