(26. 03. 06 R.V.) Sot, e Diela IV e Kreshmëve, Kisha katolike përkujtoi edhe
Shën Kastulin, martir. *** Nesër, e hënë, do të kremtojë Shën Aleksandrin
dhe Shën Rupertin, ipeshkëv i Salcburgut. Leximet liturgjike të festës së Shenjtorëve
na kujtojnë se Jezusi, profet i vërtetë i mbretërisë së Hyjit, shtegtoi vazhdimisht
nga Judeja në Galilé për të kumtuar Ungjillin, duke na mësuar se çdo mesazh i krishterë
është misionar për vetë natyrën e tij. *** Të martën do të përkujtohen
Shën Kastori, martir dhe Shën Linda. Gjithë jeta e tyre ishte një lutje e vazhdueshme
drejtuar Zotit: “Na shpëto, o Zot, me praninë tënde në jetën tonë!”. *** Të
mërkurën e ardhshme do të përkujtohen Shën Sekondi i Astit dhe Shën Eustazi, ipeshkëv
i Napolit. Na kujtojnë se, ashtu si Jezusi, duhet të përpiqemi vazhdimisht të bëjmë
vullnetin e Atit, që e dërgoi Birin e tij në botë. E ky është edhe nderimi më i madh
që mund t’i bëjmë Hyjit në vërtetësi. *** Të enjten do të përkujtohen
Shën Gjon Klimaku abat i Sinait dhe Shën Amedeu IX i Savojës. Në sa Kreshmët kanë
arritur tashmë në gjysmë të rrugës, të bëjmë tonën lutjen e përvujtë të dy shenjtorëve:
“Fali, o Zot, mëkatet e popullit tënd”. *** Të premten e ardhshme Kisha
katolike do të kremtojë Shën Amosin, Shën Balbinën, matronë romake dhe Shën Beniaminin,
diakon e martir. Jeta e tyre na kujton se mesazhi i Jezusit duket aq shqetësues, sa
ndokush mund të marrë guximin të mendojë për ta zhdukur. Por ora e flijimit për shëlbim
caktohet sipas planit të Atit, jo sipas interesave njerëzore. *** Të
shtunën do të kremtohen Shën Ugo, ipeshkëv i Grenobles dhe Shën Venanci, ipeshkëv
i Salonës e martir. Na kujtojnë se çdo njeri që beson vërtetë mund të gjejë strehim
tek Zoti, sidomos në çastet më të vështira të jetës.