2006-03-30 18:55:36

U kthye në Shtëpinë e Atit më 28 mars Monsinjor Simeone Duka


( 30. 03. 06 R. V. ) RealAudioMP3 Me hidhërim e fe – siç shkruhet në ‘L’Osservatore Romano’ - njoftojmë se më 28 mars, në banesën e tij në Romë, ndërroi jetë Monsinjor Simeone Duka, arbënesh nga Zara, i mirënjohur për një veprimtari të jashtzakonshme në shërbim të Kishës në Itali, Kroaci e Shqipëri. Prelati vdiq në moshën 90-vjeçare.
Mesha e parë e salikimeve të Prelatit të ndjerë, e kryesuar nga imzot Gjino Reali, u kremtua sot, në orën 10. 30 në katedralen e La Stortës në Romë. Ishte i pranishëm edhe kryeredaktori i programit shqip të Radio Vatikanit, Dom David Gjugja, i cili do ta shoqërojë Prelatin e ndjerë në shtegtimin e fundmë drejt vendlindjes. Salikimet e fundit do të kremtohen nesër në Kishën e salezianëve në Borgo Rico, ndërtuar nga i ndjeri e do të kryesohen nga imzot Ivan Prendja. Më pas trupi i Monsinjor Dukës do të pushojë në paqe pranë familjarëve.
Po emri i tij nuk mund të harrohet: ai është i shkruar në ballin një numri të madh kishash në Itali, Shqipëri e Kroaci. Besimtarët e shumtë që shtegtojnë në Kishën e Zojës së Shkodrës, sigurisht e kanë lexuar këtë emër të shkruar në të majtën e Portës kryesore, sepse falë bujarisë së tij u rindërtua Shenjtnorja Kombëtare e Zojës së Këshillit të Mirë, Pajtores së shqiptarëve.
Shtëpinë ku banonte në Romë, ia la trashëgim Kongregatës për përhapjen e fesë, për ta përdorur në ndihmë të Kishës shqiptare. Është për t’u kujtuar se ai nuk e harroi kurrë identitetin e tij shqiptar e prandaj bashkëpunoi me të gjithë klerikët e laikët bashkëkombas që takoi, posaçërisht me Dom Zef Shestanin, Dom Prenkë Ndrevashajn e Imzot Frano Illinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.