2006-03-27 20:10:28

Lajme shoqërore-politike: 27 mars 2006


Komisioni qëndror i zgjedhjeve në Ukrainë bëri të njohura disa nga rezultatet e votimeve parlamentare që u zhvilluan dje. Të dhënat, që bazohen vetëm te 10 përqind e fletëve të votimit, tregojnë se deri tani kryeson partia filorusse e Janukoviçit, deputetët e së cilës kanë epërsi kundrejt atyre të presidentit Jushenko.


Me qindra vetë dolën në shesh në Kabul për të protestuar kundra vendimit të qeverisë për lirimin e shtetasit afgan Abdul Rahman që është bërë i krishterë. Demonstruesit kërkuan që i pandehuri të dënohet sipas ligjit islamik. Dje Gjykata e Lartë e Kabulit shqyrtoi aftësitë mendore të Rahmanit në mënyrë që ta shpëtojë të akuzuarin.nga vdekja e sigurtë.


Përsëri një ditë lemerish në Irak, ku pati me dhjetra viktima. Një sulm me raketa i rebelëve në Bagdadit shkaktoi dy të vdekur ndër civilët dhe 10 të plagosur. Por atentati më i rëndë ndodhi në Mosul në veri të vendit, ku një autobombë shpërtheu në qendrën e rekrutimit të policisë irakiane. Mbetën të vrarë 30 persona. Ndërsa në Bakubë u gjetën 30 trupa njerëzish pa kokë, viktima të konfliktit mes shiitëve dhe sunitëve.


“Bashkimi Evropian nuk do t’i sjellë shpinën popullit palestinez por përfaqësuesit e rinj të qeverisë duhet të zgjedhin atë çka është e drejtë për paqën.” Kështu deklaroi komisari evropian për lidhjet e jashtëme, Benita Ferrero-Waldner.


Do të gjykohet për prishje të rendit publik ish-diplomati polak që u arrestua në Minsk gjatë protestave të opozitës. Mariush Maskieviç, ambasador i Polonisë në Bjellorusi nga 1998 deri në 2002, drejton tani një organizatë joqeveritare për promovimin e lidhjeve mes Polonisë dhe Bjellorusisë. Ndërsa qeveria e Lukashenkos e akuzon ish-diplomatin se është i paguar nga amerikanët që të rrëzojë qeverinë e Minskut.


“Nesër zëvendësnegociatori Rohan do të sjellë një dokument të analizave të tij rreth negociatave për Kosovën por unë nuk mund të japë mendime pa e lexuar më parë këtë dokument dhe pa parë përmbajtjen e tij”. Kështu u shpreh presidenti i Kosovës Prof. Fatmir Sejdiu një ditë para vizitës së diplomatit austriak në Prishtinë.








All the contents on this site are copyrighted ©.