Takimi në Vatikan i Papës me Shimon Peres: ish-kryeministri izraelit e fton Benediktin
XVI në Izrael
(06. 04. 06 R. V.) Benedikti XVI priti sot paradite në audiencë private, ish-kryeministrin
izraelit, Shimon Peres, Çmim Nobel për paqen. Mediat ndoqën me vëmendje të
veçantë takimin e sotëm në Vatikan të Benediktit XVI me udhëheqësin politik izraelit
Shimon Peres, ish-kryeministër laburist i Izraelit, Çmim Nobel për paqen, aktualisht
përfaqësues i partisë së qëndrës, Kadima, themeluar nga Ariel Sharon. “Gjatë bisedimeve
– deklaroi drejtori i Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, Navarro Valls - u shkëmbyen
opinione mbi problemin e paqes në Tokën Shenjte, në frymën e respektit të Rezolutave
të Kombeve të Bashkuara dhe të Marrëveshjeve të përfunduara deri tani. Në këtë kontekst
- shtoi zëdhënësi i Vatikanit – të dyja palët dënuan njëzëri çdo formë të terrorizmit,
pavarësisht nga pretekstet që përdoren në përpjekjen për ta përligjur. U shqyrtuan
edhe marrëdhëniet ndërmjet Shtetit të Izraelit dhe Selisë së Shenjtë, në dritën e
marrëveshjeve, nënshkruar në vitin 1993 e 1997, si dhe marrëdhëniet e autoriteteve
izraelite me bashkësitë e krishtera ekzistuese në vend. Së fundi Navarro Valls konfirmoi
njoftimin se Simon Peres e ftoi Papën Benedikti XVI për vizitë në Izrael - dhënë sot
pardite nga radioja publike izraelite.