2006-03-29 17:27:07

Në audiencën e përgjithshme Benedikti XVI theksoi se bashkimi kishtar, pasqyrim i bashkimit trinitar, hap udhën drejt paqes duke shëruar plagët e konflikteve e të vetmisë


(29. 03. 06 R.V.) RealAudioMP3 Sot në audiencën e përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Benedikti XVI theksoi se bashkimi kishtar, dhuratë e pasqyrim i bashkimit trinitar, ndihmon për kapërcimin e konflikteve ndërmjet popujve dhe i hap rrugën paqes.

Bashkimi i Atit me Krishtin e me Shpirtin Shenjt i përgatit njerëzit për të ecur në rrugën e paqes, sepse bashkon kombet dhe zhduk nga zemra njerëzore vetminë, e keqe që sot na kërcënon të gjithëve. Këtë pohoi Benedikti XVI në audiencën e përgjithshme, që u mbajt paradite në Sheshin e Shën Pjetrit në praninë e një turme prej rreth 50 mijë besimtarësh e shtegtarësh, ardhur nga vise të ndryshme të Italisë e të botës.
***
“Bashkimi vëllazëror” që i lidh anëtarët e Kishës ka, si të thuash, një ‘Adn’ hyjnore, Adn-në trinitare: në këtë lidhje misterioze dashurie, që i bën Atin, Birin e Shpirtin Shenjt një vetje të vetme, shikojmë modelin dhe burimin e rrjetit të unitetit ndërmjet njerëzve të lidhur përmes fesë. Por një bashkim i tillë nuk është vetëm shpirtëror. Ka pasqyrime personale e shoqërore shumë të rëndësishme, që nga çasti kur i bën individët të dalin nga vetmia e tyre, pajton konfliktet ndërmjet popujve, i hap rrugën paqes.
***
Me katekizmin e tij të tretë kushtuar misterit të lidhjes së Krishtit me Kishën, që pati si teatër Sheshin e Shën Pjetrit, ndriçuar nga rrezet e ngrohta të diellit pranveror, përplot me besimtarë, si në të kremtet e mëdha, Benedikti XVI shpjegoi natyrën e lidhjes së mbinatyrshme të Trinisë Shenjte. E Kisha – vijoi Papa – që prej njëzet shekujsh, është shenjë tokësore dhe historike e kësaj lidhjeje. Një Kishë – pohoi Ati i Shenjtë – që jetoi, jeton e do të jetojë pikërisht prej këtij bashkimi, të krijuar nga Krishti e të përjetësuar nga Apostujt:
***
“Të Dymbëdhjetët patën kujdes të caktojnë pasardhësit, në mënyrë që misioni i besuar të vijonte edhe pas vdekjes së tyre. Në rrjedhë shekujsh Kisha, e ndërtuar organikisht nën udhëheqjen e barinjëve të ligjshëm, vijoi të jetojë në botë si mister bashkimi, në të cilin pasqyrohet në një farë mase vetë bashkimi trinitar”.
***
Më Pas Benedikti XVI pohoi se ky bashkim i posaçëm shpirtëror ushqehet nga Eukaristia, duke u bërë kështu dhuratë për burra, për gra, për popuj të tërë:
***
“Ky rrjet bashkimi, që rrok botën mbarë, është afrim i botës së ardhshme në kohët tona. Është dhuratë me pasoja shumë reale: na bën të dalim nga vetmitë tona. Nuk është e vështirë të kuptojmë sa e madhe është kjo dhuratë; mjafton të mendojmë për copëzimet e për konfliktet që i dëmtojnë rëndë marrëdhëniet ndërmjet grupeve të veçanta dhe popujve. E në se nuk do ta kishim dhuratën e bashkimit në Shpirtin Shenjt, copëzimi i njerëzimit do të ishte i pashmangshëm”.
***
Në këtë skenë lëviz e vepron Kisha, shembull i pamohueshëm – ndonëse me kufizimet e veta – pohoi Papa - i lidhjes së dashurisë dhe unitetit ndërmjet qiellit e tokës:
***
“Kisha, pavarësisht nga të gjitha ligështitë njerëzore që i takojnë figurës historike të saj, shfaqet kështu si krijim i mrekullueshëm dashurie, i realizuar për ta bërë Krishtin të afërt me çdo burrë e çdo grua që dëshiron vërtetë ta takojë, deri në mbarim të kohëve. E në Kishë Zoti mbetet gjithnjë bashkëkohas me ne. Shkrimi Shenjt nuk është diçka që i përket së kaluarës, por flet për të sotmen. Edhe sot, gjithnjë me ne, na jep dritë, na tregon udhën e jetës, na bashkon e kështu na përgatitë, na hap rrugët e paqes”.
***
Para se të përshëndetej me njerëzit e shumtë mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, që zgjatnin duart për të shtrënguar duart e Papës, Ati i Shenjtë përshëndeti, ndërmjet grupeve të tjera, një grup rregulltaresh, pjesëmarrëse në kursin e USMI-t (Bashkimit të Eproreve të Mëdha të Italisë). E më pas, një nxitje përfundimtare, e frymëzuar nga periudha aktuale liturgjike:
***
“Koha e Kreshmëve, me ftesat e përsëritura për pendesë, ju priftë, të dashur të rinj, drejt dashurisë gjithnjë më të vetëdijshme për Krishtin dhe Kishën e tij; shtoftë në ju, të dashur të sëmurë, vetëdijën se Zoti i kryqëzuar është pranë jush në orën e provës; ju ndihmoftë juve, bashkëshortë të rinj, ta bëni vatrën tuaj familjare, vend ku vijon të lulëzojë dashuria besnike e bujare”. 







All the contents on this site are copyrighted ©.