2006-03-25 18:25:59

Nën mantelin e Virgjërës Mari përfshihet veprimtaria e Papës dhe e Kishës: kështu u shpreh Benedikti XVI në Meshën, gjatë së cilës u dorëzoi unazën kardinajve të rinj


(25. 03. 05 R.V.) Në përmasën mariane të përgjigjes ‘po’ që i jepet Engjëllit përfshihet edhe ministeri i Papës dhe i ipeshkvijve, shërbëtorë të Hyjit-Dashuri: janë fjalët e Benediktit XVI në Meshën që u kremtua sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit për t’u dorëzuar unazën kardinajve të rinj.

 
Zgjati rreth dy orë, para mijëra besimtarëve, mesha e bashkëkremtuar sot paradite nga Benedikti XVI në Sheshin e Shën Pjetrit, së bashku me 15 kardinajtë e rinj, krijuar në Koncistorin e djeshëm. Duke u dhuruar unazën kardinalore bashkëpunëtorëve të tij të rinj, Papa vuri theksin tek festa e sotme e Lajmërimit të Zotit, që kremtohet më 25 mars. Një festë në të cilën - nënvizoi Papa- unaza që mori secili kardinal na kujton atë “po’ me të cilën Virgjëra Mari iu përgjigj Kryeengjëllit Gabriel. Por, ta ndjekim kremtimin.
Maria e Pjetri janë shtyllat që mbajnë arkitraun e Kishës – nënvizoi Ati i Shenjtë gjatë Meshës solemne e sugjestive në Sheshin e Shën Pjetrit për dorëzimin e unazës kardinalore. E më pas, i frymëzuar nga festa liturgjike e Lajmërimit të Zotit, theksoi se unaza është një simbol përmes të cilit çdo kardinal, duke ecur në gjurmët e Virgjërës Mari, përsëritë se e pranon thirrjen e Hyjit:
***
“Marrja e unazës të jetë përsëritje e ‘po’-së suaj, dhe e ‘Ja ku jam , o Zot!’ që ia thoni Zotit Jezus, i cili ju ka zgjedhur e ju ka caktuar. Ia thoni edhe Kishës së Tij shenjte, së cilës jeni të thirrur t’i shërbeni me dashuri, sepse unaza ju lidh në martesë simbolike me Kishën e Krishtit. Dy përmasat e Kishës, mariane e petrine, takohen në atë që përbën përmbushjen e të dyjave, do me thënë, në vlerën e lartë të dashurisë, ‘karizma më e madhe’ e ‘rruga më e mirë nga të gjitha’, siç shkruan Shën Pali Apostull”.
***
Rreth 30 mijë besimtarë ishin mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, të ndritur nga rrezet e një dielli pranveror në pritje të Papës. E Ati i Shenjtë arriti rreth orës 10. 30, i paraprirë nga 15 kardinajtë e rinj, për të filluar Meshën solemne. Gjatë kremtimit rijehuan fjalët me të cilat Kryeengjëlli i solli Marisë lajmin e amësisë së saj të jashtzakonshme si dhe titulli “Hirëplote”, me të cilin u përshëndet Zoja e Bekuar. E jo më pak edhe përgjigja e Virgjërës.
***
“Duke qenë e dashur nga Zoti, Maria është plotësisht aktive, sepse e pranon me gatishmëri personale valën e dashurisë që Zoti ndikon mbi të. Edhe në këtë gjë ajo është nxënëse e përkryer e Birit të saj i cili, me nënshtrimin ndaj Atit, realizon plotësisht lirinë e vet (...) Përballë misterit të këtyre dy përgjigjeve “Ja ku jam” të Krishtit e të Virgjërës, që pasqyrohen njëra tek tjetra e formojnë një Amen të vetëm përpara vullnetit të Zotit, ne mbetemi të mahnitur e, plot mirënjohje, adhurojmë”.
***
Pra, pranimi i lajmit të Engjëllit nga Maria – shpjegoi Benedikti XVI, krijon kushtet që lidhja e Besës së re ndërmjet Zotit e njerëzimit të vuloset në mënyrë të përkryer. E pikërisht në hapësirën hirëplote të përgjigjes së saj pohuese – u shpreh simbolikisht Papa- Maria bëhet edhe Nënë e Kishës, aq sa të përfshijë nën mantelin e saj çdo institucion e minister, edhe atë të Pjetrit e të pasardhësve të tij. E një reflektim i tillë ishte preludi i kujtimit të një burri e një Pape, që ia kushtoi gjithçka Virgjërës Mari në atë pikë, sa t’ia dhuronte vetveten deri në çastet e fundit të një jete, e cila shuhej dymbëdhjetë muaj më parë në një skaj të Sheshit të Shën Pjetrit që edhe sot, si atë ditë, ishte përplot me besimtarë:
***
Emocionit të thellë që ngjalli kujtimi i Papës Vojtila, iu shtua më pas edhe emocioni i çastit kur Papa Benedikti XVI u dorëzoi 15 kardinajve të rinj unazën, pas kapuçit të kuq, që iu dorëzua në kremtimin e djeshëm. Në një botë ku gjithçka kalon – tha në përfundim Ati i Shenjtë - mbetet në amshim vetëm dashuria, dashuria e Zotit. Kush do, e harron vetveten e vihet me dëshirë në shërbim të tjetrit. Ja figura e modeli i Kishës:
***
“Kjo është rruga në të cilën desha ta drejtoj papninë time duke i ftuar të gjithë, me encilkikën time të parë, për ta përforcuar Kishën në dashuri, si bashkësi e dashurisë. Duke vijuar të ec me një piksynim të tillë, të nderuar vëllezër kardinaj, afërsia juaj, shpirtërore e vepruese, është për mua ndihmë e ngushëllim i madh”.
***
Pas Meshës solemne Papa Benedikti XVI e kaloi drekën së bashku me kardinajtë e rinj në tremen e Sallës së Palit VI në Vatikan. 160 ishin të ftuarit të cilët e rrethuan Benediktin XVI në këtë ditë, që shënoi një ngjarje historike, përfundimin e Koncistorit të parë të Papnisë së tij. Dreka, që zgjati një orë, përfundoi me një fjalim të shkurtër të Atit të Shenjtë, i cili theksoi kryesisht universalitetin e Kishës dhe afërsinë e Kolegjit Kardinalor me Papën.







All the contents on this site are copyrighted ©.