2006-04-07 16:49:20

Përballë Mundimeve të Krishtit, të pendohemi në thellësinë e zemrës e ta ruajmë aty Jezusin, që të tjerët duan ta heqin nga shkollat e nga vendet publike. Kështu u shpreh sot Atë Kantalamesa në predikimin e Kreshmëve në Vatikan


( 07. 04. 06 R. V. ) Të pendohesh e ta kesh gjithnjë Krishtin në zemër, në një kohë kur duan ta heqin nga muret, është përgjigja që i jepet mundimeve pësuar nga Jezusi në Kalvar: kjo është sinteza e predikimit të tretë të Kreshmëve, që mbajti sot Atë Kantalamesa në praninë e Papës dhe të Kuries Romake.

 
Mundimet dhe vdekja e Krishtit mbi Kalvar për dashuri të njerëzimit, ishin sot në qëndër të meditimit të Kreshmëve, mbajtur para Papës dhe Kuries Romake nga predikatari i Shtëpisë Papnore, Atë Raniero Kantalamesa. Në çastin kur në drejtime të ndryshme bëhet presion për ta hequr kryqin nga klasat e shkollave dhe nga mjediset publike – pohoi ndërmjet tjerash rregulltari kapuçin – ne, të krishterët, duhet ta mbajmë më shumë se kurrë ndër muret e zemrës sonë, vend që i pëlqen Jezusit më tepër se asnjë tjetër.
Njeriu i gozhduar në Kryq, vuajtjet fizike, vetmia njerëzore, sfilitja shpirtërore që detyrohet të përballojë, pendimi i parë që shkakton kjo pamje në shpirtin e një njeriu të pazot, të pranishëm mbi Kalvar: Çenturionit… Orët e Mundimeve e të vdekjes së Jezusit i përmbajnë të gjitha elementet e reflektimit mbi rrënjën e fesë për të krishterët e çdo epoke. Për këto elemente foli Atë Kantalamesa në predikimin e tij të tretë kreshmor, duke vërejtur që në fillim se arti - muzika, piktura e skulptura - vijojnë të jenë, si gjithnjë, edhe në botën e shekullarizuar, një nga format e pakta të ungjillëzimit që depërton edhe në mjediset e mbyllura. Por asnjë nga këto forma të shprehjes – vijoi predikatari papnor, nuk arrin të ushtrojë një joshje që mund të krahasohet me Sindonen, fytyra e së cilës – vërejti kapuçini, është si një mur që ndan dy botë : atë të njerëzve, përplot me dhunë e trazira e atë të Zotit, ku nuk mund të depërtojë mëkati:
“Nuk ka rëndësi, në këndvështrimin tonë, të dimë në se Sindona është e vërtetë apo jo, në se figura është formuar në mënyrë të natyrshme apo artificiale, në se është thjeshtë ikonë apo edhe relike. E sigurtë është se ndodhemi para përfytyrimit më solemn të vdekjes që ka kundruar ndonjë herë syri njerëzor . Në se një Zot mund të vdesë, kjo është mënyra më e përshtatshme për ta përfytyruar vdekjen e tij. Diçka hyjnore fërfëllon në fytyrën e martirizuar, por plot madhështi, të Krishtit të Sindonës".
Mbi fytyrën e Pëlhurës së shenjtë, ndjehen fuqimisht shenjat e dramës së jetuar nga Krishti. Atë Kantalamesa kujtoi disa hollësira të kryqëzimit, për të cilin njerëzit e lashtë nuk kishin dëshirë të flisnin publikisht, kaq mizor ishte. Por- shtoi ai - shumë më i tmerrshëm se mundimi i trupit, ishte mundimi i shpirtit të Jezusit, të cilit iu desh të vuante vetminë më të plotë, deri në braktisjen shpirtërore të Atit, poshtërimin e vazhdueshëm, derisa u bë – ai, Biri i Zotit - jo vetëm i pazot, por vetë mëkati. Vuajti tmerrësisht e çdo njeri nuk mund të mos e mbartë peshën e kësaj vuajtje e të mos i bëjë vetes pyetjen: “Në se Krishti vdiq për mua e për mëkatet e mia, kjo do të thotë se jam unë ai që e ka mbytur Jezusin e Nazaretit, se janë mëkatet e mia që e kanë kryqëzuar. E kjo sepse mundimet e Krishtit nuk mund të na prekin, në se nuk hyjnë në shpirtin e secilit nga ne. Mundimet e Krishtit mund t’i njohë vërtetë, vetëm ai që pranon se janë vepër e tij. Jam unë Juda që tradhton, Pjetri që mohon, turma që këlthet “Fale Barabanë! Kryqëzoje Krishtin!”. Sa herë kam zgjedhur kënaqësinë time, rehatinë time, nderin tim, në vend të Krishtit, aq herë e kam kryqëzuar!
Prej këndej njeriu mund t’i përgjigjet Krishtit vetëm duke u penduar në thellësinë e zemrës, në se kur flasim për zemrën, kemi parasysh unin e njeriut, vetë personin e tij, posaçërisht inteligjencën e vullnetin e tij, pikën në të cilën Zoti i drejtohet njeriut e njeriu vendos t’i përgjigjet Zotit:
“Pasi të kemi kaluar permes tërmetit të vogël shpirtëror, shikojmë se kryqi dhe vdekja e Krishtit shndërrohen, nuk janë më burim trishtimi, por gëzimi e sigurie. Kryqi nuk na duket më marrëzi e shkandull, por përkundrazi “pushteti i Zotit e urtia e Zotit”. Në çastin kur në drejtime të ndryshme bëhet presion për ta shkulur të Kryqëzuarin nga mjediset publke, ne, të krishterët, duhet ta kemi më shumë se kurrë në muret e zemrave tona, vendi ku Krishtit i pëlqen më shumë të rrijë”

  







All the contents on this site are copyrighted ©.