“Duke iu nënshtruar vullnetit të Hyjit, njeriu gjen paqen”. U kremtua në Vatikan predikimi
i dytë i Kreshmëve me Papën e Kurien
(31 . 03. 06 R.V. ) “Duke iu bindur Zotit, që nuk e kufizon lirinë personale,
njeriu gjen paqen sipas shembullit të Krishtit e të Virgjërës Mari”: kështu u shpreh
sot Atë Raniero Kantalamesa, predikatar i Shtëpisë Papnore, gjatë predikimit të dytë
të Kreshmëve, në prani të Papës e të Kuries Romake.
Vlera e bindjes në
jetën e Krishterë, duke nisur nga nënshtrimi i plotë i Jezusit ndaj vullnetit të Atit
në Kopshtin e Ullinjve: kjo ishte tema rreth së cilës u zhvillua predikimi i dytë
i Kreshmëve, mbajtur sot në Vatikan. *** Jezusi që, i përkulur me fytyrë përdhé
në Gjetseman, pranon t’i nënshtrohet gozhdimit në kryq, është për të krishterët figura
më e lartë e bindjes ndaj Zotit. Kështu e hapi meditimin e sotëm Atë Kantalamesa,
duke theksuar më pas se nënshtrimi nuk është tipar i Zotit, por i njeriut, ndërsa
në fjalët “u bëftë jo ajo që dua unë, por ajo që do ti” të cilat Jezusi ia drejton
Atit, ndjehen të dyja natyrat e Krishtit, njerëzorja e hyjnorja. Duke iu bindur Zotit,
Jezusi bëhet shkëmbi i shpëtimit për botën. E prej këndej burojnë edhe mësimet praktike
të jetës së krishterë. *** Vetëm në se besohet në një ‘sundim’ aktual të
Krishtit të ngjallur mbi Kishën e tij, vetëm atëherë jemi në gjendje ta kuptojmë nevojën
dhe rëndësinë e bindjes ndaj Zotit. E kjo do të thotë ta dëgjosh me vëmendje Zotin,
i cili flet në Kishë përmes shpirtit të vet, që ndriçon fjalët e Jezusit e të mbarë
Biblës dhe u jep atyre autoritet, duke i bërë rrugë të vullnetit të gjallë e aktual
të Zotit për ne – tha predikatari, dhe në përfundim shtoi: *** Po
pse Zoti i vë kaq rëndësi nënshtrimit. Sigurisht jo nga që i pëlqen të komandojë e
të ketë nënshtetas. Bindja ka rëndësi sepse duke u bindur, ne bëjmë vullnetin e Zotit,
duam të njëjtat gjëra që do Zoti e kështu realizojmë thirrjen tonë të zanafillës:
të jemi shëmbëlltyrë e Hyjit.