2006-03-27 17:59:35

Takimet ndërmjet Papës e kardinajve, një rast i privilegjuar për t’i shërbyer më mirë Kishës


(27. 03. 06 R.V.) Takimet e Papës me Kolegjin Kardinalor, një rast i privilegjuar për t’i shërbyer më mirë Kishës: këtë theksoi Benedikti XVI në audiencën me kardinajtë e rinj dhe familjarët e tyre.

Buzëqeshje e brohoritje në audiencën e sotme. Tri ditë pas Koncistorit të tij të parë të zakonshëm publik, gjatë të cilit u dorëzoi kapuçin dhe unazën kardinalore 15 kardinajve të rinj, sot paradite Benedikti XVI u takua me kardinajtë e sapokrijuar dhe familjarët e tyre në Sallën e Palit VI në Vatikan.
Ishte takim ndërmjet miqsh, rrethuar nga ngrohtësia e familjarëve, pas ditëve të jashtzakonshme të lartimit në dinjitetin kardinalor, por edhe një çast për të ripohuar rëndësinë e bashkëpunimit të Kolegjit Kardinalor me Papën, në vijim të takimit të 23 marsit të kaluar, një ditë para Koncistorit. Ati i Shenjtë i përshëndeti përzemërsisht kardinajtë, të gjithë të shoqëruar nga familjarë, miq, dashamirë e besimtarë të dioqezeve përkatëse. Prania e tyre – vërejti Papa në fjalimin e rastit – është shprehje e dukshme e bashkimit të frytshëm që i jep gjallëri Kishës.
Para Bekimit Apostolik, Benedikti XVI u shprehu përsëri mirënjohjen e vet kardinajve të rinj e u bëri një premtim:
***
“Të dashur vëllezër, ju falënderoj përsëri për vizitën tuaj! Duke ju përsëritur juve, zotërinj kardinaj, përshëndetjen time vëllazërore, dëshiroj t’ju siguroj se do të vijoj t’ju shoqëroj me lutje. E di se mund të mbështetem gjithnjë në bashkëpunimin tuaj, për të cilin e ndjej se kam nevojë. Takimet e mbarë Kolegjit Kardinalor me Pasardhësin e Pjetrit, siç ndodhi të enjten e kaluar, do të vijojnë të jenë raste të privilegjuara për të kërkuar bashkërisht t’i shërbejmë sa më mirë Kishës, që Krishti ia besoi kujdesit tonë”. 







All the contents on this site are copyrighted ©.