2006-03-29 17:37:13

Të mërkurën e një viti më parë, Papa Gjon Pali II dukej për herë të fundit në publik. Të dielën e ardhshme në Sheshin e Shën Pjetrit do të kremtohet nata e lutjes në kryevjetorin e vdekjes e nisma të tjera…


( 29. 03. 06 R. V.)Ishte ditë e mërkurë një vit më parë, kur Papa Vojtila u duk për herë të fundit në dritaren e studios së tij për të përshëndetur besimtarët, por pa mundur t’i flasë turmës që ishte mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit për audiencën e përgjithshme.
E besimtarët që ishin sot të pranishëm në audiencë, nuk mund të mos e kujtonin Gjon Palin II, në sa afrohet përvjetori i parë i vdekjes së Tij. Rikujtojmë se të dielën e ardhshme në Sheshin e Shën Pjetrit do të mbahet nata e lutjes me Benediktin XVI - për shpirt të Gjon Palit II. Pritet të marrin pjesë mijëra besimtarë, ashtu si një vit më parë, kur një turmë e jashtzakonshme e shoqëroi, me lutje e lot, Papën shtegtar, në shtegtimin e tij të fundit drejt shtëpisë së Atit qiellor.
***
Të shumta nismat, përmes të cilave do të përkujtohet ky kryevjetor: në Vatikan, në Poloni e në botën mbarë. E të premten e ardhshme në Romë do të hapet një eskpozitë jo e zakonshme. Eshtë një përpjekje për ta treguar vdekjen e Gjon Palit II përmes faqeve të para të gazetave më të mëdha të botës. Do të ekspozohen 70 faqe të para gazetash, ardhur nga 26 vende të ndryshme. E organizuar nga shoqata “Muzeu i së përditshmes” – ekspozita që titullohet “Adio Karol”, do të vendoset në sallën e ekspozitave “Vitrina Roma” pranë stacionit hekurudhor Termini.







All the contents on this site are copyrighted ©.