2006-03-23 17:27:39

Ndërmjet kardinajve të rinj është edhe jezuiti francez Atë Albert Vanhoi, ish-rektor i Institutit Papnor Biblik dhe ish-sekretar i Komisionit Papnor Biblik - nënvizon ç’do të thotë të bëhesh kardinal


(23. 03. 06 R. V.) Me këtë Koncistor, numri i kardinajve arrin në 193, nga të cilët 120 me të drejtë zgjedhore: prej tyre, 100 kardinaj janë evropianë, 32 latinoamerikanë, 20 veriamerikanë, 20 aziatikë, 17 afrikanë e 4 nga Oqeania. Ndërmjet tyre edhe jezuiti francez Atë Albert Vanhoi, 82 vjeç, ish-rektor i Institutit Papnor Biblik dhe ish-sekretar i Komisionit Biblik. E pyetëm ç’do të thotë të bëhesh kardinal?
***
- Për mua, të bëhesh kardinal do të thotë mbi të gjitha të jesh i lidhur me Atin e Shenjtë në një mënyrë të veçantë. Kjo është diçka shumë impenjative, sepse duhet të mbart, me Atin e Shenjtë, shqetësimet e perspektivat e jetës së Kishës.
***
- Ngjyra e veshjeve kardinalore është e kuqja...
***
- E kuqja është ngjyra e dashurisë, e zjarrit, është dhe ngjyra e Mundimeve të Krishtit. Thuhet se kardinajtë duhet të jenë gati edhe për të derdhur gjakun e tyre – e e kuqja është pikërisht ngjyra e gjakut. E kjo do të thotë t’i kushtohen plotësisht Mbretërisë së Krishtit.
***
- Kaloi gati një vit nga zgjedhja e Benediktit XVI. Ç’po i sjell Kishës Papa i ri?
***
- Ati i Shenjtë e filloi ministerin e tij me një impenjim shumë të thellë e, me Enciklikën e tij të parë, tregoi orientimin e tij kryesor, dmth të pohojë se Zoti është dashuri jo vetëm me ndjenja, por edhe me vepra konkrete që i përgjigjen nevojave të botës. Kjo Enciklikë më është dukur shumë domethënëse, ashtu si më është dukur se përkon më së miri me karakterin e Papës, i cili ka një temperament shumë të përzemërt, plot ndjeshmëri, delikatesë e fisnikëri. Prandaj nuk më çuditi zgjedhja e temës së Enciklikës së parë që, nga ana tjetër, vë me të vërtetë gishtin mbi gjënë më themelore të gjithë fesë sonë: ‘Zoti është dashuri’.
***
- Ju jeni biblist me famë ndërkombëtare. Benedikti XVI i ka ftuar disa herë besimtarët për Lectio divina....
***
- Lectio divina është një formë vërtetë e frytshme e meditimit dhe e lutjes. Nganjëherë lutja e krishterë rrezikon të jetë tepër larg Fjalës së Zotit. Ndërsa mund të themi se kur njeriu dëshiron të lutet, gjëja e parë që duhet të bëjë është të dëgjojë Fjalën e Zotit, sepse lutja mbi të gjitha është dialog me Zotin. Prandaj Lectio divina kërkon në radhë të parë të ndiqet me vëmendje të plotë teksti i Shkrimit Shenjt, që është Fjala e Zotit, pastaj të meditohet për të arritur në bashkim të thellë me Zotin në dritën e dashurisë së tij.
***
- Si mund ta dëgjojmë sot Fjalën e Zotit mes zhurmave shurdhuese të jetës së përditshme?
***
Është e qartë se duhet një përpjekje për t’u përqendruar në lutje. Njeriu nuk mund të rritet normalisht, në se nuk i lë vetes sadopak kohë për të menduar, për të reflektuar, për të medituar, përndryshe e merr me vete potera e përditshme që e bën njeriun të humbasë jetën shpirtërore, dmth i krijon zbrazësi, ia tjetërson natyrën e tij njerëzore, duke e kthyer në një send që shkon nga të fryjë era. Prandaj për jetën shpirtërore është absolutisht e nevojshme të distancohesh, jo për t’u shkëputur nga bota, por për të pasur një lidhje edhe më të fuqishme me botën.
 







All the contents on this site are copyrighted ©.