2006-03-28 17:32:22

“Një zemër që shikon” me sytë e Krishtit: këshilla e Papës për këto Kreshmë


(28. 03. 06 R.V.) “Shikimi plot dhembshuri i Samaritanit të mirë, është ikona e krishterë e solidaritetit”: një koment i Mesazhit kreshmor të Papës Benedikti XVI nga Enco Bianki, Epror i Bashkësisë së Bozesë.

Kur shikon se i afërmi kalon çaste të vështira, duhet ta ndihmosh. Kështu veproi Krishti në çdo ditë të jetës së tij e të predikimit të tij tokësor. E që prej dymijë vjetësh shembulli i tij i shtyn shumë burra e gra të bëjnë të njëjtën gjë. Po mbi të gjitha duhet kuptuar ç’do të thotë ‘të shikosh’. Në jetën e përditshme shikojmë shumë gjëra, të cilat mund edhe të mos na shtyjnë të jemi vërtetë solidar. ‘Shikimi ynë duhet të matet me atë të Krishtit’ shkruan Benedikti XVI në Mesazhin e tij për Kreshmët 2006, titulluar Jezusi, kur e pau turmën, ndjeu dhembshuri për të’. Po pse në ditë tona dhembshuria duket gati-gati si ndjenjë jashtë mode? Në mikrofonin tonë, përgjigjet eprori i Bashkësisë murgare të Bozesë, atë Enco Bianki:
***
- Nga njëra anë duket ndjenjë jashtë mode sepse termi “dhembshuri” apo “mëshirë” në një farë mënyre është zhvleftësuar: dhembshuria tingëllon sot gati si të ishte një ndjenjë e padenjë, që e fyen dinjitetin e tjetrit. Por në të vërtetë, po të flasim me gjuhën biblike, dhembshuri do të thotë të vuash për e me tjetrin. Jezusi ndjen dhembshuri, ka mëshirë, Zoti është i mëshirshëm – mos ta harrojmë këtë: është një nga epitetet kryesore që përdor Moisiu për Zotin tonë. Do të thotë se Zoti ndjen edhe me ndjeshmërinë e njeriut. E kur ndjenjat janë vuajtje, dhimbje, Zoti na qëndron pranë e i ndan me ne këto ndjenja, për të na ngushëlluar e për të na çliruar nga vuajtja. Jezusi ndjen dhembshuri për turmat, të cilët nganjëherë kërkojnë rrugëdalje si të verbërit, që nuk kanë mbështetje: Jezusi i shikon e ndjen dhembshuri në zemër të vet, që është zemra e Zotit vetë.
***
- Ç’duhet të bëjmë për të pasur një zemër që ‘shikon’, siç shprehet Papa në Enciklikën e tij të parë?
***
- Them se duhet të kemi atë vëmendje, për të cilën na flitet në shembëlltyrën e Samaritanit të mirë. Në fund të fundit Samaritani i mirë, në krahasim me levitin e me priftin, që kaluan përtej pa i kthyer sytë prapa, është njeri që ka shikuar, që ka pasur aftësinë për të parë se tjetri gjendet ngusht, vuan, është plagosur. Po këtë shikim ne e mësojmë vetëm në se kemi një zemër që e ndjen vuajtjen. Edhe Sent-Ekzyperi thoshte “Shikohet vërtetë vetëm me zemër”. E ky shikim duhet të bëhet shikim plot dhembshuri, shikim nga i cili buron aftësia për ta ndihmuar tjetrin, për ta ngushëlluar tjetrin.
***
- Në një qytetërim ku edhe kur bëhet e mira, mendohet vetëm për ‘ta bërë’, të kesh një zemër që ‘shikon’ do të thotë edhe të kesh një shpirt më të madh, apo jo?
***
- Sipas meje, të bësh mirë nuk varet aq nga ajo që bën, sepse mund të bëhen shumë gjëra pa menduar gjatë ose thjeshtë, për t’u dukur. Po në se gjërat bëhen duke u nisur vërtetë nga zemra, nga dhembshuria e zemrës, siç rrëfen shpesh Ungjilli për Jezusin, i cili e bën gjithçka i shtyrë nga dhembshuria, ne jemi vërtetë solidar me të tjerët. Atëherë veprimi ynë ka një kuptin të thellë edhe për tjetrin: nuk është thjeshtë ‘të bësh një gjë’, por akt me të cilin tjetri ndjen se në ne është njeriu që mund ta ndajë vuajtjen me tjetrin, që ka dhembshurinë e vërtetë, e cila buron nga zemra.







All the contents on this site are copyrighted ©.