2006-03-23 17:24:28

Në prag të Koncistorit, takimi i Papës me kardinajtë: temat e mbledhjes së përgjithshme - çështja e ndjekësve të imzot Lefebvre dhe marrëdhëniet ndërmjet Kishës e Islamit


(23. 03. 06 R.V.)“Gjendja e ipeshkvijve të nderit, çështja e ndjekësve të imzot Lefebvre dhe dialogu i Kishës me Islamin” - ishin temat kyçe të takimit të Benediktit XVI me anëtarët e Kolegjit Kardinalor, mbledhur në Vatikan në prag të Koncistorit për Krijimin e 15 kardinajve të rinj.

 
Filloi sot paradite në orën 9. 30 në Sallën e Sinodit në Vatikan, takimi i Benediktit XVI me anëtarët e Kolegjit Kardinalor, të mbledhur për një çast reflektimi e lutjeje, para se të fillojë Koncistori. E Koncistori Publik i Zakonshëm, në të cilin Papa do të krijojë 15 kardinaj të ri, do të mbahet nesër në tremen e Bazilikës së Shën Pjetrit. Takimi i sotëm – me dyer të mbyllura – vijoi edhe pasdite, nga ora 17 deri në orën 19.00. Të shumta temat rreth të cilave u shkëmbyen mendime, që nga çështja e ndjekësve të imzot Lefebvre tek marrëdhëniet ndërmjet Kishës e Islamit.
***
Një takim me frymë uniteti e bashkimi, për t’u ballafaquar me sfidat e mëdha për jetën e Kishës: me këtë qëllim u mbajt në Vatikan takimi i Papës me anëtarët e Kolegjit Kardinalor, në prag të Koncistorit. Duke hapur takimin – njofton një Komunikatë e Sekretarisë së Shtetit - Papa shprehu dëshirën që të prekeshin posaçërisht disa nga argumentet më aktuale. Posaçërisht u fol për kushtet e ipeshkvijve të nderit, çështjet e ngritura nga imzot Lefebvre, reformën liturgjike të vendosur nga Koncili II i Vatikanit dhe, së fundi, për çështje që kanë të bëjnë me dialogun ndërmjet Kishës dhe Islamit.
***
Benedikti XVI vuri theksin mbi shpirtin e bashkimit që duhet të karakterizojë çdo takim kishtar, posaçërisht kur takohen ata që Zoti i ka thirrur në vende me përgjegjësi në Kishën e Tij. Më pas kujtoi kohën liturgjike të Kreshmëve, që tashmë ka arritur në gjysëm të rrugës si dhe festën e sotme të Shën Turibit të Mogrovejos, ‘model i bariut’, që iu kushtua plotësisht shërbimit të Ungjillit’.
Pas Papës – vijon njoftimi i Sekretarisë së Shtetit - folën edhe kardinali Giovanni Batista Re, i cili u përqëndrua tek tema e ipeshkvijve të dalë në pension dhe kardinali Darío Castrijon Hojos, që u ndalua tek çështja e ndjekësve të imzot Lefebvre. Mbi këtë argument folën 20 kardinaj.
Pasdite punimet u përqendruan mbi tema të tjera, rreth të cilave diskutuan kardinali Arinze e kardinali Sodano.
(Lutje)
Takimi i kardinajve me Benediktin XVI u hap me lutjen e ‘orës së tretë’. Më pas nisën reflektimet mbi përparësitë aktuale të Kishës, siç nënvizoi në fjalën e hapjes kardinali dekan i Kolegjit Kardinalor, Angelo Sodano:
***
“I jemi të gjithë mirënjohës Atit të Shenjtë që na mblodhi në këtë ditë lutjeje e reflektimi, për një veprimtari të përbashkët, gjithnjë më në përkim me sfidat baritore të së sotmes”.
***
Thirrja e këtij koncistori – vërejti akoma kardinali – na tregon sa rëndësi i jep Papa Kolegjit Kardinalor. Më pas kardinali Sodano ripohoi se të gjithë kardinajtë impenjohen që misioni i tyre t’i përgjigjet sa më mirë misionit të Kishës. Atmosfera e përzemërt e takimit u theksua edhe më tepër nga një batutë e kardinalit Sodano, që u prit me duartrokitje:
***
“Nga anëtarët që formomonin një pjesë të Kolegjit tonë në çastin e Konklavit të vitit të kaluar, duhet, natyrisht, të heqim Kardinalin Jozef Razinger, lartuar në Katedrën e Pjetrit”.
***
E nesër, duke nisur nga ora 10. 30, në tremen e bazilikës së Vatikanit do të mbahet Koncistori i Zakonshëm Publik për krijimin e pesëmbëdhjetë kardinajve të rinj. Pasi të kryhen vizitat e mirësjelljes, që do t’i bëhen kardinajve të rinj nesër pasdite, të shtunën, më 25 mars, në solemnitetin e Lajmërimit të Zotit, Papa do të kryesojë Meshën në Sheshin e Shën Pjetrit me kardinajtë e rinj, të cilëve do t’u dorëzojë Unazën kardinalore.







All the contents on this site are copyrighted ©.