2006-03-30 18:38:50

Mbrojtja e jetës, e familjes dhe e të drejtës së prindërve për t’i edukuar fëmijët nuk janë parime konfesionale: kështu u shpreh Papa në audiencën me parlamentarët e Partisë Popullore Evropiane


(30. 03. 06 R.V.) Mbrojtja e jetës, e familjes dhe e të drejtës së prindërve për të edukuar fëmijët nuk janë parime konfesionale, por të shkruara në vetë natyrën njerëzore: kështu u shpreh sot Papa Benedikti XVI në audiencën me parlamentarët e Partisë Popullore Evropiane, të cilët i priti në Vatikan me rastin e 30-vjetorit të themelimit.
Benedikti XVI kujtoi se Evropa sot duhet të përballojë probleme të ndërlikuara tepër të rëndësishme, siç janë zgjërimi dhe thellimi i integrimit evropian, përcaktimi gjithnjë më i saktë i politikës së fqinjësisë brënda Bashkimit dhe diskutimi mbi modelin shoqëror.
Për t’i përballuar këto sfida – pohoi Papa - do të ishte mirë që Evropa t’i kujtonte rrënjët e veta, frymëzimin dhe tashëgiminë e krishterë që ka kalitur identitetin e këtij Kontinenti. Vetëm kështu do të jetë në gjendje t’u japë një drejtim të sigurtë popullsive të veta, duke u fuqizuar vetëdijën se i përkasin një qytetërimi të përbashkët e duke mbështetur impenjimin e të gjithëve për një ardhmëri më të mirë.
Papa shprehu kënaqësinë e tij për njohjen nga ana e Partisë Popullore Evropiane (PPE) të trashëgimisë së krishterë të Evropës, gjë që ofron një udhëheqje të çmuar etike në kërkimin e një modeli shoqëror, i cili i përgjigjet në mënyrë të përshtatshme kërkesave të një ekonomie tashmë të globailizuar si dhe ndryshimeve demografike, duke siguruar zhvillimin dhe punësimin, mbrojtjen e familjes, mundësitë e barabarta për edukimin e të rinjve dhe ndihmën për të varfërit.
Mbështetja që i jepni trashëgimisë së krishterë – tha Papa – mund të kontribuojë në mënyrë kuptimplote për të mundur një kulturë, tashmë të përhapur në Evropë, që e kufizon në sferën private e subjektive shprehjen e bindjeve fetare. Politikat e ndërtuara mbi këtë bazë – shtoi Ati i Shenjtë – jo vetëm që nuk e pranojnë rolin publik të krishtërimit, por arrijnë deri në përjashtimin e bashkëpunimit me traditën fetare të Evropës, pavarësisht se kjo traditë është e pamohueshme, duke kërcënuar kështu vetë demokracinë, forca e së cilës varet nga vlerat që mbron.
Kjo traditë fetare të cilën, me të gjitha ndryshimet e veta, Papa e quan “unitet polifonik”, promovon vlera themelore për të mirën e shoqërisë e Bashkimi Evropian mundet vetëm të pasurohet nga një bashkëpunim i tillë.
Do të ishte një shenjë papjekurie, për të mos thënë ligështie – vijoi Papa – po të zgjidhej rruga e kundërvënies ose e mosnjohjes, në vend të rrugës së dialogut me këtë traditë. Në këto rrethana – nënvizoi Benedikti XVI – duhet pranuar se një farë qëndrimi i papajtueshëm laik, tregon se është ai vetë armik i tolerancës dhe i vizionit të shëndoshë laik të shtetit e të shoqërisë.
Papa shprehu vlerësimin e tij për faktin se Traktati Kushtetues i Bashkimit Evropian parashikon një lidhje strukturore në rritje me bashkësitë fetare, duke njohur identitetin dhe ndihmesën e tyre të veçantë.
Nuk duhet harruar – nënvizoi Ati i Shenjtë, se kur Kishat ose bashkësitë fetare marrin pjesë në diskutimet publike, duke shprehur rezerva ose duke kujtuar parime të ndryshme, kjo nuk përbën një formë intolerance ose ndërhyrjeje, sepse këto diskutime synojnë thjeshtë në ndriçimin e ndërgjegjeve, duke i aftësuar të reagojnë lirisht e me përgjegjësi, sipas kërkesave të vërteta të drejtësisë, edhe kur u duhet t’u kundërvihen interesave të pushtetit ose të personave.
Kur e thotë fjalën e saj në arenën publike, Kisha e bën këtë vetëm për të mbrojtur dinjitetin e njeriut: është fjala për parime që nuk mund të diskutohen e, ndërmjet tyre, sot dalin veçanërisht në pah disa si “mbrojtja e jetës në të gjitha fazat, nga çasti i zënies, deri në vdekjen natyrore; njohja dhe promovimi i strukturës natyrore të familjes, si bashkim i një burri me një grua, bazuar mbi martesën dhe mbrojtja e saj nga përpjekjet për ta bërë juridikisht të barabartë me forma bashkimi rrënjësisht të ndryshme, të cilat në realitet e dëmtojnë rëndë dhe kontribuojnë në destabilizimin e saj, duke ia errësuar karakterin e posaçëm dhe rolin pazevendësueshëm shoqëror si dhe mbrojtjen e së drejtës të prindërve për t’i edukuar fëmijët e tyre.
Këto parime – pohoi me forcë Papa Benedikti XVI – nuk janë thjeshtë të vërteta feje. Janë të shkruara në vetë natyrën njerëzore e prandaj, të përbashkëta për mbarë njerëzimin. Si pasojë, edhe veprimtaria e Kishës për t’i promovuar, nuk është me karakter konfesional. Përkundrazi, sa më shumë që këto parime të mohohen ose të mos kuptohen, aq më e nevojshme bëhet kjo veprimtari, sepse një mohim i tillë është fyerje kundër së vërtetës mbi njeriun dhe plagë e thellë që i hapet drejtësisë.
Së fundi Papa i nxiti parlamentarët e PPE të jenë dëshmitarë të besueshëm e të patundur të këtyre të vërtetave themelore në veprimtarinë e tyre politike.








All the contents on this site are copyrighted ©.