2006-04-05 15:03:24

Takim në Romë për 20-vjetorin e vizitës së Gjon Palit në Sinagogë


(05. 04. 06 R. V.)Hebrenjtë dhe të krishterët duhet ta transmetojnë së bashku kujtesën e fesë për t’i dhënë shpresë botës: kështu u shpreh dje kardinali Valter Kasper në takimin e organizuar me rastin e 20-vjetorit të vizitës së Gjon Palit II në Sinagogën e Romës. Kryerabini Senji nënvizoi se hebrenjtë do ta vijojnë dialogun e hapur nga Rabini Elio Toaf.
Një lidhje e ngushtë, e pashembullt në llojin e vet’: kështu kardinali Kasper, kryetar i Komisionit të Selisë së Shenjtë për marrëdhëniet fetare me hebraizmin, e quajti dje në Kampidol, në Romë, miqësinë ndërmjet hebrenjve e të krishetrëve. Hirësia e Tij foli në takimin e organizuar me rastin e 20-vjetorit të vizitës së Gjon Palit II në sinagogën e Romës. Në takim merrte pjesë edhe kryerabini i Romës, Rikardo Di Senji.
Duhet të transmetojmë kujtesën e holokaustit – apo të shfarosjes në masë të hebrenjve nga nazistët, si dhe kujtesën e fesë, me qëllim që breznitë e ardhshme të ushqehen me të, për të mundur pastaj të përballojnë sfidat e së nesërmes. Hebrenj e të krishterë duhet ta lartojnë së bashku pishtarin e shpresës për t’i dhënë botës besim e guxim. Këtë nënvizoi kardinali Valter Kasper. E pyetëm Hirësinë e Tij çfarë ka ndryshuar nga ai 13 prill i vitit 1986, kur Papa Gjon Pali II shkoi për vizitë në sinagogën e Romës:
- Kemi ndërtuar një dialog qytetërimi e tani duam ta zgjërojmë më tej këtë dialog edhe me myslimanët. Është urdhërim që buron nga Shkrimi Shenjt, sepse ne jemi shartuar në rrënjën e hebraizmit, siç thoshte Shën Pali Apostull.
- Si duhet vepruar për ta vijuar rrugën e hapur nga Gjon Pali II gjatë këtyre 20 vjetëve?
- Gjon Pali II kishte një biografi të lidhur ngusht me hebrenjtë, që kur ishte fëmijë e shkonte në shkollë në Vadovice. Tani kemi filluar jo vetëm të dialogojmë, por edhe të bashkëpunojmë, sepse mund të bëjmë shumë gjëra së bashku, sidomos në fushën shoqërore e politike. E filluam këtë veprimtari në Argjentinë, duke ndihmuar fëmijët; tani, nëntorin e ardhshëm, në takimin tonë që do të mbahet në Kejptaun, në Jug të Afrikës, do të çojmë ndihmën tonë për luftën kundër Sidës, edukimin kundër sëmundjes. Kështu mendoj se hebrenj e të krishterë mund të bëjnë shumë gjëra së bashku, sepse kemi të njëjtat vlera.
- Por ç’domethënie pati për hebrenjtë gjesti i Gjon Palit II. Përgjigjet, në mikrofonin e Radios sonë, kryerabini i Romës, Rikardo Di Senji:
- Vizita e Gjon Palit II në sinagogën e Romës pati një ndikim rrënjësor. Solli ndryshim të ndjeshëm në marrëdhëniet ndërmjet botës katolike e hebraizmit. Mund të thuhet se që asokohe, asgjë nuk është si më parë, posaçërisht përsa i përket mënyrës së ballafaqimit të njërit me tjetrin. Kjo nuk do të thotë se problemet e shumta ekzistuese u zgjidhën të tëra. Ajo që mund të themi me plot gojën është se ekziston vullneti i mirë për të çuar përpara diskutime të vështira e të ndërlikuara.
- Ju, ç’mendoni për trashëgiminë që ju ka lënë rabini Elio Toaf?
- Them se jemi në një klimë vazhdimësie. Ajo që është mbjellë po korret, ndërsa mbjellja vijon. Jemi të gjithë gati t’i vëmë në jetë impenjimet që kemi marrë. Rabini Toaf ishte rojtar xheloz i identitetit dhe i vlerës së traditës hebraike, që nuk duhet të arrijë në kompromise, por ka qenë e është mbrojtës i zjarrtë i nevojës për ballafaqim paqësor e ndërtues. E edhe ne do të vijojmë të ecim në gjurmët e tij.
- A do të ketë mundësi për një vizitë të ardhshme të Benediktit XVI në sinagogën e Romës?- Sigurisht që ka mundësi e është bërë edhe ftesa. Tani është fjala vetëm për të caktuar kur e si.







All the contents on this site are copyrighted ©.