2006-03-28 17:07:29

Benedikti XVI do të jetë i pranishëm në Sheshin e Shën Pjetrit të dielën më 2 prill për kryevjetorin e vdekjes së Gjon Palit II


(28. 03. 06 R. V.) RealAudioMP3 Mbrëmjen e 2 prillit, Benedikti XVI do të jetë i pranishëm në natën e lutjes që do të mbahet në Sheshin e Shën Pjetrit me rastin e kryevjetorit të vdekjes së Gjon Palit II. Të hënën, më 3 prill, në orën 17. 30, Ati i Shenjtë do të kryesojë Meshën për shpirt të Papës Vojtila.

Afrohet kryevjetori i vdekjes së Gjon Palit II, që bie të dielën e ardhshme, më 2 prill. Sot Zyra e Kremtimeve Liturgjike e Atit të Shenjtë njoftoi se të hënën, më 3 prill, në orën 17. 30, Benedikti XVI do të kryesojë, në tremen e bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, Meshën Shenjte për shpirt të Papës Vojtila.
Gjithnjë sot, Vikariati i Romës kujtoi, përmes një Komunikate, se më 2 prill dioqeza e Romës do të mblidhet për t’u lutur në Sheshin e Shën Pjetrit, ku do të thuhet Rruzarja Shenjte në praninë e Benediktit XVI, për t’i shprehur Zotit mirënjohjen e Romës për dhantinë e Gjon Palit II.
Duke nisur nga ora 20. 30 kori i dioqezës së Romës, i drejtuar nga imzot Marko Frizina, do ta shoqërojë lutjen me këngë kushtuar Zojës së Bekuar e me lexime nga shkrimet e Papës Vojtila. Në orën 21 Benedikti XVI do të dalë në dritaren e studios së tij e do të fillojë Rruzarja Shenjte. Gjatë Rruzares do të lexohen fragmente nga Letra Apostolike e Gjon Palit II “Rosarium Virginis Mariae” dhe fragmente të tjera nga shkrimet e magjisterit të tij. Rreth orës 21. 37, ora kur ndërroi jetë Gjon Pali II, Benedikti XVI do t’i drejtojë fjalën besimtarëve të pranishëm e do të përfundojë lutjen me bekimin apostolik..
 







All the contents on this site are copyrighted ©.