2006-03-27 18:11:05

Vizita e Benediktit XVI në kishën e velave në Tor Tre Teste: gëzimi i besimtarit për mëshirën e pambaruar të Hyjit


(27. 03. 06 R.V.) Dje, para lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke vizituar famullinë romake të Hyjit, Atë i Mëshirshëm, Benedikti XVI, i ftoi besimtarët që, duke vijuar rrugën e Kreshmëve, të provojnë gëzimin e Pashkëve, të cilat tashmë janë fare afër. Ky gëzim – nënvizoi Shenjtëria e Tij – është fryt i dhembshurisë hyjnore, që e do njeriun, ndonëse i padenjë për këtë dashuri.

 
Është ditë gëzimi e diela e katërt e Kreshmëve, sepse populli i Zotit i afrohet kremtimit të Pashkëve e nuk mund të mos këndojë harenë, që shijohet në takimin me Krishtin e ngjallur. Benedikti XVI e nënvizoi këtë disa herë gjatë homelisë. E kjo hare dje binte në sy përmes ngjyrës së trëndafiltë të petkave liturgjike që kishte veshur edhe Papa, i cili u përqëndrua pikërisht në shpjegmin e këtij gëzimi, i cili i ka rrënjët në njohjen e Atit të mëshirës së pambaruar që e do njeriun, pavarësisht nga veset e tij e nga padenjësia e tij. I njollosur nga mëkati, njerëzimi ecën në një rrugë plot hidhërime e vuajtje, si ato të popullit të Izraelit, përshkruar në leximin e parë, e shpesh herë i duhet të kalojë sprova e ndeshkime, por që në planet e Zotit shkojnë gjithnjë drejt një përfundmi plot dhembshuri e falje. Kështu shpjegohet edhe Kryqi i Krishtit:
“Kryqi, dhurimi i vetvetes Birit të Zotit, në fund të fundit na është dhënë për të kuptuar të vërtetën e njeriut e të vërtetën e Hyjit: të gjithë jemi të krijuar e të shpërblyer nga një Hyj i cili, për dashuri, flijoi Birin e tij të vetëm”.

Benedikti XVI u prit me gëzim të madh në famullinë e Hyjit, Atit të Mëshirshëm, që njihet si Kisha e velave e të kujton barkën, ku dje, siç tha famullitari Gjampiero Korbino, Papa mori në dorë timonin:
“Kjo kishë ka formën e barkës. Nënkupton edhe barkën e Kishës vendase, famullinë, që hyn në portin e kësaj lagjeje, ndërmjet njerëzve. E sot nuk mund të mos gëzohemi, kur shikojmë se në timon është vetë Ati i Shenjtë. Shenjtëri, faleminderit që keni guxim të ecni mbi ujërat e kësaj bote të brishtë, edhe pse të etur për fjalën e Zotit. Mos kini frikë, Atë i Shenjtë, për t’i përballuar ujqërit grabitqarë, që duan t’ia rrëmbejnë Zotit bijtë e tij, madje ju kërkojmë të na nxisni gjithnjë të kemi guximin të zbresim nga barka e të ecim pas jush, mbi detin e trazuar të botës, për të shkuar drejt Jezusit”.
***
Homelia e Papës i shtyu të pranishmit të reflektojnë për përgjigjen që duhet të japë çdo njeri përballë dashurisë së pambaruar të Zotit.
Më pas Shenjtëria e Tij kujtoi Gjon Palin II që e themeloi këtë famulli, duke i zgjedhur edhe emrin, si simbol i Vitit Shenjt 2000. Së fundi iu drejtua besimtarëve të famullisë, duke i porositur: “Ta kuptoni e ta mirëprisni dashurinë e mëshirshme të Zotit: të jetë ky impenjimi juaj, posaçërisht brënda familjeve e pastaj në çdo fushë veprimtarie të lagjes”.







All the contents on this site are copyrighted ©.