2006-03-27 18:05:09

Në lutjen e Engjëllit të Tënzot kujtimi i Papës për misionarët martirë dhe solidariteti i tij për të krishterët e persekutuar sot në botë për shkak të fesë


(27. 03. 06 R.V.) RealAudioMP3 Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, Papa u shprehu solidaritetin dhe u dha zemër të krishterëve që ende sot persekutohen për shkak të fesë së tyre.

Dje, gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit, Benedikti XVI nënvizoi “përkimin providencial”: Koncistori për emërimin e kardinajve të rinj u mbajt pikërisht kur Kisha kremtonte Ditën e lutjes për misionarët martirë. Kështu Ati i Shenjtë shprehu solidaritetin e tij për gjithë të krishterët e botës, që vijojnë të vuajnë për shkak të fesë, duke kujtuar se edhe sot në botë ka njerëz që dhurojnë jetën për Krishtin.
Papa foli përsëri për Koncistorin që u mbajt pak ditë më parë për emërimin e 15 kardinajve të rinj, të cilin e quajti ‘përvojë e thellë kishtare’, që krijoi kushtet për të shijuar pasurinë shpirtërore të kolegjialitetit e për ta ndjerë veten ndërmjet vëllezërve, ardhur nga vise të ndryshme të botës, të gjithë të bashkuar nga e njëjta dashuri për Krishtin e për Kishën e Tij.
“Rijetuam në një farë mënyre realitetin e bashkësisë së parë të krishterë, mbledhur rreth Marisë, Nënës së Jezusit e Pjetrit, për të pritur dhuratën e Shpirtit Shenjt si dhe për t’u impenjuar që ta përhapin Ungjillin në mbarë botën. Besnikëria ndaj këtij misioni deri në flijimin e jetës është tipar dallues i kardinajve, siç e dëshmon betimi i tyre e siç e simbolizon ngjyra e kuqe e veshjeve të tyre, ngjyrë e gjakut”.
Në saje të një përkimi providencial – pohoi Papa – Koncistori u zhvillua më 24 mars, ditë në të cilën u përkujtuan misionarët që vitin e kaluar ranë në frontin e ungjillëzimit e të shërbimit ndaj njeriut ndër viset të ndryshme të tokës. Koncistori – shtoi Ati i Shenjtë – ishte një rast i përshtatshëm për ta ndjerë më shumë se kurrë veten pranë gjithë atyre të krishterëve që vuajnë për shkak të fesë.
“Dëshmia e tyre, për të cilën na vijnë lajme çdo ditë, e posaçërisht flijimi i atyre që janë vrarë, na përforcon në fe e na nxit në impenjimin ungjillor gjithnjë më të sinqertë e më bujar. Mendimi im shkon, në mënyrë të posaçme, tek ato bashkësi që i nënshtrohen një mori kufizimesh. Atyre u jap zemër ta vijojnë rrugën e nisur me durimin e me dashurinë e Krishtit, farë e mbretërisë së Hyjit që vjen, madje që është tashmë në botë. Të gjithë atyre që punojnë në shërbim të Ungjillit ndër situata të tilla të vështira, dëshiroj t’u shpreh solidaritetin më të thellë në emër të Kishës mbarë dhe njëkohësisht t’i siguroj se i kujtoj çdo ditë në lutjen time”.
Kisha – vijoi Benedikti XVI – ecën përpara në histori dhe përhapet në mbarë botën, e shoqëruar nga Maria, Mbretëresha e Apostujve e, si në Çenakull, Virgjëra e Shenjtë përfaqëson gjithnjë për të krishterët kujtesën e gjallë të Jezusit.
“Është Ajo që gjallëron lutjen e tyre, që mbështet shpresën e tyre. Asaj i lutemi të na prijë në rrugën e përditshme e të na mbrojë, duke u kujdesur posaçërisht për ato bashkësi të krishtera, që jetojnë në kushte të vështira e ndërmjet vuajtjesh të mëdha”.
***
Pas lutjes mariane, Papa përshëndeti në gjuhë të ndryshme shtegtarët e shumtë mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, posaçërisht ata që shoqëronin kardinajtë e rinj. Një përshëndetje të veçantë u drejtoi shtegtarëve polakë, ardhur për të kremtuar së bashku me kardinalin e tyre të ri të Krakovisë, kryeipeshkvin Stanisalo Dxhivish: “ Po ia besojmë të gjithë Zotit – tha Papa polonisht – që të jenë rojtarë të zellshëm të fesë e të dokeve dhe dëshmitarë të Krishtit e të Ungjillit të tij”.
Së fundi, Benedikti XVI përshëndeti një grup besimtarësh greko-katolikë ukrainas, ardhur nga Napoli, duke uruar që feja t’i ndihmojë gjithnjë në udhën e jetës.







All the contents on this site are copyrighted ©.