2006-03-25 14:36:12

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të të kohës së Kreshmeve.


RealAudioMP3 Leximet biblike të kësaj së diele na thërrasin ta njohim e pranojmë në flijimin e Krishtit, të vdekur mbi kryq, dritën rrëzëlluese të ngjalljes së tij. Dashuria e Zotit për njeriun e ka mundur përfundimisht vdekjen dhe na ka dhënë jetën e cila nuk do të ketë mbarim. Hyji Atë e ka dërguar Birin e tij, Njëlindurin që bota, njerëzimi të shëlbohet përmes tij.
Jezu Krishti është mishëruar e ka ardhur ndër ne jo për të na hequr apo vjedhur ndonjë gjë që kemi, as gëzimin, as lirinë, përkundrazi, ai ka ardhur që njeriu të mos vdes, por ta ketë jetën e plotë. Alternativa e fesë është kjo: ose të besosh në jetën që vdes, ose të besosh në jetën që nuk vdes, që dmth. me fjalët e Shën Palit, të vishemi me dritën e Krishtit.
Po ne, anojmë e ecim pas jetës që vdes, në vend që t’i përmbahemi gjurmëve të Mësuesit Hyjnor. Kështu Ungjilli i kësaj së diele, na thërret ta përqafojmë jetën që nuk vdes e nuk mbaron kurrë, jetën e Krishtit Zot e Shëlbues dhe t’i themi jo jetës kalimtare e të vdekshme. Me Jezu Krishtin gjithçka ndyrshon me të vërtetë. Ne njerëzit e imagjinojmë Zotin si gjykatës të rreptë që e dënon atë që gabon në mënyrë të pariparueshme, ndërsa Jezusi na dëfton e na dëshmon Zotin që na do deri në atë pik sa të na ofroj të Birin e vet për shpëtimin tonë. E atë që Jezusi kèrkon prej nesh është ta vëjmë jetën në duarë të tija për ta shpëtuar nga vdekja dhe errësira.
Leximet biblike të kësaj së diele janë: Leximi i parë nga Libri i dytë i Kronikave 36,14-16.19-23; Psalmi 137 (136); Leximi i dytë nga Letra e Shën Palit apostull drejtuar Efesianëve 2,4-10 dhe Ungjilli nga Shën Gjoni ungjilltar, 3,14-21.
Komenti i leximeve biblike të kësaj së diele nga meshtari shqiptar dom Marjan Paloka.







All the contents on this site are copyrighted ©.