2006-03-22 18:11:54

Papa heq dorë nga titulli i Patrikut të Perëndimit për t’i dhënë një hov të ri dialogut ekumenik


(22. 03. 06 R.V.) Komunikatë e Këshillit Papnor për bashkimin e të krishterëve lidhur me heqjen e titullit “Patrik i Perëndimit” në Vjetarin Papnor.
Këshilli Papnor për bashkimin e të krishterëve publikoi sot nji komunikatë, përmes së cilës shpjegon mungesën e titullit ‘Patrik i Perëndimit’ ndërmjet titujve të Papës në Vjetarin Papnor 2006. Nota kujton se në Lindje, në shekullin VI, ndërmjet katër Patriarkanave lindore (Kostantinopojës, Aleksandrisë, Antiokisë dhe Jeruzalemit) Papa përfshihej si Patrik i Perëndimit. Titulli u përdor për herë të parë në vitin 642 nga papa Teodori I. Më pas u kujtua rrallë herë e nuk pati domethënie të qartë. Në vjetarin papnor duket për herë të parë në vitin 1863.
Aktualisht domethënia e termit Perëndim – pohon nota - nuk ka për qëllim të përshkruajë një territor kishtar e as një territor patriarkal. Titulli ‘Patrik i Perëndimit’ mund të shprehë jurisdiksionin e posaçëm të Ipeshkvit të Romës për Kishën latine. Për pasojë – nënvizon dikasteri i Vatikanit – titulli, që në fillim pak i qartë, me kalimin e kohës u bë praktikisht i papërdorshëm. Duket, prandaj, fare pa kuptim të mbahet edhe sot. E kjo aq më tepër sepse Kisha katolike, me Koncilin II të Vatikanit, ka gjetur për Kishën latine, në formën e Konferencave Ipeshkvnore e të takimeve të tyre ndërkombëtare, rendin kanonik të përshtatshëm për nevojat e sotme. Ta heqësh titullin ‘Patrik i Perëndimit’ – komenton nota - nuk ndryshon asgjë lidhur me njohjen e Kishave të lashta Patriarkale deklaruar solemnisht nga Koncili II i Vatikanit (Lumen Gentium 23). Aq më pak, një shfuqizim i tillë, mund të krijojë nënkuptime lidhur me kërkesa të reja ndaj tyre. Anullimi i titullit të lartpërmendur – përfundon Komunikata e dikasterit të Vatikanit – shpreh një realitet historik dhe teologjik, njëkohësisht, heq dorë nga një pretendim, gjë që mund të ndihmojë për vijimin e dialogut ekumenik.







All the contents on this site are copyrighted ©.