2006-04-03 18:16:42

Papa kërkon për sot e për nesër dy ditë lutjeje e agjërimi për Irakun


( 03. 04. 06 R. V. ) Dy ditë kushtuar lutjes e agjërimit për paqen në Irak: është nismë e Patrikut të Babilonisë së Kaldejve dhe ipeshkvijve irakianë, me të cilën u bashkua edhe Benedikti XVI. Dje në lutjen e Engjëllit të Tënzot Papa i ftoi të marrin pjesë në këtë nismë të gjithë besimtarët katolikë dhe njerëzit vullnetmirë.
E Patriku njofton se në përfundim të dy ditëve të agjërimit, do të kremtojë Meshën në katedrale, duke nënvizuar se do të jenë të pranishëm edhe personalitete myslimane që – siç thekson Fortlumturia e Tij – dëshirojnë të luten së bashku me katolikët në një vend ku vrasjet dhe atentatet e vazhdueshme terroriste vijojnë ta vënë në provë të rëndë popullsinë dhe vështirësojnë formimin e qeverisë. Por, ta dëgjojmë vetë Emanuelin III, Patrik i Babilonisë së Kaldejve, në mikrofonin e Radios sonë:
- Unë flas për ata që janë në Irak. Ka pjesëmarrje të shumë miqve myslimanë e të bashkësive myslimane, që më përgëzuan për këtë thirrje drejtuar irakianëve në Irak e jashtë vendi, si dhe të gjithë njerëzve vullnetmirë të botës, të luten së bashku me ne për paqen e për sigurinë e këtij vendi të martirizuar prej shumë vitesh.







All the contents on this site are copyrighted ©.